Pas fyerjes së gazetarëve, Haradinaj: Ishte keqkuptim

Pas fyerjes së gazetarëve, Haradinaj: Ishte keqkuptim

SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj mbrëmjen e djeshme ka komentuar ngjarjen e ndodhur gjatë qëndrimit të tij në KEK, ku kishte fyer gazetarët, duke i quajtur të pashkollë dhe që nuk kuptojnë anglisht, prandaj e kanë keqinterpretuar deklaratën e Ambasadës Amerikane për Demarkacionin.

Haradinaj me këtë rast ka insistuar se pyetja e gazetares ishte keqinterpretim i deklaratës së Ambasadës Amerikane, pasi kjo ambasadë nuk e ka komentuar vendimin e tij për shkarkim të komisionit të Murat Mehës, dhe themelimin e një komisioni të ri për matjen e territorit me Malin e Zi.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast, ka thënë se ai gjithmonë i ka respektuar mediat dhe do të vazhdojë t’i respektojë, por sipas tij, ai mundet edhe ta zbus fjalorin, por ka thënë se e vërteta mbetet e vërtetë, shkruan gazeta metro

“Nuk ka qëndrim zyrtar të ShBA-së që ka kritikuar ose kundërshtuar veprimin tim pas zgjedhjes kryetar qeverie për demarkacionin. Pra është konstatim jo i drejtë. Dhe nëse kjo i pengon dikujt, unë mundem me përdor gjuhë ma të butë, por keni parasysh e vërteta mbetet e vërtetë”, ka thënë Haradinaj.

“Kam respekt për media shumë besoni. Por shumica juaj, as nuk dini me lexu anglisht, as s’po dini me i kuptu çka kanë thanë. Problem është i juaji. S’kam ndonjë koment. Ju po raportoni pa e dit si raportoni, besoni. Shkoni më shumë në shkollë, këqyrni çka po thonë ata. E shoh unë çka kanë thanë, e kam lexu deklaratën e tyre”, ka deklaruar Haradinaj