Selami: Basha, lider i dështuar. Basha: PD, përballë krimit dhe drogës

Selami: Basha, lider i dështuar. Basha: PD, përballë krimit dhe drogës

SHPËRNDAJE

Në takimet me demokratët e Beratit, Kuçovës, Urës Vajguore dhe Poliçanit, kandidati për kryetar të PD, Eduard Selami ka deklaruar se Lulzim Basha është një lider i dështuar dhe që braktis premtimet.

“Diferenca më e madhe është mes të thënës dhe të bërës. Kur e dëgjon zotin Basha thua ‘lum si unë’, por kur e sheh në PD thua ‘mjerë si ne’. Nuk mund të qahesh, e njeh nga pikëpamja teorike si funksionon një demokraci bashkëkohore. Por 4 vite më vonë jemi me larg se kurrë. Pse? Sepse ai nuk i zbatoi ato që premtoi”, tha Selami.

Selami kërkoi sërish publikimin e listave të antarësisë për t’i dhënë besim garës, ndërsa theksoi se një praktikë e tillë ndiqet nga forcat politike më bashkëkohore si në Shtetet e Bashkuara, ashtu dhe në CDU-në e Merkel.

Duke u shprehur i vetëdijshëm për shqetësimin e strukturave të PD për përçarjen e partisë, Selami nënvizoi se, “pikërisht në këto momente vota është akti i parë i bashkimit të Partisë Demokratike dhe rikthimit të saj si forcë bashkëkohore”.

Basha: PD, e vetme përballë krimit dhe drogës

Nga ana tjetër, duke u ndalur në të njëjtat zona Lulzim Basha e vuri theksin tek ajo çfarë ndodhi më 25 qershor, ku sipas tij ishin përballë PD me vlerat e programin e saj dhe krimi, droga, makineria shtetëtore dhe shit-blerja masive e votës nga ana tjetër.

Basha tha se beteja për vlerat që Shqipëria aspirom të arrijë duhet të vazhdojë deri në fund dhe PD është e vetmja që mund ta bëjë këtë e ta shpëtojë vendin.

“Bashkë luftuam betejën për dekriminalizimin, luftën kundër drogës, luftën për zgjedhje të lira e të ndershme. Tre akuza që 25 qershori i vërtetoi katërcipërisht se nuk janë vetëm kauza të drejta por kauzat më të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët sot. Shqiptarët dhe bota e dinë fare mirë se ai jo vetëm nuk mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, por, siç vërtetoi 25 qershori, është strumbullari i varrmihjes së demokracisë në Shqipëri”, tha Basha.

Kjo, pasi sipas Bashës, kryetari i PS ka ndërtuar një sistem politik klientelist, korruptiv dhe kriminal me qëllim asgjësimin e vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë.

“Në njërën anë të peshores shteti, institucionet, administrata, policia, milionat e tenderave të konçesioneve, bandat, paratë e drogës dhe në anën tjetër të peshores Partia Demokratike, e cila nuk përdori asnjëherë presionin dhe shantazhin ndaj votuesit”, vijoi Basha.

“Ne nuk lidhëm dhe as nuk do të lidhim pakt me krimin për të ardhur në pushtet. Ne nuk u përfshimë në lojën e ndyrë të shit-blerjes së indentitetit të qytetarëve, të dinjitetit të tyre me shukun e pistë të korrupsionit dhe drogës”, shtoi ai.

Lulzim Basha tha më tej se projekti i tij synon fuqizimin e qytetarit, të anëtarit të thjeshtë të PD, që të ketë në dorë vendimet e rëndësishme të qeverisë./TCH/