Lufta kundër kanabisit, Rama: Objektivi është arritur

Lufta kundër kanabisit, Rama: Objektivi është arritur

SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “objektivi i planit kombëtar në luftën kundër kanabisit është arritur”.

“Lufta kundër kanabisit është një luftë që vazhdon dhe në këtë fazë të vitit ka hyrë në një kapitull vendimtar. Ky vit shënon vitin me sasinë më të ulët të kanabisit të kultivuar që nga viti 1991. Ky rezultat ka nxitur përfshirjen e BE-së në këtë proces me një fond për zgjatjen me një muaj të fluturimeve monitoruese. Ky është një sukses i rëndësishëm dhe një shembull kuptimplotë për sa shumë mund të bëjë Policia e Shtetit përmes bashkëpunimit me të gjitha strukturat ligjzbatuese”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi: “Kjo qasje e re, që është rezultat i planit tonë kombëtar, kërkon një shtrirje shumë më agresive tani për të luftuar kundër rrjeteve të kultivimit dhe trafikimit dhe për të arritur jo thjesht në disa shifra domethënëse, por tek asetet kriminale. Fakti që policët nuk merren më me prerje bimësh, por me imponimim me profesionalizëm të ligjit në të gjithë territorin është arritje domethënëse. Kjo duhet parë si një hap dhe jo si e gjithë rruga e plotë e realizimit të objektivit për të hequr Shqipërinë nga harta e vendeve të origjinës të kanabisit, por një hap për të kuptuar se sa shumë mund të bëhet në këtë drejtim, për ta shtrirë luftën kundër kanabisit drejt elementëve kriminalë”./am/