Prishtina dhe misteret rreth asaj se çfarë ndodhi në Kumanovë

Prishtina dhe misteret rreth asaj se çfarë ndodhi në Kumanovë

SHPËRNDAJE

Autoritetet e Prishtinës kanë kërkuar hetim ndërkombëtar për rastin e Lagjes së Trimave të Kumanovës. Dyshimet janë për organizimin se si është përfshirë grupi dhe kush ka gisht në përgatitjen e skenarit. Prishtina zyrtare ka mëdyshje se 5 persona nga ky grup janë ekzekutuar pasi iu dorëzuan policisë.

“Sa i përket çështjes së grupit që është fut në Maqedoni dhe tani veç ka filluar procesi i gjykimit, ministri i Punëve të Brendshëm duhet të raportoj lidhur me këtë çështje, a ka mundur Kosova me parandaluar veprimin e këtij grupi në Maqedoni apo nuk ka mundur”, deklaroi Xhavit Haliti, nënkryetar i kuvendit të Kosovës.

Ministri i brendshëm Skënder Hyseni në deklarimet për media ka mohuar të ketë pasur informacione për situatën në Maqedoni, nga Agencia Kosovare e Inteligjencës.

“Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka pranuar as një raport nga AKI për atë se çfarë ka ndodhur në Maqedoni. Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka pasur asnjë informacion se mund të ndodhë ajo që ka ndodhur”, deklaroi Hyseni në një nga raportimet e bëra në komisionin parlamentar për sigurinë.

Hyseni tha se ngjarja në Maqedoni është përgjegjësi ekskluzive e shtetit të Maqedonisë, derisa akuzoi autoritetet maqedonase se po luajnë me mënyrën e dorëzimit të emrave të të vrarëve, duke thënë se nuk e di sa është ky numër.

Behxhet  Shala nga KMDLNJ në Prishtinë ka theksuar se për të pasur një pasqyrë të saktë të asaj se çfarë ka ndodhur duhet të bëhet një hetim ndërkombëtar i pavarur nga organizatat për të drejtat e njeriut, siç është Amnesty International apo edhe nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Shala ka komentuar edhe obduksionet e trupave të të vrarëve të bëra në Maqedoni dhe Kosovë, duke thënë se mos publikimi i rezultateve të këtyre obduksioneve, apo dorëzimi te familjarët e të vrarëve, përbënë shkelje të të drejtave të njeriut, duke e bërë procesin edhe më misterioz.

“Pala kosovare e cila ka bërë një obduksion nuk ka dal me një raport të obduksionit, së paku nuk ka dal me një raport publik. Ata mund t’ia kenë dorëzuar një raport prokurorisë apo organeve të sigurisë, mirëpo nuk e kanë bërë publik dhe nuk ia kanë dorëzuar familjeve të të vrarëve… Në qoftë se do të bëhej një raporti i obduksionit korrekt, atëherë do të largoheshin dilemat nëse dikush është vra gjatë luftimeve apo pasi është dorëzuar. Duket se ka këtu shkelje dhe për këtë arsye ka pasur hezitime edhe për raportin, sikur që krejt ky proces është i mbështjellur me një vello misterioze dhe ku gjërat nuk po qartësohen. Thjeshtë është krijuar një perde tymi e cila ende po mban situatën të paqartë”, ka thënë Shala për KosovaPress.

Edhe pas kërkesës për hetim ndërkombëtar, Prishtina së fundi ka vëzhguar seancat gjyqësore në Shkup përmes ambasadës, por nuk ka dhënë detaje se çfarë është në bërë në këtë plan. Nga ana tjetër, familjarët vazhdimisht kanë bërë kërkesë për ndihmë dhe mbështetje për mbrojtjen e Grupit të Kumanovës dhe për nxjerrjen e të vërtetës se kush ka gisht dhe çfarë ndodhi më 9 dhe 10 maj në Kumanovë. (INA)

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprak‘Parazitët’ e BDI-së