Të ndëshkosh brezat e ardhshëm

Të ndëshkosh brezat e ardhshëm

Nga Majlinda BUSHJA

Në 22 prill të këtij viti do të zhvillohet testimi i radhës i mësuesëve. Testimi i parashikuar në datën 15 prill do të zhvillohet në 22 prill, një javë më vonë sipas një shkrese të ministrisë së Arsimit dhe Sportit të shpërndarë në të gjitha Drejtoritë Arsimore në vend. Sipas udhëzimit të MAS dhe Insitutit të Zhvillimit Arsimor që ka bërë publike Programet Orientuese “Testet e kualifikimit janë përbërë nga dy pjesë, e para përmban dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesëve, programet përkatëse lëndore , metodologjia e mësimdhënies etj, dhe pjesa e dytë përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit të kualifikimit përkatës”. Ndër të tjera bëhet me dije se, “ …ata mësues të cilët futen në garë dhe dalin me një vlerësim negativ, nuk e humbasin vendin e punës, por vetëm nuk fitojnë rritjen e pagesës” shkruan AFP. Të marrësh një vlerësim negativ dhe të jesh përsëri mësues në arsimin parashkollor, 9-vjeçar dhe të mesëm është fakeqësia e ditëve të sotme në arsim.

Nuk e di logjikën që ka çuar në këtë përfundim, por është e papranueshme dhe patolerueshme që një mësues ngelës të vazhdojë të punojë për të edukuar  brezat e ardhshëm. Dhe ngelës, dhe mësues?! Çfarë do t’iu mësojë nxënësve dhe në ç`nivele do t’i çojë nxënësit e vet mësuesi, kur është i paaftë në profesion. Logjika thotë se nuk mund t’i çojë më lart se niveli i tij. Mirëpo “pasqyra e thyer” ku shihen çdo ditë ata që marrin vendime i pranon në gjirin e vet të tillë “profesionist”. Dhe themi pastaj se nga buron padrejtësia, kur treguesit janë të qartë dhe të lidhur me njëri-tjetrin duke e shkatërruar arsimin. Vet ata që marrin vendime flasin për luftën ndaj korrupsionit  çdo ditë dhe i japin duart atij. A nuk është ky një fallsitet përpara qindra nxënësve, prindërve, qytetarëve që çdo ditë presin nga ata që kanë zgjedhur për t’i drejtuar? A nuk është ky një tregues i gjendjes që vazhdon të dëmtojë arsimin dhe është kthyer në normë prej vitesh? A nuk është tregues i rrugës në të cilën po ecim si shoqëri?

Sot shumë të rinj, ose jo, të papunë, të aftë, të cilët kanë mbaruar studimet e larta me rezultate shumë të mira enden rrugëve të Shqipërisë në mungesë të kësaj drejtësie, kurse të paaftët padrejtësisht u kanë zënë vendin përmes partitokracisë së hershme që ka zënë rrënjë mirë dhe interesave të tjera të ngushta që të gjithë i dimë e nuk përbëjnë më lajm. Por, nuk ka mëkat më të madh se sa t’i japësh duart njerëzve të paaftë në profesionin e tyre  aq më tepër që arsimi është e ardhmja e një kombi, pasqyra e tij. Kjo “sëmundje” në arsimin nuk është e re, është e njohur, por “kurohet” me heshtjen si për çdo gjë tjetër në këtë vend. Gjithësesi, çdo justifikim përballë këtij fakti që po na serviret sot nuk është veçse “larje duarsh” pas mëkatit.

Marrëzia e ditëve të sotme në arsim,( pranimi i mësuesëve ngelës për të qenë pjesë e mësimdhënies) mesa duket nuk po vihet re nga askush dhe po anashkalohet si diçka e pa rëndësishme. Vëmendja tek politika e ditës dhe grindjet e saj të vazhdueshme kanë spostuar çdo vëmendje tjetër në këtë vend. Politika e “24 orëve” është bërë ushqimi i përditshëm i padëshiruar i shqiptarëve, por që gëlltitet në mungesë të diçkaje tjetër. E në këtë situatë të tensionuar politike, ku çdokush përpiqet për të thënë fjalën e vet për të dalë nga kriza, kalojnë vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me jetën dhe të ardhmen e mijëra njerëzve në vend, e mijëra të rinjve që kanë për-para tyre shembujt e krisur të politikës. Dhe pranohen në heshtje aty ku fjala nuk duhet të mungojë për të ndryshuar gjendjen, por tregojnë nga ana tjetër pafuqinë e shoqërisë për t’i thënë -Ndal këtyre vendimeve që janë një dritë e fikur për të.

Në 22 prill është testimi i radhës i mësuesëve, ku pavarsisht vlerësimit nuk e humbasin vendin e punës. “Katranjosët” apo ata që do të vlerësohen me E, ose më thjeshtë “dobët” do jenë në krye të detyrës, ku  do të udhëheqin brezat e ardhshëm drejt rrugës së dijes. Padija do t’u falet ashtu sikundër është zakon të falen mëkatet në këtë vend. “Mësuesit” do të punojnë pavarsisht paafsisë së tyre për të kryer detyrën që kanë marrë përsipër. Dikush tjetër i mbron dhe tashmë jemi mësuar “ta hamë sapunin për djath”, sepse arsimi prej vitesh ka qenë nën kthetrat e të papërgjegjshëmve dhe reforma në arsim fatkeqësisht nuk i ka marrë përpara të pa aftët që ndodhen në vendin e gabuar për shkak të përkrahjes. Mirëpo, duhet të vijë dita që  t’i themi ndal kësaj praktike që është kthyer në normë. Të mos tolerojmë në drejtim të arsimit duke i falur titullin “mësues” dikujt që është i paaftë në këtë profesion.

SHPËRNDAJE