Udhëheqësja e Mianmarit shmang Asamblenë e OKB-së

Udhëheqësja e Mianmarit shmang Asamblenë e OKB-së

SHPËRNDAJE

Udhëheqësja “de facto” e Mianmarit, Aung San Suu Kyi nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që zhvillohet javën e ardhshme, teksa përballet me kritika për krizën e myslimanëve “Rohingya”.

Rreth 370 mijë njerëz nga minoriteti mysliman kanë braktisur Mianmarin dhe janë strehuar në Bangladesh, që kur nisi dhuna në krahinën Rakihen ku ata jetonin.

Su Ki, e cila ka marrë edhe çmimin Nobel për Paqen, po akuzohet gjithnjë e më fort nga mbështetësit e saj në Perëndim se nuk bën asgjë kundër persekutimit të myslimanëve, madje as flet për këtë.

Ushtria e Mianmarit, vend kryesisht budist, thotë se po lufton miliantët “Rohingya” dhe ka mohuar çdo akuzë se shënjestron civilët. Por, eksodi masiv dhe mijëra viktimat tregojnë një panoramë të ndryshme, diçka që nga OKB-ja është cilësuar si “spastrim etnik”.

Mungesa e Aung San Suu Kiy në Asamblenë e OKB duket logjike, në kohën kur kritikat e akuzat ndaj saj shtohen, megjithëse vartës së saj thanë se ajo ka çështje më të rëndësishme për t’u marrë.

Sipas një zëdhënësi, këshilltarja e shtetit, roli zyrtar i Su Ki në Mianmar, nuk ka frikë të përballet me kritika apo probleme. Frikë mbase jo, por padyshim që çmimi Nobel për Paqen e ka të vështirë të justifikojë atë që po ndodh në vendin e saj, e sipas një pjesë të analistëve duket se e persekutuara është shndërruar tashmë në një persekutore./tch/