Rikthehen reshjet e borës, zbardhen Korça, Gjirokastra e Saranda. Izolohen fshatrat e...

Rikthehen reshjet e borës, zbardhen Korça, Gjirokastra e Saranda. Izolohen fshatrat e Skraparit

I ftohti polar dhe reshjet e dëborës vijojnë të mbajnë të mbërthyer vendin tonë. Qyteti i Gjirokastrës dhe Sarandës është zgjuar këtë mëngjes i zbardhur nga dëbora. Mësohet se në Gjirokastër dhe fshatrat përreth bora ka nisur që prej mesnatës së djeshme, ndërsa vijon të bjerë. Si pasojë e ngricave një 60-vjeçar me inicialet H.Ç është rrezuar në rrugë dhe dërguar në spital nga zjarrfikësit.

Në Gjirokastër aktualisht ka rënë rreth 15 centimetër borë, në Përmet 7 centimetër, në Tepelenë 4 centimetër. Ndërkohë të gjitha akset në qarkun e Gjirokastrës dhe rruga për në Sarandë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Situata më problematike paraqitet tek “Qafa e Muzinës” dhe “Uji i ftohtë”, ku në të dy vendet janë angazhuar borë-pastruese për të bërë të mundur qarkullimin e automjeteve.

Policia Rrugore, është në gatishmëri dhe po monitoron lëvizjen e automjeteve, duke ju ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve. Policia i bën apel qytetarëve të shmangin të gjithë lëvizjet e pa nevojshme, dhe në rast emergjence të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmën e policisë.

Reshjet e dëborës janë rikthyer dhe në juglindje të vendit. Në qytetin e Korçës trashësia e dëborës arrin në 10 centimetra, ndërsa në zonat rurale arrin në 25 centimetra. Në Ersekë trashësia e dëborës arrin në 30 centimetra. Sipas policisë të gjitha akset rrugore në këtë qark janë të kalueshme me zinxhirë. I bllokuar vijon të mbetet aksi rrugor Ersekë-Leskovik, ndërsa vijon puna për kriposjen dhe pastrimin e rrugëve në të gjitha akset.

Në Dibër temperaturat gjatë natës kanë arritur në -22 gradë celsius, ndërsa aktualisht temperatura shënon -17 gradë celsius. Reshjet e dëborës kanë vijuar gjatë natës në disa zona të Dibrës. Rrugët rurale janë të pakalueshme nga akulli, ndërsa zona e Lurës është totalisht e bllokuar si pasojë e borës dhe ngricave.

BLLOKOHEN RRUGËT QË LIDHIN SKRAPARIN ME FSHATRAT
Moti i keq ka krijuar vështirësi për fshatrat në Skrapar, pasi pothuajse të gjitha rrugët janë izoluar. Mësohet se të bllokuara janë rrugët për në fshatin Gjerbës, Çepan, Konak, Dërvi dhe Potom. Raportohet se dëbora në Qafën e Devrisë arrin në 70 cm, ndërsa brenda në qytet arrin në 15 cm.

SHPËRNDAJE