Imazhet e Holokaustit

Imazhet e Holokaustit

SHPËRNDAJE

Disa prej pamjeve më të tmerrshme të krimeve të nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore janë xhiruar nga 3 prej regjisorëve më në zë të “Hollywood”-it asokohe.

Një ekspozitë e re e çelur në Muzeun e Holokaustit në Los Angeles dokumenton përpjekjet e këtyre artistëve – John Ford, George Stevens dhe Samuel Fuller – ekipet e të cilëve krijuan një përshkrim të detajuar, shokues dhe me rëndësi të madhe historike të çlirimit të kampeve gjermane të përqëndrimit.

“Kjo ishte hera e parë, që pamje të tilla realizoheshin me qëllimin e prezantimit të tyre si provë, nëse do të kishte përpjekje për të mohuar krimet makabre të nazizmit. Grupet që i filmuan ato përbëheshin që të gjitha nga profesionistë”, tha Christian Delage, kurator i ekspozitës.

Deri në 6 milionë hebrenj humbën jetën gjatë Holokaustit, shumë prej tyre në kampet naziste të vdekjes. Një ndër më famëkeqit e këtyre kampeve, Dachau, është profilizuar më gjerësisht në videot e ekspozitës, me një narrator që tregon me hollësi dhomat e gazit, vagonët e trenit të mbushur me kufoma, e pirgjet e trupave në oborr.

Ekspozita risjell në vëmendje një periudhë të errët me misionin të mos ia lërë atë harresës.

“Ne nuk duhet të harrojmë kurrë. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse nga historia duhen nxjerrë mësime. Dhe, nëse ti nuk mëson prej saj, e keqja ndodh sërish”, tha Gabriella Karin, e mbijetuar e Holokaustit./tch/