Kosovë – 36 raste me fruth

Kosovë – 36 raste me fruth

SHPËRNDAJE

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu në ditën e parë të punës, ka vizituar Klinikën Infektive për t`u njohur nga afër me gjendjen, pas raportimit të kësaj klinike në lidhje me rastet e reja me fruth.

Emërimi i tij si ushtrues detyre i drejtorit të SHSKUK-së erdhi pas dorëheqjes së drejtorit të deritanishëm të këtij institucioni shëndetësor, Curr Gjocaj.

Atje, Sejdiu u takua drejtorin e kësaj klinike, Hamdi Ramadani, i cili e njoftoi se në këtë klinikë janë duke u mjekuar 36 raste me fruth, prej tyre 4 në gjendje më të komplikuar, përderisa 75 raste të tjera pasi kanë marrë ndihmën mjekësore, pas trajtimit janë liruar për në shtëpi.

Sipas tij, pacientët janë të moshave të ndryshme, duke filluar nga foshnjat e deri tek mosha 40 vjeçare.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm falënderoi stafin për punën dhe angazhimin e treguar për të ofruar ndihmesën shëndetësore për rastet e paraqitura.

Ai premtoi se do të angazhohet bashkë me bordin drejtues dhe Ministrinë e Shëndetësisë që të përmirësohet gjendja qoftë për sa i përket furnizimit me barna dhe material shpenzues, por edhe infrastrukturën dhe pajisjet e nevojshme.

Një ditë më parë një fëmijë 14 muajsh i prekur nga fruthi ka ndërruar jetë në QKUK, transmeton Klan Kosova.