Ballina Kultura Të dish të fotografosh shqiptarët

Të dish të fotografosh shqiptarët

SHPËRNDAJE

Mbi librin e britanikut Alan Andoni, “Shqiptarët para pasqyrës”

Arta MARKU

Ëndrra e shumë shqiptarëve është të vizitojnë dhe të jetojnë në Londër. Nuk është e pazakontë të dëgjosh njerëz që nuk kanë qenë kurrë në Londër dhe të thonë “E dua Londrën!”. Ndodh kështu sepse për pjesën më të madhe, kjo është një ëndërr e parealizueshme (faktikisht Amerika është ëndrra e madhe por është aq e vështirë dhe e pamundur të shkosh atje, ndaj njerëzit preferojnë të shkojnë në Angli… njëlloj si të ëndërrosh të shkosh në Mars por arrin vetëm në Hënë).

Ata shqiptarë që kanë jetuar në Angli dhe kanë punuar me orë të zgjatura për të nxjerrë bukën e gojës për vete (dhe familjarët në Shqipëri) nuk ia lejojnë vetes të turpërohen te të afërmit dhe t’u thonë se sa e vështirë është jeta atje. Ata u tregojnë të tjerëve se jeta në Angli, veçanërisht në Londër është e mrekullueshme. Edhe pse realiteti atje është i vështirë, shumica parapëlqejnë të robtohen në Angli sesa të jetojnë në Shqipëri.

***

Të gjithë e dimë se është pikërisht sikurse shkruhet më lart. Është një përgjithësim e sigurisht që përjashtime ka. Por përjashtimet nuk mund ta rrëzojnë sa më sipër, që britaniku Alan Andoni e shkruan në librin SHQIPTARËT PARA PASQYRËS, teksa kërkon t’u zbulojë velin shqiptarëve.

Dihet, të njohësh vetveten nuk është e lehtë. Madje, tek kundrohemi në pasqyrë, edhe pse tingëllon e pangjarë, ajo që shohim nuk është mirëfilli realiteti. Ishte befesues rezultati i një studimi psikologësh, që lexova disa vite më parë, sipas të cilit, një njeri, e njeh veten më mirë në një foto, nëse ajo është e manipuluar, nëse imazhi i stampuar aty është i përmirësuar. Sigurisht nuk është fjala për një tipar shqiptarësh, është thjesht tipar njerëzor. E kjo, do të thotë, se përballë pasqyrës, më shumë se ajo që është ravijëzuar mbi argjend, perceptohet prej nesh ajo që duam të jetë e ravijëzuar. Ama, pasqyrën nuk mund ta manipulojmë… tek e fundit nuk ka pse. Për më tepër, vetëm në ballafaqim të ndershëm me të, mund të fillojmë nga pak të njohim veten. Të njohim tiparet fizike në rastin konkret…

Sa për tiparet karakteriale, mund të na shërbejë libri “Shqiptarët para pasyqrës”.

***

Ishte një libër me të vërtetë interesant që më dha shijen e zbulimit të vetvetes. Jo se nuk i dija informacionet që ofronte, por, si të thuash, kishin mbetur përskaj vëmendjes, sikur të mos ekzistonin. E ndërsa dikush tjetër, i kishte grumbulluar e renditur në faqe libri, më dha mundësinë t’i shijoja si një zbulim. Po, shqiptarët qenkëshin ashtu sikurse Alan Andoni i përshkruan në librin “Shqiptarët para pasyqrës”. Origjinalë e të pangjashëm me britanikët, me veriorët e Europës apo të tjerë. Interesantë sigurisht, me cilësi dhe me jo pak të meta: simpatikë dhe gazmorë herë herë; cinikë dhe dinakë tjetër herë; apo manipulues dhe lojcakë; ose dembelë dhe shpërfillës; sikurse të shkathët dhe të mprehtë; e sidomos familjarë e të dashuruar me shtëpinë; pa dyshim vlerësues të shijes së mirë në ushqim e ndoshta edhe të shijeve të tjera…

***

Cilët jemi ne, shqiptarët, në të vërtetë?

