Kosovë – 11 raste të reja nga fruthi

Kosovë – 11 raste të reja nga fruthi

SHPËRNDAJE

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani, në një prononcim të tij për klankosova.tv ka thënë se deri më tani janë trajtuar mbi 60 raste të pacientëve të prekur nga epidemia e fruthit.

Ramadani tutje ka shtuar se vetëm gjatë ditës së sotme, në Klinikën Infektive, janë pranuar 11 raste të freskëta të prekura nga kjo epidemi, transmeton Klan Kosova.

Ai ka sqaruar po ashtu se rastet e prekura nga kjo sëmundje epidemike janë nga vendet e ndryshme të Kosovës, teksa në prononcimin e tij për klankosova.tv tha se të infektuarit janë kryesisht fëmijë parashkollor.

Infektologu Ramadani ka thënë se nga kjo epidemi nuk ka vend për panik por ai ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Kosovës, të vaksinohen dhe të imunizohen pasi sipas tij këto janë faktorët kryesor dhe arma e vetme që mund ta luftojnë epideminë e fruthit.

Në prononcimin e tij Drejtori i Klinikës Infektive, ka pranuar se disa nga pacientët të cilët po trajtoheshin për të luftuar epideminë e fruthit, tashmë janë liruar nga spitali, ndërsa ai ka potencuar se kjo klinikë deri tani është e furnizuar me ilaçet dhe medikamentet e nevojshme për trajtimin e kësaj epidemie, transmeton Klan Kosova.

Deri më tani dy persona kanë humbur jetën si pasojë e fruthit.