Zgjedhjet lokale, përgatiten koalicione

Zgjedhjet lokale, përgatiten koalicione

SHPËRNDAJE

LSDM-ja negocion për koalicion eventual me partitë politike shqiptare për zgjedhjet e ardhshme lokale. Lideri i LSDM-së dhe njëkohësisht kryeministër i Maqedonisë, Zoran Zaev shprehet se tashmë po bisedon me partnerët e koalicionit qeveritar, BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët, por nuk e përjashton mundësinë për bisedime edhe me partitë tjera, posaçërisht për kandidat të përbashkët në Tetovë. Për koalicionet eventuale sipas Zaevit, vendimtare do të jenë konceptet dhe programet që do t’i ofrojnë partnerët potencial të koalicionit. Zaev thotë që 70% e kandidatëve për kryetarë komunash nga LSDM-ja tashmë janë të njohur, ndërkaq kandidatët e LSDM-së do të garojnë në mbi 65 komuna, por nuk përjashtohet mundësia që numri i komunave dhe kandidatëve të ritet. Zaevi thotë që nga radhët e partisë së tij do të kandidojë emra nga të gjitha bashkësitë etnike. Kurse në komunën e Haraçinës, besimin e qytetarëve do ta kërkojë Milikie Halimi.

Bukuria, gëzimi dhe avangarda e konceptit është që kemi një zonjë. Do të marrim pjesë me një grua shqiptare e ajo është Milikie Halimi. Besoj se do të jemi të pranueshëm për ta marrë mbështetjen e shumicës së qytetarëve. Qëllimi jonë është të punojmë në projekte konkrete në Haraçinë- deklaroi kryeministër i RM-së, Zoran Zaev.

Nga VMRO-DPMNE thonë se akoma janë duke analizuar mendimin e qytetarëve pas çka do të vendosin për kandidatët e tyre për kryetarë komunash.

Akoma po bëhen anketa, akoma po analizohet mendimi i qytetarëve. Do të shohim ç’mendojnë qytetarët, dhe çdo të thonë ata, pas çka do të dalim me matematika dhe kandidatë. Me rëndësi është që komiteti vazhdimisht mblidhet dhe kur ka kandidatë të sigurt menjëherë i plasojmë- tha Vlado Misajlovski, VMRO-DPMNE.

Për momentin VMRO-DPMNE ka publikuar vetëm pesë kandidatë për kryetarë të ardhshëm të komunave, edhe atë në Strumicë Marijan Bajraktarov, Borçe Mitrevskin për komunën e Petrovecit, Slavço Çadiev në Veles, Toni Zatkovski për Krivogashtan dhe Zoran Gjorgjievski për qytetin e Kumanovës./am/