Grusht shteti që ndryshoi raportet Turqi-Gjermani

Grusht shteti që ndryshoi raportet Turqi-Gjermani

SHPËRNDAJE

Raportet mes Ankarasë dhe Berlinit janë keqësuar në mënyrë dramatike prej tentativës për grusht shteti, para një viti. Por Turqia ka ftohur raportet edhe me BE dhe vendet tjera perëndimore.

Tendosje serioze në raportet mes Turqisë dhe Gjermanisë ka pasur edhe para tentativës për grusht shteti në këtë vend. Presidenti Erdogan ka nisur më parë një proces kundër satiristit Jan Böhmermann, për shkak të një satire të tij. Më pas me 2 korrik 2016 është miratuar në Bundestag edhe rezoluta për vrasjet masive të jermenëve 1915/1916, që është quajtur si gjenocid. Qeveria turke reagoi e mllefosur dhe ndaloi vizitën e deputetëve gjermanë në bazën ushtarake në Incirlik.

Lufta kundër lëvizjes së Gülenit

Presidenti i Turqisë Erdogan i ka shfrytëzuar ngjarjet e para një viti për një konfrontim të paskrupullt me mbështetësit e Gülenit në Turqi. Ai e trajton Gülenin organizator të protestave, ndërsa Gülen i ka hedhur poshtë këto akuza.

Prej protestave deri më sot në Turqi janë arrestuar rreth 50.000 persona. Nga puna janë larguar rreth 150.000 persona, që ka shkaktuar kritika në BE, NATO dhe Gjermani. Erdogani i ka quajtur këto kritika “si propagandë terroriste”. Shtetet që u kanë dhënë azil personave të përndjekur, Erdogani i ka quajtur si “vende që mbështesin terrorizmin”.

Gjermania u ka dhënë azil rreth 400 diplomatëve, oficerëve dhe ushtarëve turq në NATO, por edhe gjykatësve dhe nëpunësve në institucionet e shtetit.

Arrestimet e gazetarëve

Në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi janë miratuar dekrete, të cilat në shënjestër kanë jo vetëm mbështetësit e Gülenit, por edhe të gjithë kundërshtarët e tjerë të Erdoganit. Gjatë vitit 2016 janë arrestuar më shumë se 150 gazetarë, ndër ta edhe gazetari gjermano – turk Deniz Yücel, korrespondent i revistës “Welt”. Ai akuzohet “për propagandë terroriste”. Por deri më sot nuk ka ndonjë aktakuzë dhe nuk dihet se cilat janë akuzat konkrete.

Ai nuk është personi i vetëm me nënshtetësi gjermane, që është arrestuar. Pas grusht shtetit janë arrestuar edhe rreth dhjetë persona me dokumente gjermane, ndër ta edhe gazetarja Mesale Tolu. Turqia zë vendin e 155 nga 180 për respektimin e lirisë së mediave.

Ndalimi i fjalimeve të politikanëve turq

Paralelisht me përndjekjen e opozitarëve, Erdogani kishte nisur edhe fushatën për ndryshime kushtetuese, të cilat i mundësuan forcimin e pushtetit. Në këtë fushatë është ndihmuar nga turqit që jetojnë në Gjermani. Shumica prej tyre me 16 prill 2017 kanë votuar për reformën.

Paraqitjet e politikanëve turq në Gjermani janë ndaluar në shumë vende për “shkaqe sigurie”. Erdogani e ka akuzuar Gjermaninë “për shërbim me praktika naziste”. Ndëra Angela Merkel u përgjigj: “Duhet të ndërpritet me krahasimet e Gjermanisë me kohën e nazizmit”.

Erdogani ka dashur të mbajë një takim me bashkëatdhetarët e tij edhe në prag të samitit të G20. Por fjalimi i tij u pamundësua me shpjegimin se “nuk ka forca të mjaftueshme policore për ta siguruar tubimin”.

Kriza me ushtarët

Turqia u ka ndaluar deputetëve gjermanë që të vizitojnë ushtarët gjermanë në bazën ushtarake Incirlik. Ankaraja ka reufuzuar këto vizita përkundër përpjekjeve të minsitrit të Jashtëm Sigmar Gabriel, që ato të realizohen.

Si pasojë, në qershor 2017 në Bundestag është miratuar edhe vendimi për tërheqjen e 260 ushtarëve gjermanë nga kjo bazë. Këto njësi janë stacionuar tani në Jordani./DW/