Fqinja e gjyqtares së vrarë: Ish-burri i kishte zënë rrugën pak ditë...

Fqinja e gjyqtares së vrarë: Ish-burri i kishte zënë rrugën pak ditë më parë, ç’më rrëfeu Fildesi

SHPËRNDAJE

“E respektonte e gjithë lagjja. I dija problemet e saj dhe gjithnjë e mbështesja. E takova para pak ditësh. E pyeta edhe për ish-burrin. Më tha ‘Jam e frikësuar’”.

Kështu deklaroi dje, një prej fqinjave të gjyqtares. Duke mos dashur të identifikohej me emër, ajo rrëfeu se shkonte shumë mirë me Fildesin, ku kujtoi edhe bisedën e fundit që kishte bërë me të.

“Jetoj këtu pranë, jam në një lagje me të. Para pak ditësh e takova. Po flisnim për pushimet dhe për përgatitjet që ajo do të bënte për të çuar fëmijët në shkollë. M’u duk e shqetësuar. E pyeta se çfarë kishte, por nuk donte të më tregonte. E pyeta për ish-burrin, për atë që sot i mori jetën dhe la fëmijët rrugëve. Më tha se ishte e frikësuar. Të dielën i kishte zënë rrugën dhe ishin zënë. I kishte kërkuar që të ktheheshin bashkë, por Fildezi nuk pranonte. Ishte e përkushtuar vetëm te fëmijët e saj. I thashë të kishte kujdes nga ai njeri. Sot (dje) u trondita kur mora vesh për ngjarjen. Ai burrë nuk e meritonte të kishte një grua si ajo”, – tha fqinja e gjyqtares, së cilës i dridhej zëri gjatë gjithë bisedës së bërë me të./GSH/