Ballina Lajme VIDEO: Kumanovë, qytetarët e revoltuar gjuajnë me gurë funksionarët e BDI-së

VIDEO: Kumanovë, qytetarët e revoltuar gjuajnë me gurë funksionarët e BDI-së

Pjesëmarrja e liderit të BDI-së Ali Ahmeti në një tubim partiak në fshatin Çerkëz të Kumanovës është kundërshtuar me protesta nga banorët shqiptarë në krye të të cilave ishin familjarët dhe miqtë e komandant Shqiponjës i cili u vra vitin e kaluar.

Protestuesit kishin bllokuar rrugët dhe janë munduar të mos lejojnë Ahmetin të mbajë tubimin por janë penguar nga policia. Qytetarët e revoltuar kanë gjuajtur gurë në drejtim të veturat të kreut dhe funksionarëve të BDI-së, të cilët vetëm nën shoqërimin e policisë kanë arritur të hyjnë në objektin ku ishte organizuar tubimi.

“Prej rastit të Sopotit, Monstës, rastit këtu në Kumanovë tek Lagja e Trimave dhe vrasjen e komandant Shqiponjës, unë nuk ja bëj hallall. Me gjak i ka bërë me gjak ka me i larë. Vonohet por nuk harrohet. Le ta dijë se nuk ka cfarë kërkon në Kumanovë”, tha Mjedi Rexhepi, babai i Komandant Shqiponjës.

“Jam vëllai i Rexhail Qerimit, ish ushtarit të UCK-së që u montua në vitin 2008 i dënuar me burg të përjetshëm. Ka 8 vite që Ali Ahmeti me klanin e tij politikë më mashtrojnë për lirimin e tij”, u shpreh Jetulla Qerim, vëllai i Rexhail Qerimit, ish ushtar i UCK-së.

Në parullat që mbanin në duar protestuesit e kanë akuzuar për tradhti kreun e BDI-së Ali Ahmetin dhe e kanë përkujtuar për vrasjen e komandant Shqiponjës, luftimet në Lagjen e Trimave dhe gjendjen e rëndë të shqiptarëve të Kumanovës.

Por, gjatë fjalimit të tij para përkrahësve të tij Ahmeti, tha se protestuesit janë manipuluar.

“Këtu përfaqësohet atdhetaria, patriotizmi i shqiptarëve të Kumanovës që nuk bien në grackë të grupeve të caktuara që interesat dhe punën e tyre e bëjnë në shërbim të armiqve tanë dhe pushtuesve tanë shekullor”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Më të zëshëm kundër Ahmetit, kanë qenë miqtë e komandant Shqiponjës i cili u vra më 23 korrik të vitit 2015 si pasojë e pakënaqësive brenda degës së BDI-së në Kumanovë. Të akuzuarit për këtë rast muaj më parë gjykata i ka lënë në burgim shtëpiak.

Fatlum Aqifi

*******

Edhe përkundër situatës së tensionuar dhe incidenteve, tubimi I planifikuar I BDI-së në Kumanovë është realizuar. Në tubim të pranishëm krahas kreut të kësaj partie ishin edhe një numër I madh i funksionarëve.

Megjithatë paraprakisht gjatë hyrjes për në lokalin ku duhej të mbahej tubimi protestuesit sulmonin me gurë dhe gjësende të forta. Protestuesit më pas u shpërndanë në mënyrë të qetë. Mirëpo raportohet se policia nuk ishte në nivelin e duhur, pasi nuk ndërmori masat e duhura për të parandaluar incidentin.

Ndryshe familjarët e të ndjerit Xhemail Rexhepit, i njohur si “Komandant Shqiponja”, kanë bërë thirrje që të ndalohet vizita e Ali Ahmetit në Kumanovë. Vëllai i Komandant Shqiponjës, ka ftuar qytetarët që të mblidhen në hyrje të fshatit Çerkez, për të shprehur revoltën kundër ardhjes së kreut të BDi-së.

Ja postimi i tij i plotë:

“Qytetar të nderuar të Kumanovës ju ftoj që të shprehim revoltën kundra ardhjes së A.Ahmetit në Kumanovë,do të mblidhemi në hyrje të fsh.Çerkez para restorantit Royal Palas ora 15h. Kush e deshi më shumë se Komandant Shqiponja Kumanovën, me respekt familja Shqiponja.”

*******

Ka filluar tashmë tubimi i planifikuar i BDI-së në Kumanovë, ndërkohë që qytetarët e revoltuar po gjuajnë me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të vendit ku mbahet tubimi dhe makinave përreth.

Ndërkohë edhe përkundër tentimit të policisë për të shpërndarë protestuesit në Kumanovë, ata kanë refuzuar duke vazhduar që qëndrojnë në rrugë.

Informata më të hollësishme rreth mitingut të BDI-së  dhe revoltës së banorëve të Kumanvës do të mund të ndiqni në lajmet e orës 19:00.

******

Bashkimi Demokratik për Integrim  po bëhet gati për të mbajtur tubimin e paralajmëruar me qytetarët e Kumanovës në një restorant në hyrje të këtij qyteti, përkatësisht në afërsi të fshatit Çerkez në kuadër të fushatës parazgjedhore, dhjetëra banorë, kryesisht familjarë të Komandant Shqiponjës i cili u vra si pasojë e pakënaqësive në degën e kësaj partie në Kumanovë verën e vitit të kaluar dhe banorë të Lagjes së Trimave janë mbledhur për të shprehur pakënaqësinë e tyre për vrasjen e Shqiponjës dhe ngjarjet e majit të kaluar në Lagjen e Trimave dhe për të parandaluar ardhjen e liderit të BDI-së Ali Ahmeti në këtë tubim partiak. Ata kanë bllokuar rrugën duke thënë se nuk do të tërhiqen derisa të sigurohen se Ahmeti nuk do të hyjë në tubimin partiak.

Alsat-M