Maskat e reja të “disinformacija”-s

Maskat e reja të “disinformacija”-s

SHPËRNDAJE

Nga lojë spiunësh, disinformacioni është shndërruar në instrument të fuqive financiare, që e përdorin për të destabilizuar kuadrin e përgjithshëm gjeopolitik. Instrumenta komunikimi të fuqishëm, prapa të cilëve megjithatë nuk qëndrojnë më hijet e spiunëve të vjetër, agjentëve të KGB-së – apo versioni perëndimor i CIA-s – por ato më pak romantike dhe aventuriere, ndonëse paradoksalisht më misterioze, të spekulantëve, financierëve që manipulojnë informacionin për të nxjerrë, prej kësaj, fitime në dimensione të vështirë për t’u imagjinuar

Disinformacija, dizinformim… në gjuhën ruse. Termi merr një domethënie më komplekse, e nëse duam ta themi, më të …plotë. Sidoqoftë, ka nuanca që na çojnë tek Revolucioni i Tetorit, tek vitet e gjatë të Luftës së Ftohtë – i ashtuquajturi “shekulli i shkurtër” sipas Hobsbaune – tek romanet e Le Carre, tek filmat e spiunazhit… Dhe kjo sepse “disinformacija” ishte lartësuar, në BRSS, duke u shndërruar në një shkencë të vërtetë, ose më saktë në teknikë me anë të cilës të çorientoje kundërshtarin, të fusje në krizë siguritë e tij, t’i dobësoje vendosmërinë.
Dhe natyrisht, t’i shkatërroje imazhin. “Shpifni, shpifni… diçka do të mbetet…” thuhet të jetë shprehur vetë Lenini. Një frazë për të cilën ka dyshime që ka dalë nga goja e tij, por që gjithësesi pasqyron një vizion ideologjik për të cilin nuk ekziston e vërteta e fakteve, por kjo është gjithmonë relative, e kushtëzuar prej interpretimit funksional që dikton ideologjia.
Dhe BRSS, që ishte promotori i ideologjisë marksiste-leniniste, në artin e disinformacija-s ishte për një kohë të gjatë mjeshtre, duke shfrytëzuar gjithmonë me zgjuarsi dhe në mënyrë aspak skrupuloze “simpatitë” ideologjike të intelektualëve të perëndimit kapitalist. Simpati që bëheshin gjithnjë e më të forta, duke shtyrë bijtë e borgjezisë europiane – ndonjëherë dhe asaj amerikane – që të përqafonin pa kushte kauzën e revolucionit, që pastaj në fund përkthehej në interes të Moskës. Dhe ky “sugjestionim” shkonte që nga paaftësia për të parë gjërat ashtu si ishin – e këtu i hapet rrugë apologjisë së Vietkongëve, Kmerëve të Kuq, Revolucionit kulturor Maoist si dhe regjimeve të tjerë të tmerrshëm – deri tek “spiunazhi i vetëdijshëm për armikun”. Deri tek tradhëtia e pastër, si ndodhi në rastin e Philbyt, Burgessit dhe bij të tjerë aristokratë të Oxbridge që u bënë spiunë të KGB-së dhe që “hodhën në erë” shërbimin e fshehtë britanik. Fushata rekrutimi dhe opinioni që Perëndimi, fronti tjetër, u përgjigjej goditje pas goditjeje, i pajisur jo me një kohezion ideologjik, por më shumë me një “vizion për jetën”, një model social i cili në fund rezultoi fitues. Një “fuqi e butë” më pak pushtuese por që, po ta shohësh mirë, shumë më e lehtë dhe në gjendje të fitojë mendje dhe zemra. Pastaj, se si përfundoi Lufta e Ftohtë, kjo dihet.

