Qejfe! Paraja drejton…

Qejfe! Paraja drejton…

SHPËRNDAJE

Nga Petro Marko
Botuar më 1937

Eja, të shkojmë gjëkundi të kalojmë disa orë të dehur. Të çmendur, të lumtur. – Të bëjmë. . . qejf! –Po ku? – Vemi të pimë? – Po ku? – Në daç te Miti. Në daç te Dhori ose tek Tahsimi. Në daç vemi ia shtrojmë me birrë në “Nacional”. Ose vemi tek Koliqi të pimë verë. Apo nuk vemi tek Mahmuti që ka një raki rrushi që të merr në qafë! Pastaj ka dhe një lokal si nga ato ku dergjej dikur Omar Khajami. Eja të vemi pimë… Vetëm kështu mund të bëjë njeriu qejf këtu në kryeqytet. Duke pirë. Pi në “London”, pi në “Bristol”, në pijetore “Vlora”. Ku të duash pi. -Oh më fal!

Jo ku të duash. Vendet janë ndarë vetvetiu. Kushdo e ka zënë folenë e tij. Kushdo është bërë dhe familjar në ndonjë kafe. Bie fjala “Bella Venezia” është një vatër familjare pun’e madhe! Pa shko ti ndonjë ditë atje dhe ke për të parë se do të dallohesh si kau balash. Unë kur vete ndonjëherë, rrëmbej pastën e ëmbël dhe iki, se akoma atje s’ka marrë fund biseda mbi “doiçe kulturën” e shkretë…
Ose shko në ta mban të dielën në kafe “Berlini”. Aman o Zot! Atje atë ditë, përveç që fronat janë zënë krejt, po të them të drejtën, atje bie erë luftë. Sheh njerëz të skuqur, të ruarë (në kokë), të veshur njëlloj, me kravata të reja, që kanë mbërthyer tryezat dhe vëzhgojnë me egërsi si të tërbuar ato femra të pakta që shkelin me butësi pllakat e bulevardit! Pirja është “qejfi” i parë. Po pastaj? Pastaj ç’derë është e hapur? Doemos flas për ata që rrojnë e bëjnë qejf…

Ç’të them? Ç’të flas? Ç’të mollois? Thomëni, nga t’ia mbaj? – Nga “Brraka”? Nga rruga e burgut! Në “Ferrara”? Në… Në… Ku? Kudo që të shkel: një lloj! Po atje bëhet “qejfi”. Atje derdhen të hollat! Atje digjen zemrat… “Zemra më pikon gjak!…” E shkreta zemër! Nuk e di që ka humbur formën e saj. Është copëtuar. Dhe megjithatë goja e lirë të bërtet: “Ma dogje zemrën!” Eh, ç’zemër moj lumëmadhe! Apo dallga e jetës të ka hedhur këtu? Të ka vërvitur pa mëshirë! Dhe ti qesh. Qesh pa ditur përse. Çdo njeri e “dashuron” . Çdo xhep e zbraz. Po për vete ç’je? Si rron? Si u ndodhe ketu?
– He, ha! Eja të pimë! Ha, ha! Eja, eja…

Dikur kam qenë vajzë. Më gënjeu “ai”. S’mbaj mend gjë. Vetëm lëndinën ku u rrokullisëm midis barit të njomë… dhe pastaj lotët e mi. Dhe pastaj! Eh, eja të pimë! Dhe pastaj unë e gjora pa njeri, pa pare, oh! Pa pare, pare, pare! Dhe pastaj eja, eja… ma dogje shpirtin! Pare! Dhe ti e zbraz xhepin. Bën qejf. Qejf në kryeqytet. Ku të duash. Përveç, “shteteve të lira”, të njohura nga “Lidhja e Kombeve”, nga Bashkia dua të them, ka shumë autonomira të tjera, të fshehura, të panjohura, nga dalin tërë sëmundjet e botës. Po të doni pyesni Dr. Panon ose Dr. Kërçikun dhe ata do t’ju thonë përqindjen e të “plagosurve” nëpër betejat e “shteteve të paregjistruara” – Ç’të bësh mor zot. Varfëri! – Ç’varfëri mor lum? Varfëri mendore, varfëri morale! Hiç gjë më tepër. Pyet po të duash ndonjë karrocier, ose ndonjë… Thuaji: “Jam jabanxhi. Kam nevojë për një… do të ta paguaj mirë. Dhe ti ke për të marrë hakun tënd!” A di se ç’ka për të të thënë? -Po, po zotni! Peqe! Sa të duash! Dhe të cakton orën. Dhe ti vete atje ku s’e di. Çuditesh kur sheh. . .Lëre mos e nga! Po të kesh ndërgjegje, ikën! Ikën me zemrën të copëtuar. Po të jesh i fortë pyet: – Po pse keshtu moj e gjorë? – Nevoja, nevoja zotni! Qejf! Duman!
Qejf në kryeqytet…- Ku të vesh? Ku të bësh qejf? – Ja në kinema, ja në kafe, ja në…! – Flas me ty që je i lirë. Po familja ku do të argëtohet? Ku do të shkoje ndonjë orë me prehje? – Ja në “Gloria”, ja në “Nacional”, ja në “Rozafat” … Hiç gjë më tepër. Ose ne “Kursal” për ndonjë birrë të ftohtë, ose ndonjë shëtitje. S’ka më. S’ka teatër! S’ka park! S’ka gjë. Po rinia ku e kalon kohen? – Ah, ah dhe ah! Shko mor ndonjë orë, kur të duash, natën ose ditën, në “Sallon bilardo amerikan”. Shko, pash Zotin! Ke për të uluritur. Do të shikosh atje se si djelmëria shkel mbi dhoga të kalbura. Do të shikosh atje një lopatë të madhe që hap varrin e karakterit dhe moralit. Atje do të shikosh me sytë e tu drejtimet e reja të gjeneratës sëre. Gjithashtu dhe në kafene “Sporti”. Atje me të vërtetë “sporti” përparon. Përparon për vdekje. Dhe sidomos studentët, “sportin” e ndjekin me zemër. .

Qejf mor zot, qej