Shqipëria matanë Qafës së Thanës, në fund të shekullit me 1.7 mln...

Shqipëria matanë Qafës së Thanës, në fund të shekullit me 1.7 mln banorë, shumica pleq

SHPËRNDAJE

Projeksionet globale mbi popullsinë nga viti 1950 deri në vitin 2100 tregojnë për një rënie drastike të popullsisë shqiptare, sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë, me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB.

Përveç rrudhjes në numër, shihet një përkeqësim i ndjeshëm i vitalitetit të popullsisë. Piramida tregon se në këtë vit, rreth 546 mijë persona janë mbi 60 vjeç, teksa shihet se është ngushtuar dukshëm baza e piramidës, çka reflekton një nivel të ulët të numrit të lindjeve. Në vitin 2100, numri i personave mbi 60 vjeç do të jetë më i madh se personat nën këtë moshë. Një ndër shkaqet e përkeqësimit është emigracioni, ku sipas të njëjtit burim që nga viti 1990 ka emigruar 20% e popullsisë së vendit, shumica në Greqi dhe Itali.

Në Shqipëri, sipas shifrave të bëra publike edhe nga INSTAT, pjesa e popullsisë 65 vjeç e lart është rritur nga 5 në 11% ndërmjet viteve 1989 dhe 2011, për të arritur 29% deri në 2060-n. E krahasuar me shtetet e tjera në botë, vendi ynë nuk ndodhet ende në zonën e “rrezikut të lartë” nga plakja e popullsisë, por po shkon me shpejtësi drejt saj. Për shkak të efektit të kombinuar të rritjes së jetëgjatësisë, uljes së lindshmërisë dhe emigrimit në rritje të të rinjve, përqindja e të moshuarve në popullsi – 65 vjeç e lart – në periudhën 1989 deri në 2011, është rritur nga 5 në 11%. Në vitin 2017, të moshuarit mbi 60 vjeç zënë 18.8% të totalit të popullsisë.

Të papërgatitur për të moshuarit

Mirë ose keq, Shqipëria ka një infrastrukturë të ngritur për moshat e reja. Investimet në rritje dhe numri i nxënësve në ulje do të rregullojë më tej kushtet për moshat e reja, por për moshat e treta që jo shumë larg do të jenë në mazhorancë nuk ka asnjë përgatitje në sfond. Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europa që nuk ka një legjislacion të integruar për të moshuarit, madje është shumë pas në këtë drejtim. Instituti i Shëndetit Publik, nisur nga disa studime në Tiranë dhe në rrethe, ka gjetur vitin e kaluar se më shumë se dy e treta e të moshuarve mbi 65 vjeç janë të sëmurë apo vuajnë nga një sëmundje kronike, ndërkohë që një e treta e tyre raportojnë se vuajnë nga më shumë se një sëmundje apo probleme shëndetësore.

Numri i të moshuarve që përdorin shërbimet shëndetësore parësore përbën pothuajse gjysmën e tyre dhe prirja është drejt rritjes. Gjithashtu, të moshuarit konsumojnë pothuajse gjysmën e barnave mjekësore, ose më shumë se trefishin, krahasuar me të sëmurët e moshave të tjera. Sipas ISHP-së nga 530 mijë të moshuar, të regjistruar tek mjeku i familjes, rreth 405 mijë përdorin shërbimet e financuara nga skema e sigurimeve shëndetësore. Rreth 160 mijë janë përfitues të rregullt të skemës, dhe mesatarisht kapin vlerën e 252 milionë lekëve në muaj.