Ballina Opinione Trump, histeria botërore dhe provincializmi shqiptar

Trump, histeria botërore dhe provincializmi shqiptar

Nga Bledar Kurti*

Çfarë mësojmë tjetër nga fitorja spektakolare e Donald J. Trump? Mësojmë që ngjyrosjet emocionale të mediave, format e bukura të paraqitjes, populizmi i medias së re janë të rrezikshme për një vend, pasi nuk reflektojnë realitetin e saktë, shkruan Kurti

Cila është gjëja e parë që mësoi e gjithë bota nga fitorja e Donald J. Trump? Teksa të gjitha sondazhet shpallnin Hillary R. Clinton si fituese, dhe teksa CNN, Washington Post, dhe media të tjera prestigjioze garonin me fodullëk, njëanshmëri, dhe me militantizëm se me sa përqindje do fitonte Clinton, 92,93,94,95,96,99,99.9%, rezultati i fitores së Trump nxori në dritë atë që askush nuk mund ta besonte: vdekjen e medias tradicionale dhe pabesueshmërinë e medias së re.

Gjatë të gjithë fushatës, televizione dhe gazeta me famë botërore pushuan së bëri gazetari, harruan të ruajnë paanshmërinë profesionale, u lejuan të përdoren nga lobe të fuqishme dhe dytësore të “establishmentit” dhe me një fanatizëm të paprecedent në historinë e SHBA sulmuan një kandidat të dalë nga primaret amerikane dhe të mbështetur, siç u pa nga zgjedhjet, nga rreth 63 milionë amerikanë. Në vend që të tregoheshin profesionistë, mediat botërore, përfshirë edhe në Ballkan dhe Shqipëri, u bashkuan në një betejë globale kundër një kandidati të shpallur nga një proces demokratik, fitues i primareve, dhe fitues me rezultate spektakolare i presidencës. Kur mediat tradicionale pranuan të jenë emocionale, ky shënoi fundin e tyre.

Edhe media e re rezultoi si një balonë tauke përballë uraganit Trump. Nën vorbullën e kotësisë virtuale, koncepteve të gabuara dhe aspak relevante si për shembull karta e gruas presidente ose ajo e racizmit, ofenduan inteligjencën e pjesës më të madhe të qytetarëve amerikanë. Më në fund një grua presidente? E çfarë do të thotë kjo për gruan? Gratë kanë shembuj të jashtëzakonshëm drejtimi, si për shembull, Margaret Thacher dhe Angela Merkel, dhe monarket e shumta si Elizabeta I dhe II, Viktoria etj., ndaj amerikanët nuk mund të binin pre e sajesave të medias së re.

Gjithashtu, pjesë e sulmit global, përfshirë Hollivudin, mediat, rrjetet sociale etj. ndaj Trump u bënë edhe komentet e tij seksiste. Brezi i ri i facebook-ut në botë dhe ai i makiatos në Shqipëri kanë disavantazhin e njohurive historike. Historia na tregon që nëse bëhet fjalë për seksizëm, Presidentët më të shquar të kësaj fushe ishin Demokratë, pra nga partia e Clinton, dhe jo Republikanë nga partia e Trump. Këtu përmendim F.D. Roosevelt, John F. Knnedy, dhe Bill Clinton, presidentët më të shquar të historisë amerikane, ndërkohë dhe seksizmit të pushtetit. Ndaj edhe kjo kartë i ofendoi inteligjencën popullit amerikan.

