Poroshenko: Krimea duhet t’i kthehet Ukrainës

Poroshenko: Krimea duhet t’i kthehet Ukrainës

SHPËRNDAJE

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka theksuar se okupimi i Krimesë nga Rusia nuk duhet të konsiderohet si “i përfunduar”, duke kërkuar që ky vend t’i kthehet Ukrainës, raporton(AA).

“E refuzoj fuqishëm përdorimin e shprehjes ‘ngjarje e përfunduar’ nga disa persona lidhur me Krimenë”, tha Poroshenko në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) në Strazburg, duke reaguar ndaj presidentit çek Milosh Zeman, i cili dy ditë më parë në APKE tha se “Krimea pa dyshim është aneksuar dhe kjo gjë është ngjarje e përfunduar”.

Në një pyetje lidhur me mundësinë për të shkuar në referendum në Krime, Poroshenko tha se referendumi nuk mund të mbahet “nën hijen e tankeve të Rusisë”.

“Krimea duhet t’i kthehet Ukrainës. Ne nuk kemi ndërmend ta shesim apo blejmë Krimenë. Kjo është një gjendje që ka të bëjë me sigurinë e tërë botës”, u përgjigj Poroshenko.

Presidenti ukrainas theksoi se viteve të fundit, Rusia ka marrë një qëndrim agresor ndaj fqinjëve të saj. “Pas shpërbërjes së sovjetikëve, Federata e Rusisë ishte siguri për integritetin tonë territorial”, shtoi ai.

Ai rikujtoi se tre vite më parë ishte adresuar në seancën plenare të APKE-së si anëtar i delegacionit të Ukrainës, porse paralajmërimet e tij nuk ishin marrë parasysh atëbotë dhe se problemet që atëherë janë rritur çdo ditë e më shumë.

Poroshenko u bëri thirrje politikanëve dhe liderëve evropianë t’i ndjekin më afër zhvillimet në Ukrainë dhe në lindje të Evropës.