Përplasjet politike shpërqendrojnë opinionin nga problemet e vërteta

Përplasjet politike shpërqendrojnë opinionin nga problemet e vërteta

SHPËRNDAJE

Në prag të zgjedhjeve lokale në Maqedoni të caktuara më 15 tetor, janë shtuar zënkat ndërmjet opozitës dhe pushtetit se kush është patriot dhe kujdeset për interesat kombëtare dhe ato shtetërore të Maqedonisë, kush i ka cenuar ato me veprimet e saj pas intensifikimit të marrëdhënieve diplomatike të Qeverisë së re të Maqedonisë me vendet fqinje në vend se të shtrohen problemet, me të cilat përballen qytetarët, si mungesa e ujit, rrugëve të asfaltuara, mungesa e shkollave, problemi me menaxhimin e mbeturinave dhe shumë të tjera.

Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci, thotë se e vërteta për më shumë çështje do të arrijë vështirë deri te qytetarët përderisa nuk arrijnë të reformohen mediat.

“Mungesa e informimit joprofesional gjatë viteve të fundit ka ngulfatur nxitjen e masës kritike në aspektin profesional për shumë çështje madhore që janë me interes për qytetarët dhe vetë shtetin. Por, gjithçka qytetarët janë të prirë ta perceptojnë si të gatshme se kush është tradhtar dhe kush është patriot. Nevojitet kohë që edhe mediat të konsolidohen në masë që të jenë në funksion të informimit të mirëfilltë, po edhe të edukimit për të pasur masë kritike”, thotë Troshanovski.

Ndërkaq, Bashkim Selmani, ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se edhe pas krijimit të qeverisë së re, kriza politike është e pranishme në Parlamentin e Maqedonisë, ngase, thekson ai, për mungesë të dialogut politik, pengohet miratimi i ligjeve që do të çonin kah reformimi i sistemit gjyqësor dhe nxjerrjen para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin.

Selmani konsideron se gjithë debati nuk arrin të fokusohet në problemet e vërteta, me të cilat përballen qytetarët, por në gjetjen e patriotëve dhe tradhtarëve, ose atyre që gënjejnë ose thonë të vërtetën.

Po të njëjtit kuvendarë, për të cilët ka dyshime se kanë bërë keqpërdorime të detyrës, qofshin ato individuale apo kolektive, duhet të bëjnë kallëzime dhe t`i drejtohen gjykatës. Po në këtë rast, këta individë luajnë rolin e kuvendarit, gjyqtarit apo në raste të caktuara të zhbllokimit të mendësisë që kanë krijuar duke defokusuar vëmendjen në publik se cila palë e do shtetin më shumë apo vepron në mbrojtje të interesave shtetërore”.

“Pra, aktorët politikë të strukturave të caktuara për të mbuluar krimet që kanë bërë dhe vazhdojnë t`i bëjnë qëllimisht e defokusojnë opinionin nga çështjet me rëndësi siç janë realizimi reformave rrënjësore në shumë segmente, siç është sistemi gjyqësor, pavarësia e medieve, etj”.

“Një nga problemet esenciale është se për momentin është i kapur edhe Kuvendi i Maqedonisë, në të cilin institucion, në bazë të rendit të ditës, duhet të shqyrtohen ligjet që janë me prioritet për përshpejtimin e integrimit të vendit në Bashkimin evropian dhe njëherësh janë në interes edhe të vetë qytetarëve, është shpërqendruar i gjithë debati në fajësinë ose pafajësinë e personave të caktuar”, vlerëson ish-gjykatësi Selmani.

Çështja e patriotizmit është bërë prezentë pas intensifikimit të marrëdhënieve diplomatike të qeverisë së re të Maqedonisë me vendet fqinje. Opozita maqedonase akuzon pushtetin se në mënyrë jotransparente përpiqet t’i zgjidhë çështjet e hapura që ka Maqedonia me vendet fqinje./rel