“Mungesa e urimeve për qeverinë, alarm për mos perceptim serioz të Kosovës...

“Mungesa e urimeve për qeverinë, alarm për mos perceptim serioz të Kosovës nga fqinjët”

SHPËRNDAJE

Zgjedhja e Ramush Haradinajt si kryeministër i Kosovës duket se nuk u ka bërë përshtypje të gjithëve, përfshirë këtu vendet e rajonit, vende nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urimet që Haradinaj mori me rastin e zgjedhjes si kryeministër ishin më shumë nga këngëtarë dhe artistë që janë në përkrahje të tij se sa nga vendet mike të Kosovës apo shteteve fqinje e madje as nga SHBA. Ishte presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili e uroi atë për detyrën e re, derisa urimi i vetëm zyrtar nga shtetet fqinje dhe mike të Kosovës ishte urimi nga Shqipëria dhe së fundi nga Gjermania. Kreu i qeverisë së Shqipërisë Edi Rama ka zgjedhur prezantimin e programimit qeveritar për të uruar kryeministrin e sapo zgjedhur të Kosovës, Ramush Haradinajn. Kryeministri Rama ka shfaqur shpresën se nga 1 janari i 2018 kufiri me Kosovën të jetë një kufi evropian, pa radhë dhe pa kontrolle policore. Ai ka bërë me dije se qeveria shqiptare e ka gati projektin e bashkimit doganor me Kosovën, duke shtuar se pret vetëm ‘ok’ e shtetit të Kosovës.

Në takime me kryeministrin e ri të Republikës se Kosovës Ramush Haradinaj kishin shkuar ambasadorë të ndryshëm përfshirë edhe atë të SHBA-së Grek Delawie, por që urime zyrtare nga shtete tjera nuk kishte marrë.

AAK dhe qeveria pa përgjigje

Haradinaj nuk u urua as nga Kroacia, e cila llogaritet të jetë si një nder vendet mike të shtetit të Kosovës.

Gazeta ka kontaktuar me zyrtarin e AAK-së Muharrem Nitaj i cili me këtë rast na ka sugjeruar të bisedojmë me Halili Matoshin, më të cilin assesi nuk kemi mundur të biem në kontakt.

Duke komentuar mbi qeverinë e sapozgjedhur të Kosovës, eurodeputetja e gjelbër dhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian, njëkohësisht raportuesja për Kosovën në PE, Ulrike Lunacek është shprehur se Qeveria e re e Kosovës duhet të fillojë trajtimin e problemeve urgjente të Kosovës që nga dita e parë.

Por Lunacek edhe Haradinajt ia përkujton Demarkacionin duke thënë ” Siç dihet mirë është ratifikimi i shpejtë i marrëveshjes së demarkacionit kufitar me Malin e Zi nga ana e Kuvendit.”

Më tej shton se rruga e Kosovës në BE duhet të intensifikohet, për shembull duke zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si dhe Agjendën Evropiane të Reformës.

“Sa i përket marrëdhënieve me Serbinë fqinj, gjej faktin se Lista Srpska ka votuar për ish-Udhëheqësin e UÇK-së Ramush Haradinaj si Kryeministër një sinjal pozitiv për vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë: “Realizmi” është gjithashtu çfarë kërkon presidenti serb Vuçiç, kështu që shpresoj se përparimi në rrugën e tij!” përfundon deklaratën Lunacek.ImageHaxhi Avdyli deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) ka thënë se Kosova tashmë është në harresë të miqve tanë evropian dhe Amerika, duke aluduar në faktin e mos urimit ndaj zgjedhjes së Ramush Haradinajt në postin e Kryeministrit.

“Kosova ka kaluar përfundimisht në harresë politike të miqve tanë më të mëdhenj Evropian e Amerikan. Ata s’po duan të identifikohen as me urime me klasën politike të përfolur për afera dhe aktakuza. Ky është lajm i keq për perspektiven euroatlantike të Kosovës” ka thënë deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli.ImageE politologu Mentor Tahiri ka thënë për “Bota sot” se mungesa e urimeve për zgjedhjen e kryeministrit të ri, është shqetësuese dhe duhet të shërbejë si një alarm për mos perceptimin serioz të Kosovës nga ana fqinjëve në radhë të parë, por edhe të komunitetit ndërkombëtarë në tërësi.

“Mungesa e urimeve sigurisht vjen edhe për faktin se zgjedhja e kryeministrit të ri vjen në një distancë kohore relativisht të papranueshme nga vetë data e mbajtjes së zgjedhjeve. Natyrisht, ky boshllëk në relacionet e Kosovës me komunitetin ndërkombëtarë ka të bëjë me degjenerimin e skenës politike në Kosovë. Është e qartë se përtej të qenurit produkt i rezultatit të zgjedhjeve, kabineti i porsazgjedhur qeveritar më shumë i ngjan një orkestrimi të interesave të shumëfishta klanore dhe etnike në Kosovë”.

