Planet për të ardhmen evropiane

Planet për të ardhmen evropiane

SHPËRNDAJE

60 vite pas nënshkrimit të traktateve të Romës, projekti evropian duhet të ripërtërihet. Konteksti i krizave të shumëfishta, dalja e Britanisë së Madhe, por edhe ndryshimi i rrethanave gjeopolitike, e kanë futur Unionin në një proces reflektimi, mbi të ardhmen e tij. Pas Bratislavës, samiti i Valetës çoi në avancimin e reflektimit, nga ku kemi edhe deklarimin e kancelares Merkel, mbi mundësinë e krijimit të një Evrope të dy shpejtësive. Teksa reflektimet vazhdojnë, parlamenti Evropian ka përcaktuar gjithashtu vizionin e tij mbi të ardhmen e Evropës. Në tre rezoluta të miratuara ditën e enjte, kemi një paketë propozimesh, ku shfaqet vizioni mbi të ardhmen e BE-së. Por, çfarë përfshin paketa e tre rezolutave dhe si e modelojnë ato, të ardhmen e Unionit ?

Të tre rezolutat, synojnë jo vetëm përmirësimin e strukturave aktuale institucionale të Unionit për ta bërë atë me efikas, por edhe ta afrojnë atë më shumë me qytetarët, duke rritur mundësinë e pjesëmarrjes së tyre në proceset e përzgjedhjes së figurave të larta politike, por edhe duke mundësuar një lloj karte jeshile për parlamentet kombëtare, në vendimmarrjen evropiane. Në mënyrë që BE të jetë rezistuese ndaj sfidave të shumëfishta, që në kontekstin aktual janë të pashmangshme, mesazhi që vjen nga Parlamenti Evropian është se, Unioni duhet të reformohet më në thellësi.

Në rezolutën e hartuar nga eurodeputetët Bresso-Brok, kërkohet të lëvizet në hapësirën që ofron traktati i Lisbonës. Ajo propozon një sërë ndryshimesh që prekin institucione të ndryshme, si p.sh.: shndërrimin e Këshillit të Ministrave në një dhomë të dytë legjislative dhe konfigurimin e tij, në formatin e ngjashëm, që ofrojnë komisionet e parlamentit, si edhe ndryshimin e mënyrës së votimit në Këshill, duke proceduar me shumicë të cilësuar, aty ku traktatet e lejojnë, me synim shmangien e bllokimeve të projekt-ligjeve të rëndësishme, duke përshpejtuar në këtë mënyrë procesin legjislativ. Si edhe krijimin e një Këshilli të përhershëm të ministrave të Mbrojtjes, për të koordinuar politikat mbrojtëse të shteteve anëtare.

Rezoluta e dytë, bën fjalë për një reformë ambicioze të traktateve. E përpiluar nga liberali Gi Verhofshtad, ajo analizon mundësinë për të shkuar përtej mjeteve aktuale në dispozicion dhe studion mundësinë e një reforme në thellësi të Traktatit të Lisbonës, në fusha të tilla si qeverisja, politika e jashtme, të drejtat themelore dhe transparenca. P.sh.: ajo propozon të krijojë një post të ministrit evropian të Financave dhe t’i jepet Komisionit Evropian pushteti për të formuluar një politikë ekonomike evropiane të përbashkët, të mbështetur edhe nga një buxhet i zonës Euro. Ajo sugjeron gjithashtu që Parlamenti Evropian të ketë një seli të vetme nga tre të tilla si edhe kërkon reduktim të ndjeshëm të madhësisë së Kolegjit të komisionerëve evropianë, kryesisht duke reduktuar numrin e zëvendëspresidentëve. Dhe kërkon t’u lejohet qytetarëve të BE-së në çdo shtet anëtar të votojnë direkt për kandidatët në krye të listave të partive politike në postin e Presidentit të Komisionit.

Ndërsa në rezolutën e tretë, Boge-Beres, synohet fuqizimi i Eurozonës. Rezoluta propozon një përafrim më të madh të ekonomive të zonës Euro, në mënyrë që të bëhen më rezistuese ndaj goditjeve të jashtme. Teksti, ofron një strategji konvergjence ku fondet do të vijnë nga një buxhet specifik i zonës Euro, që do të financohet nga vendet anëtare dhe i disponueshëm nën kushte precize. Ndër propozimet kyçe figurojnë: një kapacitet buxhetor, i përbërë nga Mekanizmi Evropian i Stabilitetit (MES) dhe një kapacitet buxhetor shtesë për zonën Euro, të financuar nga anëtarët e tij në kuadrin e një buxheti të BE-së. Një fond monetar evropian (që duhet pak e nga pak të zhvillohet jashtë MES) me kapacitete borxhi dhe huamarrje, si edhe me një mandat qartësisht të përcaktuar për të përballuar goditjet ekonomike. Në lidhje me qeverisjen, sugjerohet një rol në rritje për Parlamentin Evropian dhe parlamentet kombëtare, shkrirja e funksionit të Presidentit të Eurogrupit dhe të Komisionerit për çështjet Ekonomike, një ministër i Financave dhe i Thesarit në gjirin e Komisionit Evropian, etj.

Plani gjermano-francez

Që prej shfaqjes së krizave dhe thellimit të tyre, thirrjet për rimodelimin e projektit evropian nuk kanë reshtur. Kriza, që si rrallëherë, kanë shfaqur ndasi të mëdha ideologjike. Jo vetëm në mënyrën se, si konceptohet Bashkimi Evropian, por edhe ndasi thelbësore në konceptime të brendshme politike, kulturore dhe sociale. Ndasi, që rënduan dhe vazhdojnë të rëndojnë mbi rrënimin e vlerave të rëndësishme të humanizmit, solidaritetit dhe ndarjes së përgjegjësive në momente të vështira.