Kjo, natyrisht është histori, ose më mirë një tërësi historish tashmë të vjetra, që pothuajse kanë hyrë në legjendat gazetareske. Por, nyk ka hyrë në histori dhe nuk është harruar instrumenti i disinformacija-s, i cili sot më shumë se kurrë përdoret në shkallë universale, duke shfrytëzuar pikërisht mundësitë e mëdha të komunikimit në këtë “Epokë të Globalizimit”.
Instrumenta komunikimi të fuqishëm, prapa të cilëve megjithatë nuk qëndrojnë më hijet e spiunëve të vjetër, agjentëve të KGB-së – apo versioni perëndimor i CIA-s – por ato më pak romantike dhe aventuriere, ndonëse paradoksalisht më misterioze, të spekulantëve, financierëve që manipulojnë informacionin për të nxjerrë, prej kësaj, fitime në dimensione të vështirë për t’u imagjinuar. Në gjendje të trondisin shtete, të shembin sisteme shtetërorë, të nxisin “revolucione” – pak a shumë të ngjyrosur – apo edhe luftëra, vetëm sepse interesat e tyre do të favorizoheshin prej këtyre trazirave. Ose, më thjeshtë, sepse një gjendje ndërkombëtare në çekuilibër dhe me tensione do të favorizonte ato qendra të pushtetit ekonomik që nuk prodhojnë asnjë pasuri reale, por që shfrytëzojnë rastësinë e instrumentave të rinj telematikë për të luajtur, me kapitale vetëm nominalë, në skenën globale, a thua bëhet fjalë për një lojë të madhe “Monopoly”.
Shembuj nga historia, ose më saktë nga kronika e kohëve të fundit mund të nxirren shumë. “Pranverat arabe” mbi të gjitha. Mediat që i paraqisnin si lëvizje madhështore dhe të lumtura të popujve për demokraci, kundër diktatorëve të përgjakshëm dhe të korruptuar… Perëndimi, opinioni ynë publik i besoi, dhe duartrokiti dëbimin e “Ben Alive dhe Mubarakëve”, duke mbyllur sytë madje edhe përpara kufomës së Gedafit. Pastaj, siç e dimë mirë të gjithë… heshtje. Heshtja mediatike, madje heshtja edhe e vetë Internetit, që aq shumë e kemi mitizuar. Dhe përtej kësaj “perdeje të re prej hekuri”, precipitimi i Maghrebit dhe Lindjes së Mesme në kaos, shfaqja e regjimeve të tjerë, të tillë që të bëjnë të zbutet kujtimi i atyre të kaluar, luftëra civile, masa imigrantësh të dëshpëruar që vijnë drejt brigjeve tanë. Askund nuk duket as hija e një demokracie moderne – ndoshta përveç Tunizisë – apo e një liberalizimi të zakoneve, të një drejtësie sociale apo shteti të së drejtës… Megjithatë, dikush ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë përfitime nga e gjithë kjo, jo vetëm duke pushtuar “fetat” e reja të tortës së madhe të gazit dhe naftës, por mbi të gjitha edhe duke i manipuluar tregjet me këto ulje-ngritje që shkakton pasiguria e përgjithshme në një zonë kritike për ekonominë dhe ekuilibrat e globit. Dhe shembuj të tjerë mund t’i nxjerrim nga e kaluara, jo shumë e largët. Bosnja, Kosova sa për të përmendur disa. Dhe besojmë se gjëja më e vështirë është të nxjerrim llogarinë, se sa kanë kushtuar ato fushata Disinformacija mediatike që janë përkthyer në zhvillime politikë dhe gjeopolitikë. Sa kanë kushtuar në terma njerëzorë dhe të përgjithshëm.

Tani, projektorët e informacionit / disinformacionit janë drejtuar nga kriza e re Rusi-SHBA. Nuk kemi më shpirtin e tifozëve dhe jetojmë në një epokë post-ideologjike. Kështu që nuk shohim arsye të përqafojmë një kauzë apo një tjetër. Vetëm si kronistë të ngjarjeve gjeopolitike, kufizohemi të vërejmë dhe rregjistrojmë se si është vënë dhe vazhdon të vihet në zbatim një fushatë “informacioni” botëror, e cila synon të nxisë krizën dhe të vërë më shumë në dukje konfliktin mes Rusisë dhe Perëndimit, apo nëse duam ta thjeshtësojmë, mes Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë.
Informacione të rremë apo “pakëz të rremë”; demonizim i kundërshtarit; rithirrje e shpirtërave të Luftës së Ftohtë. E gjithë kjo synon t’i bëjë gjithnjë e më të tensionuara marrëdhëniet ndërkombëtare, pavarësisht se ndërthurja e interesave dhe lidhjeve mes Rusisë dhe SHBA do i bënte sot realisht të pamendueshëm skenarët e Luftës së Ftohtë. E megjithatë, dikush, duke zgjuar këto fantazma po fiton përsëri. Në dëm të të shumtëve. Në dëm të popujve të tërë. Duke theksuar kështu, një krizë të përgjithshme dhe epokale, për zanafillën e të cilës duhet të reflektojmë më thellë. Sepse edhe aty duket se shtrihet hija e Disinformacija-s. /Il Giornale – Bota.al