Elementet klanore

Sipas Tahirit se elemente klanore ka, kjo shihet qartë në mënyrën se si janë përzgjedhur pesë zëvendëskryeministra, nga të cilët së paku njëri vjen nga qarqe politikisht joformale të cilat as që ishin pjesë e procesit elektoral. Një qeveri e tillë nuk mund të merret shumë seriozisht së paku në këtë fazë.

Gjithsesi nuk përjashtohet mundësia që një punë eventuale pozitive e këtij kabineti, të imponojë një trajtim më serioz të tij nga ana e komunitetit ndërkombëtarë. Në këtë drejtim është herët të komentohet më shumë.

“Ajo që kemi parë deri tani është një vendim lidhur me komisionin për demarkacionin e kufirit me Malin e zi. Në realitet ky vendim i ngjan më shumë një hapi ceremonial drejtuar opinionit publik, por pa ndonjë efekt real. Vendimi për Demarkacionin duhet të merret në Kuvend, pra aty ose të pranohet ose të hidhet poshtë. Por kjo është vetëm një nga sfidat vërtetë të rënda me të cilat do të përballet kjo qeveri. Ende nuk dihet qartë cilat janë kompromiset prapa perdeve të cilat sollën Listën Srpska në këtë formacion qeveritar, por kam frikë se mund të jenë arritur kompromise të tilla ashtu që për çdo relacion me komunitetin ndërkombëtarë, do të duhet një lloj konfirmimi nga ana e Serbisë” ka thënë politologu Tahiri.

Sipas tij bëhet fjalë qoftë për Beogradin zyrtar, qoftë për “përfaqësuesit” e tij brenda institucioneve të Kosovës. Tani që çdo vota e Listës Srpska është përcaktuese për mbijetesën e kësaj qeverie, kryeministri i ri do ta ketë shumë të vështirë të çajë këto pengesa, ndërkohë që opozita në Kuvend është më e fuqishme se asnjëherë, pa harruar këtu faktin se në kuadër të saj gjenden deputet të cilët kanë fituar mbi 55% të votës popullore në Kosovë, si dhe mbi 60% të votave shqiptare.ImageDilemat e arsyeshme

Kurse analisti Skender Zogaj ka thënë se formimi i Qeverisë Haradinaj ndodhi në rrethana tepër të veçanta dhe me një varg enigmash, të cilat do te duhet të kaloje kohë bukur e gjate që të mund të dihet brendia e zhvillimeve dhe e ndikimeve që e kanë krijuar këtë realitet.

“Mendoj se hezitimi i bashkësisë ndërkombëtare, është një dëshmi se, edhe ajo ka dilemat e saja, prandaj, edhe kanë munguar urimet që zakonisht janë të shumta në rastet e ndryshimeve qeveritare te vendeve te ndryshme. Mirëpo, unë mendoj se, urimet nuk kane munguar, bile disa prej tyre janë optimale dhe shumë të forta. E kam parasysh vizitën e ambasadorit amerikan Delavie, i cili i pari, në ditën e marrjes së detyrës, e ka vizituar Kryeministrin Haradinaj dhe ia ka uruar detyrën, duke e vlerësuar si shenjë shumë pozitive kapërcimin e bllokadës dhe formimin e Qeverise, të cilën e ka porositur që të jetë sa më shumë aktive sepse Kosova ka humbur shumë kohë dhe duhet të shpejtojë” ka thënë Zogaj.

Sipas tij, ambasadori amerikan ia ka shprehur edhe përkrahjen e vendit të tij, duke ia përkujtuar kryeministrit Haradinaj detyrat prioritet që i ka të porositura nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht duke e përshëndetur përfshirjen e serbëve në Qeverinë e Kosovës. Qeverinë e Kosovës e ka përgëzuar edhe BE-ja, zonja Lunacek, pastaj ambasadori britanik etj., Kur jemi te përshëndetjet nga bashkësia ndërkombëtare, ato nuk kanë të bëjnë asgjë me përbërjet e qeverive, por janë shprehje e raporteve ndërshtetërore dhe e kurtuazie domethënëse nga pikëpamja e qëndrimeve politike e diplomatike, që kanë edhe kuptime sinjalizuese të disponimeve për forcimin e ndërlidhjeve bashkëpunuese.

“Kosova është në agjendën ndërkombëtare si vendi që duhet të ndihmohet, dhe, me ose pa shumë urime, Qeveria Haradinaj do ta ketë përkrahjen ndërkombëtare, normalisht, nëse do të jetë bashkëpunuese e mirë” ka përfunduar analisti Skender Zogaj./botasot/