Bilanci i uraganit: 58 të vdekur në Karaibe dhe SHBA

Bilanci i uraganit: 58 të vdekur në Karaibe dhe SHBA

SHPËRNDAJE

Të paktën 18 persona në Shtetet e Bashkuara dhe 40 të tjerë në ishujt e Karaibeve kanë mbetur viktima të Uraganit Irma duke e çuar bilancin e vdekjeve deri më tani në 58.
Teksa stuhia është zbutur, të evakuuarit po i rikthehen skenave të shkatërrimit në ishujt Florida Keys, ku çereku i shtëpive tashmë janë të pabanueshme.
Pamjet më të fundit tregojnë shtëpitë e shkatërruara pasi stuhia goditi rajonin me erëra që shkonin deri në 192 km/h. Skuadrat e kërkimit dhe shpëtimit po lëvizin tashmë në zonat më të prekura për të shpërndarë furnizime emergjente me ushqime dhe ujë.
Rreth 90,000 banorë që po rikthehen në Florida Keys dhe Miami Beach janë paralajmëruar për mungesën e shumë shërbimeve, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga uragani. Ndërkohë, rreth 6,9 milionë shtëpi në Florida, Xhorxhia, Karolinën Veriore dhe Jugore dhe Alabama kanë mbetur pa energji elektrike.
Presidenti Donald Trump pritet të vizitojë Floridën gjatë ditës së enjte për të parë më nga afër dëmin e shkaktuar nga stuhia në këtë shtet.
Ky do të jetë udhëtimi i tretë në dy javë, që presidenti zhvillon në shtetet e prekura nga uraganët Harvey e Irma.
Ndërkaq, një tjetër uragan në Atlantik, i njohur me emrin Jose, pritet të kalojë gjatë kësaj jave në disa ishuj tashmë të shkatërruar nga uragani Irma.
/Oranews.tv/