Tetova dhe Shkupi, komunat më të komplikuara

Tetova dhe Shkupi, komunat më të komplikuara

SHPËRNDAJE

Shkupi, Tetova, Kumanova. Këto janë vetëm një pjesë e qyteteve më të mëdha në Maqedoni ku në zgjedhjet lokale pritet betejë e ngushtë në garën për kryetarë, nëse si masë për këtë merret rezultati nga zgjedhjet e fundit parlamentare. E kategorisë së rëndë do të jetë beteja për Shkupin. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit thonë se në kryeqytet LSDM mori rreth 129 mijë vota, ndërsa VMRO rreth 10 mijë më pak ose 119 mijë. LSDM ka më shumë vota se VMRO në Shkup edhe nëse përjashtohen komunat me shumicë popullate shqiptare, Çairi dhe Saraji. Por, në të njëjtën kohë Besa, BDI-ja, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH-ja në kryeqytet morën mbi 46 mijë vota. Kjo do të thotë se rezultati përfundimtar shumë do të varet nga vendimi i shqiptarëve se cilin do ta mbështesin në rrethin e dytë. Nëse votën do ta japin për LSDM-në ose VMRO-në apo nuk do të votojnë.

Betejë e barabartë është edhe në Tetovë. Në zgjedhjet parlamentare BDI-ja morri 10800 vota ndërsa Besa ishte e dyta me 8500 vota. Nëse disponimi është i njëjtë thuajse është e sigurt se do të ketë rreth të dytë dhe kombinatorika të panumërta. Shkak për këtë është se partia e tretë në Tetovë me 8050 vota është VMRO-DPMNE-ja, ndërsa menjëherë pas tyre janë PDSH dhe LSDM me diku nga 7300 vota. Nuk janë për t’u nënvlerësuar as 3600 votat e Aleancës për shqiptarët. Nëse në rrethin e dytë shkojnë kandidatët e BDI-së dhe Besës, kyçe për fitoren do të jetë mbështetja e katër partive tjera politike, VMRO-DPMNE, PDSH, LSDM dhe Aleanca për shqiptarët.

Ndoshta beteja e tretë më interesante do të jetë për Kumanovën. Në fund të dhjetorit qytetarët e Kumanovës votuan thuajse barabartë, me avantazh të vogël për LSDM-në. Partia e Zaevit mori 22.200 vota, ndërsa VMRO-DPMNE 20.700 vota. Partitë e shqiptarëve në Kumanovë morën gjithsej 11.300 vota që do të thotë se pikërisht këto vota do të jenë vendimtare për fituesin.

Megjithatë numrat e zgjedhjeve parlamentare nuk mund të shërbejnë për të parashikuar rezultatin përfundimtar. Faktor i rëndësishëm për disponimin e votuesve mbetet personaliteti i kandidatit për kryetarë dhe programi i tij.

Alsat M