QEVERIA E SHQIPËRISË DO TË MBËSHTESË ZBATIMIN E REFORMËS NË DREJTËSI

QEVERIA E SHQIPËRISË DO TË MBËSHTESË ZBATIMIN E REFORMËS NË DREJTËSI

SHPËRNDAJE

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë mori vendimin për përcaktimin e pagesës shtesë të të gjithë anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit të gjyqtarëve, konfirmoi sot në një deklaratë për mediat, ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë, Etilda Gjonaj, raporton(AA).

Gjonaj gjatë deklaratës u shpreh se “Qeveria shqiptare, ashtu siç ka premtuar se do të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në aspektin buxhetor dhe atë infrastrukturor, me vendimin e sotëm konfirmoi edhe njëherë angazhimin e saj serioz. Mbështetja nga ana e qeverisë përsa i përket buxhetit është një detyrim sa kushtetues edhe ligjor, aq sa edhe shprehja e një vullneti të plotë për rritjen e pagesës me 50 për qind më shumë”.

Sipas saj, me vënien në dispozicion të godinave dhe infrastrukturës, me miratimin e strukturës, si dhe me shtesën e pagës për anëtarët e komisioneve të Vettingut, institucionet e reja janë gati të fillojnë nga procesi, që sot.

Gjonaj ka theksuar në fund se Qeveria ka ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme për zbatimin e reformës në drejtësi, pavarësisht vështirësive ligjore dhe atyre financiare.

Me ndryshimet kushtetuese të vitit të kaluar dhe me miratimin e disa ligjeve të reja, në sistemin e drejtësisë në Shqipëri janë krijuar institucione të reja, si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, etj.