Qeveria jep 50,000 euro për ekspertizën në rastin Dehari

Qeveria jep 50,000 euro për ekspertizën në rastin Dehari

SHPËRNDAJE

Qeveria në mbledhjen e sotme ka aprovuar kërkesën që të ndahen mjetet financiare në shumën prej 50,000 eurove për ekspertizën shtesë jashtë vendit në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit.

Propozimin e ka paraqitur Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, njofton Klan Kosova.

Tahiri ka thënë se propozimi ka ardhur duke marrë për bazë rekomandimet e Kuvendit të Kosovës, që obligojnë Qeverinë që të mbulojë shpenzimet për ekspertizën shtesë jashtë vendit lidhur me këtë rast.

Ministri i Drejtësisë ka thënë se po punon që ky rast të zbardhet deri në fund.

Astrit Dehari, aktivist i “Vetëvendosjes” vdiq më 5 nëntor të vitit të kaluar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit më 18 nëntor 2016 doli në përfundim se Dehari ka bërë vetëvrasje.

Në ndërkohë që familja Dehari nuk e ka pranuar këtë ekspertizë duke kërkuar hetim shtesë jashtë vendit për rastin e të birit të tyre.