Si po provokon Serbia incidente në Kosovë për të futur Rusinë në...

Si po provokon Serbia incidente në Kosovë për të futur Rusinë në rajon

SHPËRNDAJE

Jelena Miliq, drejtuese e Qendrës për Studime Euroatlantike në Serbi e cila u largua nga studio gjatë një interviste të përbashkët me kryeministrin Vuçiç deklaron se Serbia po provokon ndërhyrjen ruse në rajon.

Deutsche Welle: Zonja Miliq, të dielën në mbrëmje u larguat nga një intervistë të përbashkët me kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në televizionin Pink. Pse?

Jelena Miliq: Për shkak se kryeminsitri Vuçuiq tërë kohën më thoshte se të gjitha gjërat që bëj unë dhe Qendra për Studime Euroatlantike, të cilën e kryesojë unë, janë në kundërshtim me interesat nacionale. Që natyrisht nuk është fare e vërtetë.

DW: Si e komentoni vendimin për dërgimin e trenit nga Beogradi në Mitrovicë dhe si i shihni tensionet e fundit në raportet mes Serbisë dhe Kosovës?

Miliq: Unë mendoj se përshkrimin më të mirë të situatës së përgjithshme rreth trenit e ka bërë një person në Twitter. Ai shkruante: “Treni është shumë i modernizuar dhe është nisur për Mitrovicë, por drejtuesi i lokomotivës ka mbetur në Beograd”.

DW: Po si i shihni ju tensionet e fundit në raportet Serbi – Kosovë? A është ky vetëm fillimi i tensioneve edhe më të mëdha apo të gjitha janë bërë vetëm për përdorim të brendshëm politik?

Miliq: Tensionet në raportet me Serbisë dhe Kosovës nuk mund të shikohen jashtë kontekstit të asaj se çfarë po bën Serbia në raport me vendet e tjera të rajonit. Prej Vitit të Ri, Serbia i ka keqësuar raportet me të gjitha vendet fqinje.

Mendoj se qeveria e Serbisë është duke bërë një gabim shumë të madh, sepse po shpreson se do të ketë mbështetjen e administratës së re amerikane, që është një budallallëk i pastër, dhe se përmes krijimit të ndonjë incidenti apo konflikti do të legjitimojë ndërhyrjen e Rusisë në këtë rajon.

Sipas këtij skenari, pas incidenteve dhe ndonjë konflikti, ndonjë prej klounëve të Putinit, Vuçiqi apo Dodiku, do ta ftonin Rusinë për ndërhyrje, sepse ata vet nuk kanë forcë për zgjidhjen e problemeve. Kjo kërkesë do të ishte e ngjashme si ajo e Asadit për ndërhyrjen e Rusisë në Siri.

DW: Po cili ëshë qëllimi i kësaj ndërhyrjeje, çfarë synon Beogradi të arrijë me këtë ndërhyrje?

Miliq: Qëllimi është që të mundësohet ndërhyrja ruse në këtë rajon. Të gjitha këto tendosje dhe ngritje tensionesh janë vetëm një lojë për krijimin e ndonjë incidenti, që të ndodhë diçka dhe të dalë jashtë kontrollit, në mënyrë që t’i jepet legjitimitet Rusisë për ndërhyrje.

DW: Po cili është qëllimi i Serbisë, çfarë fiton ajo nga kjo ndërhyrje?

Miliq: Në këtë mënyrë Serbia fiton prezencën e përhershme ruse në këtë rajon dhe qeveria e forcon pushtetin e vet. E ndoshta e fiton edhe ndarjen e Kosovës dhe bashkimin e Republikës Serpska me Serbinë. Pak është kjo?

DW: Do të thotë qëllimi është që të realizohet projekti i Millosheviqit i viteve 80-të dhe 90-të, i mbështetur edhe nga Vuçiqi dhe radikalët e tij të dikurshëm, për bashkimin e trojeve të banuara me serbë, nëse ju kuptova mirë?

Miliq: Afërsisht ky është qëllimi. Por interesante është ajo (që budallenjtë në mediat e Serbisë këtu nuk e dinë), se treni është nisur vetëm një ditë pas ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Udhëheqja e Serbisë është nervoze, sepse po u kalon koha kur mund ta komplikojnë gjendjen në Mal të Zi, para se ajo formalisht të futet në NATO. Ky është një prej shkaqeve për ngritjen e nervozitetit në Serbi, ndaj edhe është nisur trenit për të provokuar ndonjë incident.

DW: Zonja Miliq, a duhet të kemi frikë nga përpjekjet e reja për destablizimin e gjendjes në Kosovë dhe shkallëzimin e sërishëm të konflikteve? Por jo vetëm në Kosovë, sepse probleme të mëdha ka edhe në Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni, jug të Serbisë etj. Pra a duhet të kemi frikë nga konfliktet e reja të armatosura?

Miliq: Qendra për Studime Euroatlantike tërë kohën është duke paralajmëruar se në Serbi nuk është bërë reforma e sistemit të sigurisë dhe nuk ka as një “D” nga kontrolli demokratik të sistemit të sigurisë. Në vend të kontrollit demokratik, pushteti Vuçiq – Nikoliq është përpjekur që të vendosë kontroll partiak ndaj organeve të sigurisë.

