Zbulohet shkaku pse komunat e BDI-së asfaltojnë rrugët një muaj para zgjedhjeve!

Zbulohet shkaku pse komunat e BDI-së asfaltojnë rrugët një muaj para zgjedhjeve!

SHPËRNDAJE

Ekspertët për ndërtimtari dhe infrastrukturë kanë zbuluar shkaqet se pse në komunat shqiptare në Maqedoni, që kryesisht udhëhiqen nga kryetarë të BDI-së, rrugët asfaltohen një ose dy muaj para zgjedhjeve. Sipas tyre, shkaku kryesor është se asfalti që shtrohet në komunat shqiptare është me kualitet të dobët dhe nuk ka afat më shumë se tre muaj.

“Nëse shtrohet asfalti 5-6 muaj para zgjedhjeve, deri në ditën e votimeve ai do të bëhet gropa-gropa dhe qytetarët do ta vërjenë mashtrimin e bërë. Kështu që duke asfaltuar rrugët një ose dy muaj para zgjedhjeve, deri në ditën e votimeve asfalti ende duket ende i ri”, thotë eksperti i kësaj lëmie, Argjend Cana. Ai përmend edhe disa raste në komunat shqiptare ku filloi asfaltimi i rrugëve në fillim të pranverës, por u ndërpre pasi data e zgjedhjeve lokale u shty për 15 tetor.

Analistët politikë, nga ana tjetër, thonë se qytetarët i kanë zbuluar këto mashtrime, prandaj asfalti parazgjedhor nuk sjell më vota.

“Asfalti parazgjedhor është një xhoker që gjatë kohë përdoret nga pushteti. Votuesit shqiptarë e kanë zbuluar këtë mashtrim dhe tentimet për t’i mashtruar ata në këtë mënyrë vetëm se i irritojnë edhe më tepër dhe i nxisin të votojnë kundër pushtetit”, ka deklaruar Sevdail Emini, absolvent i shkencave politike, transmeton Gazeta Lajm.

“Qytetarët do t’i dënojnë kryetarët e komunave që nuk kanë punuar katër vite, e tani një muaj para zgjedhjeve mundohen t’i mashtrojnë me pak asfalt. Ky është nënçmim”, ka theksuar ai.

Një mënyrë tjetër manipulimi në komunat shqiptare është premtimi ose fillimi i projekteve para zgjedhjeve, sa për t’i fituar ato dhe harrimi  deri në zgjedhjet e ardhshme, apo edhe në afat më të gjatë.

“Për dallim prej komunave maqedonase, ku realizohen projekte gjatë tërë mandatit, në komunat shqiptare shtrohet nga pak asfalt një muaj para zgjedhjeve. Ndonjëherë vendoset gurëthemeli i ndonjë projekti, mirëpo ai projekt nuk mbaron kurrë. Shembull të atillë janë autostrada Shkup-Bllacë, vendkalimi Bellanoc-Stançiq, rruga Tetovë-Prizren, si dhe vendkalimi Llojan-Miratoc, i përjetësuar me komentin legjendar të plakut të Llojanit”, thotë Emini.

Ndryshe si pasojë e kësaj politike manipuluese dhe diskriminimit të ashpër buxhetor që i bëhet viseve shqiptare, infrastruktura në komunat me shumicë shqiptare është në gjendje të mjerueshme, kurse për investime në formë të fabrikave, apo investime kapitale nuk bëhet as fjalë. Kryetarët e komunave shqiptare në vend se të kërkojnë mjete nga buxheti, që fundja janë mjete të përbashkëta e jo nga xhepi i tyre, përcaktohen të manipulojnë qytetarët me asfalt të kualitetit të dobët. Kjo strategji e aplikuar vazhdimisht deri më tani, në zgjedhjet e ardhshme do t’u sjellë debakël kandidatëve që kanë qenë deri tani në pushtet. /rle