Plehrat ngulfasin hapësirën në Saraj, banorët ankohen, komuna premton se do t’i...

Plehrat ngulfasin hapësirën në Saraj, banorët ankohen, komuna premton se do t’i largojë (VIDEO)

SHPËRNDAJE

Mbeturinat në hyrje të qendrës rekreative në Liqenin Treska në Saraj sa vijnë e grumbullohen më shumë. Banorët e fshatit Gllumovë që jetojnë në afërsi të kësaj deponie, thonë se frikësohen nga ndonjë epidemi eventuale. Sipas tyre, deponia është rrezik edhe për fëmijët, sepse shërben si vendstrehim për qentë endacak.

“Është pastruar disa herë, por kot mundi që kanë angazhuar eskavatorë. Prapë se prapë mbeturinat hidhen gjithandej. Nuk janë vetëm banorët e papërgjegjshëm të komunës së Sarajit, por janë edhe institucionet si komunë nuk marrin përgjegjësi a duhet të kenë”, tha Sufjan Sejfullai, Banor i Gllumovës.

“Nuk e di kush i hedh ato mbeturina. Vijnë edhe nga Saraji edhe nga fshatrat të tjera problem është edhe fëmijët kur kalojnë kërcënohen se mund të kafshojnë”, tha Nusret Zaimi, Banor i Gllumovës.

Ata apelojnë që komuna e Sarajit të marrë masa për pastrimin e deponisë, por e pranojnë se një pjesë e banorëve të fshatit nuk paguajnë taksën e higjienës komunale.

“Ne vet jemi fajtorë që i hedhim mbeturinat. Disa paguajnë komunën që ti marrin mbeturinat e disa jo. Asgjë nuk ka nga komuna, aspak nuk punohet”, u shpreh Sejfulla Qerimi.

Nga Ndërmarrja për Higjienë komunale të Sarajit nuk pranojnë të flasin para kamerës, por thonë se janë të njoftuar për deponinë e krijuar, ndërsa fajin ia hodhën siç thanë qytetarëve të papërgjegjshëm. Drejtori i kësaj ndërmarrje, Arsim Rrustemi tha se kanë njoftuar Inspektoratin ekologjik për të marrë masa dhe për të pastruar këtë deponi, dhe kjo pritet të ndodhë deri në fund të kësaj jave.