Ballina Kultura Agjiro 2017, festa e muzikës dhe kostumeve folklorike pushton Gjirokastrën (VIDEO+FOTO)

Agjiro 2017, festa e muzikës dhe kostumeve folklorike pushton Gjirokastrën (VIDEO+FOTO)

SHPËRNDAJE

Qyteti muzeal i Gjirokastrës shndërruar në vendin e festës me aktivitete të larmishme ku spikat folklori i zonave të ndryshme të vendit, por edhe ndërkombëtar.

Gjirokastra ka hapur dyert për një ngjarje të rëndësishme, Argjiro Fest 2017, aktivitet i cili ngriti siparin me parakalimin e grupeve te shumta folklorike pikërisht nga Sheshi i Çerçizit për të vijuar në odeonin e qytetit aty ku edhe jepen shfaqjet.

Kryebashkiakja Zamira Rami ka ftuar qytetarët në mbarë vendin të vizitojnë Gjirokastrën këtë fundjavë.

“Janë të ftuar të gjithë gjirokastritët që janë anë e mbanë Shqipërisë por edhe përtej kufijve të saj. Po pse jo edhe banorët e qyteteve të tjera që kanë dëshirë të kalojnë një fundjavë ndryshe në Gjirokastër mund të vijnë dhe të kënaqen në këtë 4 ditësh plot me aktivitete”, tha Rami

Të mrekulluar për atë që gjetën në Gjirokastër, përfaqësues nga komunitetin arbëresh në Itali u shprehen se “kjo është hera e tretë që vijmë në këtë vend kaq të bukur. Eshtë një manifestim i bukur. Ne i ruajmë traditat tona dhe shoh që gjithçka këtu është shumë e ndjerë.”

Krahas Argjiro Fest, në Gjirokastër janë organizuar edhe evente të tjera si parada e kostumeve popullore, panairi i artizanëve nga të gjitha trevat shqiptare, ekspozita etnografike dhe ajo e librit.

Panairi i 11 i trashëgimisë kulturore dhe artizanatit i çelur në Gjirokastër ka përfshirë rreth 40 mjeshtra të punimeve të traditës nga mbare vendi.

Ata kanë ekspozuar prodhimet karakteristike në Pazarin e gurtë duke risjellë edhe një herë në vëmendje traditën e punimeve në gur të skalitur, drugdhendje, punimet me avlemend apo edhe kostumeve popullore qindra vjeçare.

Vetë artizanët pjesa me e madhe e të cilëve kanë qenë pjesëmarrës edhe në edicionet e mëparshme shprehen se ky panair është një vlerësim që kthen vëmendjen nga tradita e punimeve me dorë.

Panairi i artizaneve është ndjekur me kershëri dhe nga dhjetra qytetarë gjirokastritë ndërsa nuk kanë munguar edhe turistë te huaj ,vizitorë të qytetit të gurte në këto ditë vjeshte .