Serbia do të kërkojë lirimin e përkohshëm të Ratko Mlladiç

Serbia do të kërkojë lirimin e përkohshëm të Ratko Mlladiç

SHPËRNDAJE

Qeveria serbe do të kërkojë nga Tribunali i Hagës (ICTY) për krimet në ish-Jugosllavi që të lirojë gjeneralin Ratko Mlladiç në mënyrë që të marrë trajtimin mjekësor në Serbi. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia ruse e lajmeve “Sputnik”, sipas të cilës ekziston rreziku që Mlladiç të kalojë në paraburgimin e ICTY.
“Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të komandantit të kohës së luftës të Republikës Serbe, ministrat serbë janë të vendosur të bëjnë gjithçka që i takon Beogradit për të vepruar shpejt dhe për të parandaluar skenarin më të keq”, njofton agjencia.
Sipas procedurave, me një kërkese të qeverisë serbe, Tribunali mund të kërkojë garancitë e Beogradit që do të lejonin Mlladiç të marrë trajtimin mjekësor atje.
Në këtë rast, ministrat serbë do të lëshonin menjëherë të gjitha garancitë e nevojshme për ICTY, dhe Mlladiç do të merrte së shpejti kujdesin më të përshtatshëm shëndetësor në vendin e tij, tha Sputnik.
Mlladiç deri tani ka pasur dy goditje dhe një sulm në zemër, ndërsa mjekët kanë gjetur gjithashtu se vuajti nga çrregullimi i trurit TIA, i cili mund të çojë në një goditje të re.
Ai u ekzaminua nga mjekët rusë në Hagë më 2015, kur u konstatua se ai “mezi do të ndiqte rrjedhën e gjykimit”.
Gjyqi i gjeneralit Mladiç nisi në Hagë më 16 maj 2012. Ai është akuzuar për gjenocid në Srebrenicë dhe për persekutimin e myslimanëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnje-Hercegovinën.
Përveç se për gjenocid, ai akuzohet për persekutimin, shfarosjen, vrasjet, dëbimet, transferimin me forcë të popullsisë, sulmet e paligjshme ndaj civilëve dhe marrjen e pengjeve ndërkombëtare.
Tanjug raportoi të mërkurën se ministrja serbe e drejtësisë Nela Kuburovic do t’i dërgojë një letër ICTY duke kërkuar që Mlladiç të pajiset me të gjitha kushtet adekuate për trajtimin e tij mjekësor.
Tanjug u tha në Ministrinë e Drejtësisë se ministria do të mbështesë gjithashtu propozimin e avokatit mbrojtës për të dhënë, nëse është e nevojshme, lirimin e përkohshëm të Mlladiç në mënyrë që të mund të marrë trajtim mjekësor në Serbi. /Ora News.tv/