Gazetarja: Ç’ndodhi mes ish-burrit dhe gjyqtares para se ta qëllonte me plumb...

Gazetarja: Ç’ndodhi mes ish-burrit dhe gjyqtares para se ta qëllonte me plumb në kokë (VIDEO)

SHPËRNDAJE

Gjyqtarja e Shkodrës, Fildez Hafizi, e cila u vra dje nga ish-burri i saj në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë ndihej e rrezikuar gjatë gjithë kohës. Ish-burri i saj Fadil Kasemi e përndiqte vazhdimisht 38-vjeçaren, sidomos pas tentativës për ta vrarë dy vite më parë në plazhin e Golemit.

Në rubrikën “Opinion” në “News24”, gazetarja Klodiana Lala rrëfen detaje të tjera nga ngjarja e rëndë, ku nëna e dy fëmijëve u vra me një plumb në kokë nga ish-burri i saj.

Referuar dëshmive të personave të pranishëm në vendngjarje, por edhe hetimeve paraprake të policisë, gazetarja Klodiana Lala thotë se Fadil Kasemi e ka pritur për një kohë shumë të gjatë bashkëshorten e tij ditën e djeshme, e cila ka qëndruar më shumë se një orë në sallonin e bukurisë para të cilit e vrau.

Sapo ka dalë nga salloni, gruaja ka parë ish-burrin e saj, dhe duke parandjerë rrezikun, ka nxituar të hipë në makinë. Por Fadil Kasemi i është afruar me shpejtësi.

Mësohet se fillimisht ai i ka folur dhe ka tentuar të hipë në makinë, por pasi nuk ka mundur, e ka qëlluar atë me një plumb në kokë, nga xhami i pasagjerit.

Pas kësaj, ai ka tentuar të largohet, por është kapur nga forcat e policisë.

Gazetarja Klodiana Lala thotë se i arrestuari Fadil Kasemi nuk ka pranuar të flasë para prokurorit, duke u shprehur se do të flasë vetëm para gjykatësve.

Sakaq, prokurorët kanë sekuestruar dje celularin e gjykatëses me qëllim për të marrë të gjithë faktet, nëse ka patur apo jo kontakte me ish-bashkëshortin e saj, apo nëse ai e ka kërcënuar së fundmi.