Kosovë, mungon Lista Serbe, shtyhet votimi i qeverisë

Kosovë, mungon Lista Serbe, shtyhet votimi i qeverisë

SHPËRNDAJE

Kuvendi i Kosovës është mbledhur pasditen e së shtunës për të votuar qeverinë e re që do të udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Në fjalën e tij, Haradinaj ka prezantuar prioritetet e kabinetit të tij, që do të jenë: forcimi i rendit dhe ligjit, anëtarësimi në NATO, integrimi, dialogu me Serbinë.

“Kosova sot rrezikohet nga rreziqe të reja e të vjetra, ndaj asaj i duhet së pari siguri e brendshme, forcim i rendit dhe shtetit ligjor. Vetë Kosova do të ndihet e sigurtë vetëm me anëtarësimin në NATO dhe ne do të punojmë për ta çuar drejt NATO-s. Anëtarësimi në organizmat ndërkombëtare është vështirësuar, por ne do të punojmë edhe për këtë. Ne do punojmë në kohë rekord për implementimin e MSA-së dhe do të marrim statusin e vendit kandidat. Gjithashtu, ne do të forcojmë miqësinë me Shtetet e Bashkuara, një miqësi e përhershme dhe jo vetëm për kohë të vështira. Sa për rajonin, dialogu me Serbinë nuk ka alternativë”, ka thënë Haradinaj.

Më tej, duke premtuar se do të jetë kryeministri i të gjithëve, përfshirë pakicat, Haradinaj u është drejtuar atyre në serbisht.

Fjalimi i kreut të AAK-së është pasuar nga ai i përfaqësuesit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili ka kërkuar një mocion të menjëhershëm për votimin e qeverisë.

“Programi i qeverisë ishte i shkurtër sepse ishte i varfër. E meqenëse është kështu dhe mësuam emrat, propozoj që le të dalë qeveria Haradinaj në votë, tani dhe këtu. Ne kërkojmë një mocion”, ka thënë Konjufca.

Nga LDK, deputeti Avdullah Hoti ka mbështetur nismën e Vetëvendosjes, por në mungesë të deputetëve të Listës Serbe, drejtuesi i seancës Kadri Veseli ka vazhduar seancën me debat dhe më pas me një ndërprerje 15 minutëshe. /tch/

Kabineti i Haradinaj:

Kryeministër: Ramush Haradinaj

Zv.kryeministër i parë: Behgjet Pacolli

Zv.kryeministër: Enver Hoxhaj

Zv.kryeministër: Fatmir Limaj

Zv.kryeministër: Dardan Gashi

Ministër i FSK-së: Rustem Berisha

Ministër i Financave: Bedri Hamza

Ministër i Shëndetësisë: Uran Ismaili

Ministre e Integrimit: Dhurata Hoxha

Ministër i Punës dhe Mirëqënies: Skënder Çiça

Ministër i Tregtisë: Bajram Hasani

Ministër i Jashtëm: Behgjet Pacolli

Ministre e Mjedisit: Albera Reshitja

Ministër i Diasporës: Dardan Gashi

Ministër për Administratën: Ivan Teodosjeviç