Një rimodelim, larg kontekstit fillestar të bashkimit për sigurimin e paqes dhe shmangien e luftës në kontinent. Një rimodelim, ku vendet që nuk kanë dëshirë të angazhohen, të mos kenë mundësi të pengojë vendet e tjera që kanë dëshirë për të marrë më shumë përgjegjësi, vullnet për të avancuar në thellimin evropian dhe mbi të gjitha vizion për të shkuar drejt një të ardhme të sigurt.

Përgjatë vitit 2015 jo rastësisht, kemi dy dalje të rëndësishme publike të aksit gjermano-francez. Dalja e parë (qershor 2015) ishte nëpërmjet një letre-opinion të dy ministrave të Ekonomisë së Gjermanisë dhe të Francës, Makro dhe Gabriel, ku mbështesin idenë e një Eurozone me bashkëpunim të përforcuar, nëpërmjet një rishikimi të arkitekturës institucionale të BE-së. Dalja e dytë, do të ishte vetëm disa muaj më vonë, (tetor 2015), në Parlamentin Evropian, ku kancelarja gjermane Merkel dhe Presidenti francez Holond, do të mbështesnin sërish idenë për më shumë Evropë, me një Eurozonë të thelluar, me shumë përgjegjësi në fushën e politikës së jashtme të Unionit, si edhe përforcim të lëvizjes së lirë. Nga ku ideja, po përforcohej gjithnjë e më shumë, dhe skicimi i saj i përmendur gjatë fjalimit të Junkerit mbi Gjendjen e Unionit (2016) do të figurojë në Librin e Bardhë të Komisionit Evropian, që pritet të publikohet në muajin mars 2017, pikërisht me rastin e  60-vjetorit të nënshkrimit të Traktateve të Romës.

Evropa e dy klasave 

Projekti politik për një integrim të thelluar të ndarë në dy grupe, ka kohë që është prezantuar. Një projektim federal, që synon thellim politik dhe ekonomik. Përforcim të mëtejshëm të Eurozonës, thellim të politikave fiskale dhe buxhetore, duke krijuar mundësinë për një rol më të madh kontrollues dhe stabilizues. Sigurisht duke nënkuptuar edhe lëshime të tjera të kompetencave kombëtare drejt atyre evropiane. Projektim, që imponon edhe skicim të një arkitekture institucionale. Idetë e propozuara në kohë përfshijnë krijimin e një dhome të dytë në PE, që mund të funksionojë si Senat ose në formën e një nën Komisioni, krijimin e postit të një Komisioneri të Euros, i cili jo vetëm do të përfaqësojë këtë Eurozonë të fortë, të fokusuar mbi politikat fiskale, rritjen ekonomike, investimet dhe zhvillimin e punësimit, por propozimet shkojnë dhe në dhënien e kompetencave më të larta, si e drejta e vetos ndaj buxheteve kombëtare.

Pra, një thellim, i cili nuk do të kryhet mbi BE-27, por vetëm me vendet e Eurozonës (19 shtete). Në logjikën se, kush nuk ka dëshirë të integrohet në mënyrë më të thelluar, është i lirë të zgjedhë formën e integrimit që dëshiron. Njëkohësisht, në thelb projekti kërkon që këto vende që nuk dëshirojnë të angazhohen në mënyrë më të thelluar, të mos pengojnë vendet e tjera që kanë dëshirë dhe vullnet të angazhohen së bashku.

Teksa Eurozona do të jetë bërthama e një Unioni të thelluar, alternativat për vendet e tjera, që i referohen kryesisht ish-ambicieve britanike, sugjerojnë një fokusim të thelluar tek Tregu i Përbashkët. Pra, propozohet një hap përpara drejt një tregu të brendshëm të integruar në mënyrë më të kënaqshme, me një përqasje të fokusuar në sektorë kyçë, si energjia dhe ekonomia dixhitale. Ky skicim figuronte i tillë, edhe si një lloj ekuilibri përballë refuzimit britanik, për ndarjen e Evropës në dy rrathë integrues, me logjikën se grupimi i parë pra Eurozona, do të imponojë politikat e saj në grupimin e dytë, i cili do të përjashtohet nga procesi  i vendimmarrjes. Argumentet e britanikëve, që tashmë i janë futur rrugës së daljes nga Unioni, që gjenin mbështetje edhe disa vende të Evropës Lindore dhe Qendrore kryesisht në grupimin e V4-s, por edhe Danimarka, apo Suedia, ekspozonin si shqetësime jo vetëm zhvlerësimin  e vendeve të grupimit të dytë, por edhe humbjen e rolit të tyre, teksa skicimi ofronte mundësinë për një dhomë të dytë në parlament, që do të përbëhej nga vendet e Eurozonës.

Por, me planifikimin paraprak të Komisionit Evropian të avancimit të Unionit mbi skemën e Evropës së dy shpejtësive (Libri i Bardhë) dhe me përforcimin e kësaj ideje, nga kancelarja gjermane Merkel pas Samitit të Valetës, duket se përvjetori i 60-të i traktateve të Romës, mund të shoqërohet me një vullnet të hapur për progres në realizimin e projektit të Evropës së dy shpejtësive.

Dita