Studeniçani 3 ditë pa ujë të pijshëm

Studeniçani 3 ditë pa ujë të pijshëm

SHPËRNDAJE

Rrjeti i amortizuar i ujësjellësit në Studeniçan vazhdon të jetë arsyeja që shpesh një pjesë e banorëve të këtij vendbanimi të mbesin pa ujë. Rreth tre ditë, dy lagje të Studeniçanit mbetën pa ujë të pijshëm, për shkak të plasjes së një gypi.

QYTETARË:

“Problemi që tre ditë që nuk kemi ujë, gypat nuk bëjnë fare. Është dashur në fillim të bëhet lidhja e re, pastaj të bëhet asfallti. Tek ne mbrapsht është, tek ne asfallti është bërë, uji akundi hiç. I gjithë fshati pa ujë është dy ditë. Kjo është turp për të gjithë. Unë nuk dua ta kritikoj asnjë kryetar, çka duhet të bëhet ajo të bëhet”.

“Uji prej në 1974-ën asnjë kryetar që ka hy në Studeniçan nuk e ka realizu ujin hiç. Tash kjo do të rregullohet, pas katër orëve ktheni në Studeniçan prap do të burojë uji i ujësjellësit, nuk kemi ujë. A të ishin bërë në vitin 2014, të hapeshin gypat dhe të lidheshin nëpër shtëpi, sot nuk do të vinim në këtë gjendje”.

“Ç’do mandat që po vijnë krejt ashtu, shohin vetëm si ta mashtrojnë popullin, jo si ta ndihmojnë popullin. Ja ku duket, ndaç me gypat ndaç tjetrin. Edhe tek gypat e kanalizimit kanë punuar me vjedhje edhe me ata të ujit. Krejt me mashtrime, në secilin mandat. Ka mëhalla që nuk kanë hiç ujë. Dje erdhi një kamion prej ujësjellësit, që të mbushë dikush ujë, po kjo rruga dje gjithë ditën e zënë ka qenë, gjithë ditën ashtu”.

Sipas banorëve, fshati numëron disa të sëmurë pikërisht për shkak të uji për pije, i cili është i papastër.

QYTETARË:

“15 a 20 njerëz vetëm në dializë që janë në fshat, a që kanë infektime dhe sëmundje veç është ajo, prej çka, prej ujtit. A asfalltin e ha njeriu apo ujin e pi, çka të duhet”.

“Ka në dializë së paku 20 banorë këtu, ku është rinia sot, me margarin dhe vaj, përpara me tlyen ata pleq kanë jetuar këtu, sot nuk ka asgjë”.

Sipas kryetarit të komunës Azem Sadiku, tashmë defekti është sanuar.

AZEM SADIKU, KRYETAR I KOMUNËS SË STUDENIÇANIT.

“Ka pasur një difekt aty, ka plasur një gyp i ujit, dhe para disa orëve është sanuar defekti dhe është lëshuar uji, gjithçka tani është në rregull. Defektet ndodhin prë shkak se gypat në atë pjesë ende janë pa lëshuar. Këto gypat e rinj që i kemi vendosur, NP Ujësjellësi i qytetit të Shkupit shumë ngadal i çon punët. Sa i përket Komunës, Komuna me kohë i ka çuar punët”.

Kjo nuk është hera e parë që banorët e Studeniçanit mbeten pa ujë. Për shkak të gypave shumë të vjetër të ujësjellësit në Studeniçan, banorët shpesh përballen me mungesë të ujit të pijshëm./shenja/