“Etja” e shqiptarëve për seks, sociologu Tushi: Pornografia po na bombardon

“Etja” e shqiptarëve për seks, sociologu Tushi: Pornografia po na bombardon

SHPËRNDAJE

Intervistoi Andrea Danglli

Pornografia që vijon të përhapet jashtë çdo lloj kontrolli, duket se ka sjellë një sërë problematikash.  Sociologu Gëzim Tushi gjykon se  bombardimi që vjen nga materialet e ashtëquajtura “me pullë të kuqe”, ka mjegulluar  fantazitë seksuale.  Ai shpjegon se gjendja ka degraduar deri në atë pikë sa shumë individë sot e shohin patnerin si një objekt për të përmbushur dëshirat seksuale.

Në një intervistë për gazetën “TemA”, Tushi tregon se ekspozimin që kanë të rinjtë ndaj pornografisë ka shkaktuar marrëdhënie, martesa dhe divorce të parakohshme.

Pse duhet të diskutojmë për pornografinë ? Cila është rruga: censurë apo edukim social ?

Realiteti i kontaktit me pornografinë është një realitet evident, pothuaj ose nuk thuhet asgjë ose ka një indiferencë tejet neglizhuese për efektet dhe kundërefektet edukative, sociale, morale dhe psikologjike të saj.  Ende nuk ka diskutime socio-edukative serioze dhe të përgjegjshme ose ato janë fare timide për dëmet që ka pronografia në kohën moderne.

Sot duket se pornografia është prezente më shumë se asnjëherë në media. Çfarë ka bërë që ne të jemi gjithnjë e më të tërhequr ndaj saj?

Media është përgjegjësia kryesore. Megjithëse ka disa nene në Kodin Penal, nuk duket se ka intervenime ligjore apo morale për të orientuar njerëzit që të dinë të përballen qytetarisht me këtë “bum” të pornografisë.  Madje as të atyre materialeve filmike dhe fotografike që nxitin seksualitete anormale periferike, me skena të dhunshme, poshtëruese, dehumanizuese, sidomos për femrat.  Mua më duket se nuk mjafton konstatimi sociologjik për nivelin dhe përmasat e përhapjes dhe përdorimit të personalizuar të pornografisë. Tek ne ende nuk janë bërtë përpjekjet e duhura për ta konceptuar karakterin dhe ndikimin kompleks të pornografisë. Ky është një difekt i vjetër sociologjik që i ka sjellë shumë dëme shoqërisë tonë, por jo vetëm kur është fjala për këtë dukuri.

Cilat janë disa nga problemet kryesore që ka sjellur pornografia në marrëdhëniet sociale më shoqëri?

Marrëdhëniet tona sociale janë të bombarduara nga imazhet pornografike dhe ky është një problem madhor që shkakton nën-probleme të tjera.  Në shoqërinë tonë po shtohen njerëzit që kanë filluar t’u mjegullohen fantazitë seksuale, madje të deformohen dhe përcudnohen ato në përmasa të frikshme. Fantazitë seksuale normale dhe humane nën ndikimin e filmave pornografikë po bëhen të paqarta, të vështira për t’u  identifikuar si maniera seksuale humane. Pornografia është bërë  shoqëri një “kulturë e deformuar” dhe është kthyer në një betejë të vërtetë seksiste, e cila të duket se shërben për të krijuar sa më shumë ide tek meshkujt se ç’duhet bërë për të “zotëruar” seksualisht gruan. Ndaj shumë sociologë dhe psikologë të kohës sonë, mendojnë se arti pornografisë ashtu si është katandisur, nuk i mëson njerëzit si të “ëndërojnë për gratë”, por më shumë i mësojnë si t’i shfrytëzojnë ato seksualisht.

Nga audienca që marrin lajmet e shtëquajtura me “pullë të kuqe” dukemi  se jemi një popull mjaft i tërhequr nga seksi virtual. Si e shihni raportin që kanë shqiptarët me pornografinë?

