EKIPI / Kush janë ndihmësit që e bëjnë Merkelin pothuaj të pamposhtur?

EKIPI / Kush janë ndihmësit që e bëjnë Merkelin pothuaj të pamposhtur?

SHPËRNDAJE

Objektivi tani është që të shtrëngojë dhëmbët dhe të vazhdojë të buzëqeshë deri në 24 shtator. Pas kësaj date, do të jenë votat e dhëna prej votuesve gjermanë për Angela Merkelin, që do të përcaktojnë se si kancelarja do të ketë marrë një mandat të katërt, dhe me kë mund ta formojë qeverinë. Sondazhet e fundit, duke filluar nga Insa/YouGov vazhdojnë të nxjerrin Cdu (37%) në avantazh të fortë ndaj Spd (24%) që udhëhiqet nga Martin Schulz. E megjithatë, siç shkruan me të drejtë Financial Times, as edhe strategët e partisë nuk janë të sigurtë për fitoren, dhe tremben se mos shumë simpatizantë të frontit të moderuar, të dembelosur prej triumfit të parashpallur, do të përfundojnë duke ndenjur në shtëpi, duke e paralizuar kështu në mënyrë të beftë Merkelin. Një incident i vogël elektoral ka kujtuar se optimizmi i tepruar mund të dëmtojë: e ftuar nga kryebashkiaku i Brandeburgut mbi Havel (i Cdu-së) që të hipte bashkë me të në skenë, Merkeli u kontestua me fërshëllima dhe megafonë. E bënë një grup kontestuesish të të djathtës ekstreme: i pari i neonazistëve të Npd, i dyti i ksenofobëve të Alternative fuer Deutschland. Dy pakica kunër establishmentit, që janë të vogla, por të zhurmshme, në gjendje që me tabelat e tyre mbi “etnocidin kundër popullit gjerman”, të prishin festën në shesh.

Kjo është arsyeja përse edhe Cdu, për herë të parë, ka nisur të nxisë menjëherë votimin me postë: më mirë që të tërhiqet menjëherë elektorati i shpërqëndruar. E mundur të imagjinosh që ideja e shtrëngimit të poltronave ka lindur në grupin e ngushtë të këshilltarëve të udhëheqëses gjermane. Falë tyre, kancelarja të jep përshtypjen se Gjermania udhëhiqet e vetme, ndërsa ajo vetë qëndron një hap prapa, duke ndërhyrë vetëm atëherë kur duhet dhe pa e ngritur zërin. Mes të dyshuarve të parë janë Peter Altmaier dhe Beate Baumann. I pari, i lindur në 1958, është shefi i kabinetit i kancelerisë federale në epokën Merkel III. Tashmë Ministër i Mjedisit në kohën e Merkel II dhe më herët kreu i grupit të Cdu në Bundestag, Altmaier gëzon një besim të tillë nga ana e kancelares, saqë ka marrë edhe detyrën e koordinimit të shërbimeve sekrete. E pakënaqur, në kulmin e krizës së refugjatëve, Merkeli i ka besuar edhe koordinimin e të gjithë aktiviteteve federale në lidhje me emergjencën e të ardhurve, duke ia hequr ministrit të brendshëm De Maiziere: për pritjen e tyre Cdu ishte e ndarë më dysh dhe udhëheqësja nuk i besonte askujt tjetër.

 

Eshtë e ditur që, përtej të gjithë detyrave, Altmaier ka marrë edhe një mandat nga Cdu, që të merret me fushatën elektorale. Transparenca administrative në fuqi në Gjermani, bën që asnjë punonjës publik të mos punojë për partinë pa një detyrë të qartë, të drejtpërdrejtë dhe të mirëpërcaktuar. Bëhet fjalë për të mos i vjedhur kohë detyrës kryesore, duke mbajtur gjithmonë të ndara shtetin dhe partinë. Një dallim që mund të na bëjë të buzëqeshim, por që në Gjermani vlen për të gjithë: vetë kancelarja nuk merret me Cdu-në, kur nuk ndodhet në selinë e partisë. I vetmi person ndoshta i lirë nga kjo gjë është Baumann. E lindur në 1963, Baumann, shefja e zyrës së kancelerisë, pranohet nga shumëkush si një nga personat më pranë Merkelit. Në krah të Merkelit, Baumann punon nga viti i largët 1998, dhe sipas një profili të fundit të botuar nga Dominique Eigenmann, korrespondent i Tages Anzeiger në Berlin, znj. Beate (nuk është vetëm e besuar e Merkelit, por edhe strategia e saj politike, konsulente dhe spin doctor-i i saj më i rëndësishëm. Eshtë një projektuese, një konsulente, një kritike, një filtër dhe një sistem alarmi në të njëjtën kohë”. E vërtetojnë mesazhet e shkëmbyera  mes të dyjave, sa herë që kancelarja ndodhet jashtë vendit, fakti që zyra e Baumann ndodhet në një kat me atë të Merkelit dhe ajo rri gjithnjë hapur, si dhe fakti që Baumann është gjithmonë e pranishme në takimet e kancelares.

 

I rëndësishëm është edhe roli i Eva Christiansen, këshilltare për komunikimin e Merkelit. Edhe Christiansen merret me Cdu-në: e zbuloi “Velt am Sonntag”, duke shkruajtur se drejtuesja 46-vjeçare ka edhe një detyrë që mbulon në parti, ku paguhet me një pagë minimale prej 450 eurosh në muaj.

Një prej kritikave që i bëhet më shpesh Angela Merkelit është ajo, që kancelarja është një administratore e madhe, por një udhëheqëse pa strategji. E tregon edhe profili i këshilltarëve të saj, ipas kritikëve: për ekonominë, për shembull nuk është më Jens Veidmann, që në 2011 u promovua në drejtim të Bundesbankut, ashtu sikurse këshilltar për marrëdhëniet me jashtë gjendet Christoph Heusgen, i konsideruar një takticien në krahasim me gjenialitetin strategjik të Horst Teltschik, i cili kish qenë këshilltar për sigurinë në kohën e Helmut Kohlit, dhe më pas president i Konferencës së Sigurisë të Mynihut.

Megjithatë, ka nga ata që nuk ndajnë mendimin për një kanceleri pa vizion. “Kush thotë se Angela Merkeli është në gjendje të marrë vetëm vendime taktike, gabon”, shpjegon Michael Volffsohn, profesor i historisë moderne në Universitetin e Bundesvehrit në Mynih. “Në vitin 2008 u angazhua të shpëtojë unitetin e Eurozonës, edhe duke iu kundërvënë parimeve të Mastrihtit; në vitin 2011 vendosi kthesën energjetike me braktisjen e bërthamores; dhe në 2015 vendosi pranimin e afro 1 milion refugjatëve që largoheshin nga Lindja e Mesme”.

Një kapacitet udhëheqës i pamohueshëm, shton profesori, që kancelares ia njeh aftësinë për të menduar dhe vepruar taktikisht, por “që është edhe një njeri që di të marrë vendime strategjike me shpejtësi të madhe. Nuk arrij të mendoj për një kancelar të vetëm që ka marrë kaq shumë vendime strategjike”. / Il Foglio – Përgatiti: Bota.al