Kolegu i gjyqtares së vrarë: Fajin e ka Drejtësia?!Lepuri fle tjetërkund e...

Kolegu i gjyqtares së vrarë: Fajin e ka Drejtësia?!Lepuri fle tjetërkund e shijohet nga tjetërkush

SHPËRNDAJE

Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi në mes të Tiranës, ditën për diell nga ish-bashkëshorti i saj ka shkaktuar indinjatë të madhe mes kolegëve të saj.

Ditën e djeshme, Unioni i Gjyqtarëve, i Prokurorëve por edhe gjyqtarë kanë reaguar për ngjarjen e rëndë, duke dënuar krimin dhe ngushëlluar familjen.

Me tone të ashpra ka reaguar gjyqtari Artan Lazaj, i cili e quan vrasjen falimentim të shtetit. Duke iu përgjigjur kritikave mbi drejtësinë, Lazaj shkruan se lepuri fle tjetërkund.

“Sot ka falimentuar edhe ai pak shtet që kishim. Falimentim i plotë i Policisë dhe sistemit të vuajtjes së dënimit. Kur ndodh kjo me një nga shtresat më të nderuara të shoqërisë imagjino për shtresat e thjeshta. Fajin e ka Drejtësia?!Lepuri fle tjetërkund e shijohet nga tjetërkush. Duhet revolucion i vërtetë e jo nga këto ‘revolucionet’ që trumbetohen sot. U prehsh në paqe mikja dhe kolegia jonë”, shkruan ai.

39-vjeçarja Fildes Hafizi, gjyqtare në Shkodër u vra dje nga ish-bashkëshorti i saj Fadil Kasemi, me të cilin ishte divorcuar prej dy vitesh. 53-vjeçari kishte tentuar edhe më parë ta vriste gjyqtaren në prani edhe të dy fëmijëve të mitur, por ishte dënuar për armëmbajtje dhe dhunë në familje dhe ishte liruar pas 11 muajsh burg.