Kosova po mban zgjedhjet lokale

Kosova po mban zgjedhjet lokale

SHPËRNDAJE

Sot në Kosovë u hapën 899 qendra votimi me 2 mijë e 505 vendvotime për zgjedhjet lokale, në të cilat 91 subjekte politike konkurrojnë për votën e rreth 1 milion e 890 mijë votuesve.

Janë 7 mijë e 91 kandidatë të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prej tyre 6 mijë e 887 janë kandidatë për Kuvendet Komunale, ndërkaq 204 kandidatë janë në konkurrencë për kryetar komune.

Autoritetet vendëse e ndërkombëtare thonë se kanë marrë të gjitha masat për të siguruar një proces të qetë e të lirë ditën e diel. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues vendas e ndërkombëtarë.

Rreth 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian do të shpërndahen gjithandej Kosovës të mbështetur edhe nga vëzhguesit e ambasadave.

86 prokurorë të Kosovës do të jenë të përfshirë në ditën e zgjedhjeve për të siguruar veprimet ligjore ndaj çdo përpjekjeje për keqpërdorimin e votës, ndërsa policia ë Kosovës ka hartuar plan të veçantë për të siguruar një proces të qetë.

Vëmendje e posaçme po u kushtohet zgjedhjeve në veriun e banuar me shumicë serbe ku procesi i votimeve do të lehtësohet nga Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.

Thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, duke ftuar po ashtu qytetarët që të marrin pjesë në numër sa më të madh, kanë bërë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave të ndryshme vendëse e ndërkombëtare. Ata pohojnë se zgjedhjet e sotme janë një sprovë e re për demokracinë ende të brishtë të vendit që shpalli pavarësinë e tij më 2008 dhe aspiron integrimet evropiane, ndonëse është i fundit në rajon në këtë proces.