LSDM: TË MOS LEJOHET FORMIMI I QEVERISË NGA KRIMINELËT. VMRO: ZAEV TA...

LSDM: TË MOS LEJOHET FORMIMI I QEVERISË NGA KRIMINELËT. VMRO: ZAEV TA PRANOJ HUMBJEN

Në takimin e mbrëmshëm të Këshillit Ekzekutiv të LSDM-së, është konstatuar se vendi duhet të ketë Qeveri e cila do t’i zgjidh problemet e qytetarëve.

“Qytetarët dëshirojnë jetë kualitative, në një shoqëri të qytetarëve të barabartë, drejtësi dhe gjyqësor të pavarur, institucione shtetërore që do të punojnë në shërbim të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e LSDM-së, përcjell “SHENJA”.

Nga partia e Zaevit rikujtojnë se gjithë ajo që është e shkruar në Raportet e Komisionit Evropian dhe të Pribesë duhet të jetë prioritare për Qeverinë e re.

“Gjithë partitë që kanë fituar  mandate në Kuvend, përpos udhëheqësisë kriminele të VMRO-DPMNE-së, nuk duhet të lejojnë formim të Qeverisë në të cilën do të marrin pjesë persona të cilët akuzohen për vepra të rënda penale, të cilët kanë shkatërruar perspektivat dhe jetët e qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet më tej në komunikatën e LSDM-së.

Në lidhje me këtë komunikatë kanë reaguar nga VMRO-DPMNE të cilët kanë thënë se “Qytetarët e Maqedonisë në zgjedhjet e 11-dhjetorit i thanë një ‘JO’ të madhe politikave për shkatërrim të shtetit dhe ekonomisë, politikanëve të korruptuar dhe profiterëve nga grupacioni i LSDM-së”.

Sipas tyre VMRO-DPMNE ka marrë mandatin nga qytetarët për të formuar Qeveri dhe të shndërroj vullnetin e tyre në projekte reale për të përmirësuar jetesën e tyre.

“Në vend të komunikatave patetike me të cilat Zaev ende mendon se i gënjen anëtarët e partisë së tij se nuk ka humbur në zgjedhje, ata presin përgjigje se kur do të mbajë premtimin për dorëheqje”, kanë pyetur nga VMRO-DPMNE.  (E.M /SHENJA)

SHPËRNDAJE