Problemet e qasjes ndaj pornografisë në Shqipëri janë bërë të vështira për t’u trajtuar dhe interpretuar nga pikëpamja morale dhe sociale. Ne jemi një popull që vijmë nga një system diktatorial  ku nuk kishte asnjë mundësi të kontaktit filmik apo fotografik me seksin, me teknikat dhe eknologjitë e seksualitetit.
Veçanërisht në adoleshentët dhe të rinjtë tanë ka qëndrime të skajshme ose negative dhe mohuese, ose idolatrizim të vlerës së pornografisë duke bërë konfondim banal dhe primitiv të saj me erotizmin. Në të vërtetë dihet se megjithë lidhjet e jashtme dhe fuqitë reciprokisht ndikuese, e vërteta është që erotika nuk është njësoj si pornografia.

Meqë ju përmendët të rinjtë. Si ndikon imazhi pornografik tek ata  ku shumë prej tyre  duhet thënë se kontaktin e parë seksual e kanë marrë nga filmat pornografikë?

Të rinjtë janë viktimat e para të pornografisë së pakontrolluar. Nëpër filma ndeshim përditë gra të dehumanizuara që shfaqen thjesht si objekte për “përdorim seksual”, që poshtërohen, përdhunohen dhe incestohen. Kjo i nxit të rinjtë të kenë raporte seksuale të parakohshme.
Nga mënyra si janë ndërtuar filmat pornografikë shumë rrallë kanë ndikim edukativ mbi sjelljen dhe intimitetin seksual, apo në ndërtimin e marrëdhënie të respektit dhe intimitetit të dyanshëm.  Imazhet pornografike të grave të denatyruara që tregohen të papërmbajtura, që kërkojnë seks me çdo kusht, janë përpjekje dinake për t’i paraqitur ato padrejtësisht më të etura se meshkujt për “seks pa fund”. Ka studime të bëra në vende të ndryshme që vërtetojnë se pornografia më shumë i  ndryshon për keq se sa i “bind pozitivisht” të rinjtë.

Çfarë ndikimi ka sjellë pornografia në marrëdhëniet mes çifteve shqiptare? Sa  ndikon tek divorcet?

Pornografia nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me moralin e njeriut, por ndikimi i saj është i lidhur me efektet seksuale në mosha të ndryshme.  Nga mënyra si po propagandohet porografia në shoqërinë tonë, të krijon idenë se ajo është një nga mjetet e forta që po ndikon në nxitjen dhe përshpejtimin e parakohshëm dhe të panevojshëm të aktivitetit seksual. Ka sociologë dhe seksologë që mendojnë se ka një lidhje të fortë midis pornografisë dhe nxitjes seksuale. Ka të tjerë që janë kundër lidhjes së domosdoshme dhe në çdo rast të shfaqjes së seksualitetit përmes pornografisë dhe agresivitetit dhe dhunës seksuale.

Natyrisht që ka një ndikim të madh edhe tek divorcet. Pornografia në një farë mënyre është “mashtrim” dhe kur tentosh ta gjesh në realititet ajo normalisht që do të mungojë.
Juve çfarë sygjeroni se duhet bërë për të shpëtuar nga gjendja aktuale?

Mund të mos ketë shumë gjëra për të bërë, por as të qëndrojmë indiferentë përballë epidemisë deformuse të pornografisë nuk na lejohet.  Dhe përgjigjet kanë qënë dy: ose ligje që ndalojnë apo censurojnë pornografinë ose punë eduaktive me njerëzit për të kuptuar efektet kontrovesale të saj. Rruga e parë si të gjitha rrugët e tjera të rregullimit të gjërave me censurë, ka qënë dhe mbetet përherë e dështuar. Jetojmë në shoqërinë e spektaklit ku në të cilën duam apo nuk duam pamjet kanë rëndësi dhe njerëzit duan t’i shikojnë ato. Qoftë edhe për kulturë apo për të mësuar më shumë të fshehtat intriguese të seksualitetit.