Por influenca ruse, paqartësitë financiare, gjendja e rëndë materiale tek forcat ushtarake si dhe ndryshimi i balancës së cënimeve, kanë bërë që sot nuk kemi madje as një kontroll partiak të sistemit të sigurisë.

Unë besoj se një kontroll i tillë i sistemit të sigurisë nuk ekziston as në Kosovë dhe Bosnje. Ndaj vendet perëndimore kanë një përgjegjësi shumë të madhe, sepse u kanë dhënë prioritet të gjitha reformave të tjera dhe jo sistemit të sigurisë – në veçanti kur dihet se këto vende kanë kaluar nëpër luftëra të përgjakshme.

Pra ne kemi liderë autokratë, të cilët aktualisht janë shumë nervozë dhe duan të mbajnë pushtetin me të gjitha mjetet. Mënyra e vetme për të mbetur në pushtet është që të krijojnë këtë lloj kaosi dhe incidente, më pas të thonë se ata nuk kanë resurse për ta kontrolluar këtë kaos, dhe të kërkojnë ndërhyrjen e Rusisë.

Pardje nga Vuçiqi dhe Nikoliqi kemi dëgjuar deklarata se ata janë të dëshpëruar me BE-në dhe se ata nuk presin më asnjë mbështetje të Bashkimit Evropian. Çfarë do të thotë kjo? Ata presin pra mbeshtetjen e dikujt tjetër.

DW: A do të thotë kjo se Serbia ngadalë po i kthen shpinën procesit të integrimeve evropiane dhe po orientohet në tërësi drejt Rusisë?

Miliq: Serbia kurrë gjatë kohës së Vuçiqit nuk ka qenë e orinetuar drejt Evropës. Ajo ka ndodhur vetëm në procesin e komunikimit për Marrëveshjen e Brukselit, në kohën kur Vuçiqit i është dashur të pastrojë të kaluarën e tij dhe të legjitimojë pushtetin e tanishëm. Evropa është treguar e gatshme të harrojë të kaluarën e Vuçiqit për hir të Marrëveshjes së Brukselit. Por tani ka humbur influencën e saj ndaj Vuçiqit dhe ai ka nisur të realizojë politikën antiperëndimore dhe t’i kthehet në tërësi Rusisë.

DW: Çfarë duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare – pra Perëndimi dhe Bashkimi Evropian – për të evituar shkallëzimin e gjendjes por edhe për ta kthyer Serbinë në rrugën e integrimeve evropiane?

Miliq: Perëndimi në radhë të parë duhet ta thotë shumë hapur se cila është esenca e Marrëveshjes së Brukselit dhe jo ta fshehë atë, sepse ne nuk kemi nevojë të luftojmë këtu me Vuçiqin, se a ka ROSU të drejtë apo jo të lëvizë në veri të Kosovës.

BE duhet ta thotë qartë se cila është marrëveshja dhe jo që tani të fshihet dhe të thotë se çështja e trenit është një çështje e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo është sikur kur keni një dhunues në shtëpi, ndërsa policia vjen dhe i thotë burrit dhunues dhe gruas së dhunuar se duhet të sillen mirë. Kjo nuk është e mundur.

Pra BE dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të jenë të qartë, jo vetëm në Kosovë por edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Sepse këto ditë Sputnik e ka kontestuar rolin e NATO-s në zbatimin e kësaj Marrëveshjeje. BE duhet të jetë i qartë dhe nuk mund ta shpallë Vuçiqin lider demokratik dhe t’i premtojë hapjen e kapitujve të ri. Duhet thënë qartë: nëse je evropian, së pari duhet t’i dorëzosh tre radikalët në Hagë ku duhet të përgjigjen për krime lufte, duhet të vazhdosh me gjykimin e kriminelëve të luftës në Serbi dhe duhet të ndërpritet politika luftënxitëse në Serbi.

DW: Kur jemi tek krimet e luftës, këto ditë Beogradi ka kërkuar dorëzimin e Ramush Haradinajt në Serbi, ku akuzohet për krime lufte. Mendoni se kjo kërkesë është reale?

Miliq: Unë e kam pyetur mbrëmë kryeministrin: nëse keni të dhëna të reja për krime, pse nuk i keni dorëzuar ato në Gjykatën Speciale? Kjo Gjykatë është themeluar pikërisht për këto çështje, ndërsa gjykata për krime lufte në Serbi nuk është duke punuar asgjë në 18 muajt e fundit, edhe pse Fondi për të Drejtën Humanitare ka dorëzuar shumë dëshmi konkrete për krimet e ish-shefit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë Serbe, gjeneralit Dikiq. Në vend të këtyre qeveria po merren me përndjekjen e Haradinajt.

DW: A mendoni se Haradinaj do të ekstradohet në Serbi?

Miliq: Unë nuk e di këtë, por shpresoj se Franca është e vetdijëshme se është krijuar një Gjykatë kompetente për krimet e UÇK ndaj serbëve. E nëse Haradinaj është i përzier në këto krime, atëherë duhet të përgjigjet. Nëse jo, duhet të jetë i lirë.