Në gjenezë të librit “Shqiptarët para pasqyrës”, duhet të ketë qenë ideja për t’ia zbuluar shqiptarët botës. Por ja që vlen edhe si mundësi për t’i zbuluar shqiptarëve veten. Mu ashtu siç thuhet në titull, Alan Andoni U VË SHQIPTARËVE NJË PASQYRE PËRPARAdhe u thotë: ja cila është forma e hundës suaj, ja sytë, vetullat, mollëzat flokët… gjithçka. E thashë më lart se libri nuk ka të bëjë me tiparet fizike të shqiptarëve, ashtu sikurse askush nuk i merr realisht shqiptarët t’i verë para një pasqyre. Jemi në një terren socilogjik, psikologjik, atropologjik…, ku vëzhgohet karakteri, zakonet, manierat, sjelljet, qëndrimet a këndvështrimet, që të lë, në çdo çast, befasues nga konturimi i saktë i imazhit në pasqyrë…

 

***

…Për një europiano verior, puna ka rëndësi parësore. Ndërsa argëtimi duhet të justifikohet. Për shqiptarët, qëllimi është të shmanget puna apo çdo aktivitet tjetër që nuk përfshin kafenetë, qëndrimin me familjen apo të sorollaturit kot… përpiqen që të mos e mbajnë radhën apo nxitojnë për t’u nisur të parët, sapo të ndizet drita jeshile e semaforit, vetëm për të fituar dy minuta më tepër kohë qëndrimi pasiv në kafene. Nëse të shohin duke vrapuar në rrugë, mendojnë se ke vjedhur diçka.

Burrat shqiptarë rrinë kot, pa bërë asgjë. […] Gratë, krejt ndryshe nga burrat, nuk sillen vërdallë kot. Ato gjithmonë janë nisur për diku dhe ecin me një synim në mendje: të marrin fëmijën te gjyshërit, të bëjnë pazar, të shkojnë në shtëpi, të gatuajnë e kështu me radhë.

***

E kush mund ta mohojë se janë pikërisht shqiptarët në këtë sipërpërshkrim. Shqiptarët e Çajupit sipas të cilit, “burrat nën hije lozin kuvendojnë, pika që s’u bijë se nga gratë rrojnë”. Shqiptarët e Çajupit të cilët, pavarësisht se në një kontekst krejt tjetër kohor, kanë të njëjtin thelb edhe pse me ndryshime të vogla. Nëse ky tipar shqiptarësh i përshkruar nga Alan Andoni, apo të tjera që gjenden në librin e tij, nuk na vijnë menjëherë në mendje po të na duhet të përshkruajmë veten, kjo ndodh se nuk e kemi vrarë mendjen të qëndrojmë pak për të reflektuar. Ose, ngase jemi brenda së tërës, pjesë e së tërës e asgjë nga brenda nuk na tërheq vëmendjen ngase na është bërë zakon. Ama kur dikush na i thotë, apo i lexojmë, shkruar e zeza mbi të bardhë, s’mundemi veç të pohojmë.

Në një çast, të vjen të pyesësh se si mundet që dikush nga jashtë të vijë e të na zbulojë kaq qartësisht? Me shumë gjasë kjo shpjegohet me faktin që nga jashtë është më e lehtë të konturohet figura. Sakaq, britaniku Andoni, autori i librit “Shqiptarët para pasyqrës”është vëzhgues i hollë e i vëmendshëm, të cilit nuk mund të mos i bënin përshtypje tipare që nuk kanë lidhje me zakonet e tij…

Kur e lexoja librin “Shqiptarët para pasyqrës”, mendoja për saktësinë në përshkrim të të huajve për ne. Sepse në përgjithësi të huajt na përshkruajnë saktë. Kuptohet, po flas për rastet kur nuk kanë qysh në krye të herës qëllime dashakeqe. Kësisoj më erdhi në mendje libri “Dy bredharakë në Shqipëri” të Jan dhe Kora Gordonit. Edhe në këtë libër autorët janë përshkrues të qartë dhe besnikë. Aty këtu janë pak cinikë ndaj prapambetjes shqiptare e ndaj ndonjë tipari tjetër. Herë herë shfryjnë të nervozuar. Por, tek e fundit si mund të mos jesh i tillë për Shqipërinë e vitit 1925…

Sa për Alan Andonin, ai vetëm i inatosur me shqiptarët nuk është, përkundrazi. Madje duket se vlerëson tipare të caktura tonat, e herë herë gjen ndonjë përkim, që e afron me ne dhe e largon me britanikët e akullt e të kalkuluar.

