Ballina Bota Tregjet aziatike të bursave tronditen nga fitorja e Trumpit

Tregjet aziatike të bursave tronditen nga fitorja e Trumpit

Lajmi i fitores së Donald Trumpit shkaktoi tërmet në tregjet aziatike të aksioneve. Në të gjithë rajonin, ato u mbyllën në ulje. Paratë vërshuan nëpër parajsa të sigurta aksionesh, floriri dhe valutash të ndryshme, përfshirë jenin. Indeksi japonez “Nikkei 225” ra me 5.4%.

Luhatje të forta patën edhe tregjet europiane. Duket se tregjet, përgjithësisht kishin pritur një fitore të rehatshme të Hillary Clintonit. Triumfi i Trumpit ishte një shok për ta, ashtu siç ishte dhe rezultati i referendumit për shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Për çdo rast, bursat nuk u shkundën këtë herë aq dhunshëm, sa ç’bënë pas “Brexit”-it. Indeksi “Hang Seng” i Hong Kongut u mbyll 2.2% më pak, “Shanghai Composite” shënoi humbje prej 0.6%, “ASX 200” i Australisë ishte me rënie 1.9% dhe 2.7% më pak pati “Kospi” i Koresë së Jugut.

Luhatje pati edhe “Doë Jones”-i amerikan dhe “FTSE 100” e Londrës. Fitorja e Trumpit është parë gjerësisht si negative për ekonomitë aziatike, për shkak të retorikave të tij proteksioniste. Prej kohësh, ai flet për ndryshimin e tarifave të importeve kineze dhe ndëshkimin e kompanive amerikane, që e dërgojnë aktivitetin jashtë kufijve.

Sesa do t’i vërë vërtet në zbatim të tilla kërcënime, e sa do t’i kthejë në politika premtimet e bëra gjatë fushatës, kjo mbetet për t’u parë. Investitorët, ndërkohë, duket e kanë ndarë mendjen se çfarë nënkupton Presidenca e Trumpit për Azinë dhe, duke gjykuar nga reagimi i tyre, mendimi që ndajnë është se nuk ka për të qenë diçka e mirë.

Fjalimi i tij me tone të zbutura dhe zotimi për të hedhur miliarda dollarë në infrastrukturë i dha disi një frymëmarrje tregjeve, duke përçuar një ndjesi qetësimi, por situata nuk është stabilizuar ende.