Katalonja do pavarësi, të hënën protestë

Katalonja do pavarësi, të hënën protestë

SHPËRNDAJE

Referendumi për pavarësinë e Katalonjës do të zhvillohet pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Spanjës për bllokimin e tij.

Të hënën, në ditën kombëtare të Katalonjës, qindra mijëra mbështetës të pavarësisë pritet të zbresin në rrugët e Barcelonës në një demonstrim force, duke i trazuar ujërat akoma më shumë.

E gjithë kjo, thotë ish-ministri i Jashtëm i Spanjës, njëkohësisht ish-sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, tingëllon si recetë për një krizë të paparashikuar dhe kaotike që kërcënon ta shtyjë vendin drejt territoresh të pashkelura më parë.

Situata ka dalë jashtë kontrollit, është komenti i Solanës për “Neë York Times”; nuk jemi më ne një situatë të zakonshme konflikti ku politikanët hahen me njëri-tjetrin, por të paktën i respektojnë rregullat e lojës.

Në asnjë vend të BE-së, kujtojnë analistët, rajonet nuk kanë kaq shumë të drejta autonomie sa në Spanjë. Meqenëse me përjashtim të kërkesës për para, ato nuk kane çfarë të pretendojnë më tepër, në fund u mbetet vetëm dëshira për një shtet të vetin.

Baskët, u përpoqën për disa vjet ta arrinin një gjë të tillë dhe dështuan. Tani është Katalonja që po tenton një lloj grushti të fortë shteti. Referendumi është parashikuar të mbahet në 1 tetor pa asnjë garanci të shtetit juridik. Ligjet e miratuara në mes të javës për të në Parlamentin rajonal konsiderohen antikushtetuese, siç e konfirmoi menjëherë edhe Gjykata më e lartë në Madrid, ndërsa vetë dokumenti themeltar spanjoll nuk parashikon votime rajonale për shkëputje nga pjesa tjetër e vendit./tch/