MALI I ZI, I AKUZUARI PRANON SE ISHTE PLANIFIKUAR ARRESTIMI DHE VRASJA...

MALI I ZI, I AKUZUARI PRANON SE ISHTE PLANIFIKUAR ARRESTIMI DHE VRASJA E GJUKANOVIQ

SHPËRNDAJE

Në Gjykatën e Lartë në Podgoricë sot në mëngjes ka vazhduar gjykimi për planifikimin e sulmeve terroriste në Mal të Zi në ditën e zgjedhjeve parlamentare. Një nga 14 të akuzuarit, Milosh Jovanoviç, ka mohuar akuzën dhe deklaroi se atë ditë ishte planifikuar marrja e institucioneve dhe arrestime, ose vrasja eventuale e ish kryeministrit Milo Gjukanoviç, raporton (AA).

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 16 tetor 2016 në Mal të Zi është parandaluar grusht shteti. Sipas prokurorit Milivoje Kantiç, në mbrëmjen e mbajtjes të zgjedhjeve parlamentare ishte planifikuar hyrja në Kuvend si dhe arrestimi dhe likuidimi i ish-kryeministrit malazez Milo Gjukanoviç.

Kjo u konfirmua në seancën e sotme gjyqësore nga një prej 14 të akuzuarve të këtij rasti, shtetasit serb Milan Jovanoviç. Ai tha se në Mal të Zi kishte ardhur më 18 tetor, pasi Aleksandar Singjeliç, i cili është dëshmitar bashkëpunëtor, nga ky ka kërkuar që në rrugën “Voislav Grujiç” në aeroportin e vjetër të Podgoricës, të rrënojë ndërtesën me mjete piroteknike dhe koktej molotovi, të cilën nuk e ka bërë.

“Duhet të them se këtë kam dashur ta bëjë për para, por sigurisht se ndërtesën nuk do ta djegia”, tha Jovanoviç.

Ai tha se për përmbushjen e këtij detyrimi ka marrë 500 euro nga Singjeliç.

“Ai më fliste për revolucion, edhe pse e dija se kjo ishte punë e kotë, prandaj nuk desha të shkoj. Revolucion, përmbysje e qeverisë – për këtë më fliste, kjo duhej të ndodhte këtu në Mal të Zi, pikërisht në Podgoricë”, tha Jovanoviç.

Sipas tij, Singjeliç i ka thënë se revolucioni duhej të ndodhte më 16 tetor.

“Duhet të merrnim ndërtesën e policisë, që të lehtësohej hyrja në Kuvend, këtë e kam dëgjuar dhe të arrestohet (Milo) Gjukanoviç, ndoshta për t’u vrarë. Çfarë të bëj tani, jam zhytur shumë thellë”, tha Jovanoviç.

Ai gjithashtu tha se nuk i njihte udhëheqësit e Frontit Demokratik Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç, të cilët gjithashtu janë të akuzuar në këtë rast.

Jovanoviç gjithashtu ka thënë se Singjeliç ka kërkuar nga ai që kur të vinte në Podgoricë të veshë uniformë policore malazeze më 16 tetor dhe të zihet me policinë nëse Gjukanoviç fiton zgjedhjet.

“Ky ishte një opsion që nuk e pranova. Me Singjeliç atë ditë isha në zyrën e sigurisë ‘Soko’ në Beograd, kur ai kërkonte 50 djem të rinj, të fuqishëm të cilët do të vishnin uniformat e policisë malazeze dhe do të përlesheshin”, tha Jovanoviç.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale përveç Jovanoviç, janë përfshirë edhe dy shtetas rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, shtetasit serbë Milosh Jovanoviç, Nemanja Ristiç, Predrag Bogiçeviç, Kristina Hristiç, Branka Miliç, Milan Dushiç, Dragan Maksiç, Sërboljub Gjorgjeviç.

Në aktakuzë përfshihen edhe tre shtetas malazezë – krerët e Frontit Demokratik Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç si dhe shoferi zyrtar i FD Mihailo Çegjenoviç.