Gjithashtu, Donald J. Trump u akuzua për racizëm, dhe mbarë mediat botërore (dhe shqiptare) nuk përmendën që Trump përfaqësonte partinë e Abraham Lincoln, heroin e betejës kundër skllavërisë, ndërkohë që demokratët kërkonin të ruanin status quo-në e rendit skllavëror. Historia nuk gjykohet por ajo duhet prezantuar e plotë. Opinioni publik botëror u drejtua në verbëri në shtigjet e lobit liberal post-iluminist. Politikat e znj. Clinton përfshinin shumë mbështetjen ndaj shoqërisë civile. Në mbarë botën shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm por fatkeqësisht në shumë vende, kryesisht në Evropë dhe Ballkan, është shndërruar në një institucion vjeljesh fondesh dhe akumulim përfitimesh. Znj. Clinton kërkonte të sillte një frymë liberale evropiane në një Amerikë kapitaliste, e cila është ndërtuar mbi punë dhe jo hile, mbi kapital dhe investime dhe jo vullnetarizma për kauza të dyshimta, mbi bindjen që është sistemi ai që sjell ndryshimet dhe jo grupimet e vogla interesash. Amerikanët votuan me zgjuarsi dhe zgjodhën trashëgiminë, sistemin e qeverisë, dhe refuzuan eksperimentet liberale post-iluministe.

Histeria Clinton zaptoi edhe politikën dhe mediat shqiptare. Si pjesë e sulmit global ndaj Trump qytetarëve shqiptarë iu servirën gjysmë të vërteta ose shtrembërime faktesh. Për muaj me radhë shqiptarëve iu injektua frika se Trump është pro Serbisë dhe kundër Kosovës. Populli shqiptar i është mirënjohës Presidentit Clinton për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, por askush nuk përmendi (qëllimisht) që ishte një President Republikan, George W. Bush ai që bëri të mundur Pavarësinë e Kosovës, dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Qëllimisht qytetarët shqiptarë u lanë në hije nga fakti që politikat e SHBA ndaj Shqipërisë kanë qenë dhe do vazhdojnë të jenë tejet miqësore, sepse ne jemi një popull pro-amerikan dhe se ky fakt prevalon mbi çdo linjë të opinionit presidencial, pasi në SHBA sistemi nuk lejon diktatorë, as aventurierë, as individë të krisur që mund të bombardojnë botën me armë nukleare, as të ndryshojnë politikat e jashtme të paracaktuara dekada më parë, sepse SHBA nuk është Shqipëria ku sistemi është i kalbur dhe ata që e drejtojnë atë edhe më të kalbur, ndaj Presidenti i 45-të i SHBA, Donald J. Trump, do e dojë Shqipërinë sepse amerikanët, ata që e kanë mirëbesuar atë si Commander in Chief, e duan Shqipërinë.

Çfarë mësojmë tjetër nga fitorja spektakolare e Donald J. Trump? Mësojmë që ngjyrosjet emocionale të mediave, format e bukura të paraqitjes, populizmi i medias së re janë të rrezikshme për një vend pasi nuk reflektojnë realitetin e saktë. Stili Clinton/Obama, i fotove pafund në rrjete sociale, plot formë e kompozim të bukur por pa përmbajtje janë një realitet virtual dhe jo real, dhe si një flluskë sapuni shkrihen në pak kohë. Politika shqiptare ka vite që jeton në këtë flluskë virtuale dhe qeverisja e vendit orientohet më së shumti nga facebook-u se sa zgjidhja reale e problemeve dhe sfidave që ka vendi.

Histeria e rrjeteve sociale që ka zaptuar edhe politikën, qeverinë dhe shoqërinë shqiptare është tejet e rrezikshme pasi një rezultat shokues na pret, jo vetëm në zgjedhje, por edhe në bilancet ekonomike dhe shoqërore.

SHBA ka një sistem politik bi-partiak, por asnjë parti në Shqipëri nuk mund të identifikohet me të majtët apo djathtët në Amerikë pasi janë tërësisht pa përputhje dhe jashtë kontekstit. Amerika është Amerikë pasi çdo gjë e bën në mënyrë amerikane. Kur Amerika ftohet e gjithë bota teshtin, dhe kur Amerika lulëzon e gjitha bota përfiton nga begatia e saj. Zgjedhjet në Amerikë kanë një domethënie tejet të rëndësishme në mbarë botën. Populli amerikan është një popull i zgjuar pasi ka ngritur një komb të madh dhe një shtet të pashoq, i cili duhet të kujdeset për politikat e brendshme dhe të jashtme të mbarë botës, ndaj katër vitet e ardhshme Presidentit të ri të SHBA, i duhet të mbajë mbi supet e tij të gjithë globin.

*Zv/President i Republican Friends Club Albania