Turisti rumun vjedh turistin francez në Tiranë, shpallet në kërkim

Turisti rumun vjedh turistin francez në Tiranë, shpallet në kërkim

SHPËRNDAJE

Në një kohë që Policia e Shtetit, që prej fillimit të sezonit turistik, ka vënë në zbatim një plan masash që ka si qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale që mund të dëmtojnë turistët, këta të fundit duket se po dëmtojnë njëri-tjetrin, shkruan “Panorama”.

Parandalimi i krimeve kundër pronës vijon të jetë një prioritet i Policisë, madje, dhjetëra persona janë arrestuar, pasi kanë vjedhur turistët që vizitojnë vendin tonë, kryesisht në bregdet. Por kur Policia punon në këtë drejtim, duke shoqëruar e arrestuar shtetas shqiptar që kryejnë vjedhje në zonat turistike, vetë të huajt bëhen objekt hetimi në mes të Tiranës.

Një ngjarje e tillë ka ndodhur pasditen e së dielës shumë pranë qendrës së kryeqytetit. Një turist francez, që ishte akomoduar prej disa ditësh në një hotel në rrugën “Him Kolli”, që ndodhet mes Rrugës së Kavajës dhe asaj “Myslym Shyri”, është paraqitur në Polici, duke denoncuar se i kishin vjedhur sendet personale.

Burime nga Policia thanë se shtetasi francez, me iniciale S.C., 24 vjeç, ka denoncuar në Komisariatin nr.3, se në ambientet e hotelit i kanë vjedhur 2 aparate fotografik, si dhe një laptop.

Policia ka nisur menjëherë hetimet në lidhje me ngjarjen, duke kryer veprimet e para në ambientet e hotelit, aty ku dyshohej se kishte ndodhur ngjarja.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, Policia ka arritur të identifikojë autorin e kësaj ngjarje, që po ashtu ishte klient i hotelit e njëkohësisht, ashtu si i dëmtuari, edhe ai ishte turist. Burimet thanë se autori i dyshuar i ngjarjes është një shtetas rumun, tashmë i identifikuar dhe i shpallur në kërkim.

Kamerat e sigurisë kanë nxjerrë zbuluar 32- vjeçarin nga Rumania, me iniciale L.O., i cili ende nuk është gjetur nga shërbimet e Komisariatit nr.3, që e kanë shpallur në kërkim dhe po punojnë për kapjen e tij.

“U referuan materialet në Prokurori dhe po punohet për kapjen e shtetasit rumun L.O., 32 vjeç, pasi dyshohet se në rrugën ‘Him Kolli’, në një hotel, i ka vjedhur 2 aparate fotografike dhe 1 laptop shtetasit francez S.C., 24 vjeç”, tha zyrtarisht Policia.