***

arta-marku-640x445

Pak kombe të tjera e kanë artin e kryerjes së shumë detyrave njëkohësisht aq të rafinuar sa populli shqiptar. Shoferët janë të talentuar për këtë gjë. Ata janë të aftë të pinë kafe, të tymosin një cigare, të flasin në telefon, të debatojnë me këmbë e duar me personin pranë, të shajnë me gjeste shoferët e tjerë, t’i bien borisë, të shkruajnë.

Nuk është e pazakonshme të shohësh në një motoçikletë burrin gruan dhe dy fëmijët. Ndërsa nget motoçikletën, burri mban edhe çadrën për të mbrojtur familjen nga shiu, kurse pjesa tjetër e familjes flet në telefon, kontrollon fb, diskutojnë me këmbë e duar dhe mbajnë njëri- tjetrin se mos bien.

Edhe disa kanale televizive shfaqin shumë pamje njëkohësisht duke e mbushur ekranin me të dhëna si të ishte faqe interneti. Figura kryesore është në mes, me lajme (dhe një përmbledhje me një rresht nën të) ose me intervista apo reklama të kremrave që largojnë shenjat e padëshirueshme të trupit. Rreshti i parë në ekran tregon orën, datën dhe temperaturën, kurse rreshti i fundit shfaq titujt kryesorë me një anglishte të çuditshme. Mund të shohësh një lajmërim publik diku tjetër në ekran, një titull tjetër dhe një reklamë me drita vezulluese që të çmendin. Në universitet shumica e studentëve munden të dëgjojnë leksionin, të flasin me shokun, të çojnë sms, të bëjnë fjalëkryqe dhe të shohin nga dritarja njëkohësisht. Profesori ndjehet i pakënaqur sepse është i detyruar të zhvillojë vetëm një veprimtari: mësimdhënien…

***

Jo se lektori në një auditor universiteti shqetësohet me të vërtetë pse nuk bën dot edhe diçka tjetër veç leksionit, ama të sipërpërshkruarit, pavarësisht teprimeve që shoqërojnë gjithnjë humorin, janë shqiptarët. Shqiptarët me një mendësi të caktuar, me zakone të trashëguara por edhe të reja, të fituara së fundmi për shkak të rrethanave apo të hapjes me botën. Shqiptarët me një histori të caktuar, me një të shkuar specifike, me elemente te përbashkëta me vende të tjera por mbi të gjitha, me individualitet të jashtëzakonshëm. Shqiptarët me një të tashme që ndoshta s’e duan, e ndoshta e dëshirojnë kryekëput ndryshe por që nuk bëjnë asgjë për ta ndryshuar, dhe akoma më shumë, bëjnë gjithçka që e tashmja të vazhdojë të jetë kjo që është e për pasojë, e ardhmja jo shumë ndryshe.

***

“Takohemi në kafe!”- thonë shqiptarët. Se kafeneja është një vend i rëndësishëm. Një hapësirë, e kuruar me kujdes, gjithnjë e tejmbushur qysh herët në mëngjes, në mesditë apo pak pas mesdite, sadoqë është kohë pune. Vëmendjes së Alan Andonit, nuk mund t’i shpëtonte një gjë e tillë. Në fakt edhe vëmendjes më të fjetur nuk do t’i shpëtonte. Por ka tipare të tjera shqiptarësh, të cilat për t’i xjerrë në pah kanë nevojë pikërisht për vëmendje të mprehtë, falë së cilës, rezultati është saktësi e pakundërshtueshme.

Për shembull, teksa lexon për planifikimin, dmth mënyrën se si planifikojnë shqiptarët, si i lënë takimet si e organizojnë ditën apo javën, lexuesit i krijohet ideja se është duke përshkruar pikërisht rastin e tij vetjak. Në fakt Alan Andoni e sqaron: “të thuash që shqiptarët nuk bëjnë dot plane është thjeshtëzim i madh i së vërtetës”. Ama ne i bëkemi planet çuditshëm… Së pari, jemi besëtytë dhe mendojnë se më mirë të mos planifikohet. Deri edhe takimet për nesër i lihen çastit të fundit…  sepse mund të dalë diçka e papritur. “Celularët sikur janë shpikur posaçërisht për shqiptarët”, që ta thërrasin njëri-tjetrin për të lënë takim pas 10 minutash. Dhe pothuaj gjithnjë funksionin. Nuk ndodh në kulturën anglosaksone që dikush të të marrë në telefon papritmas dhe të të ftojë për kafe. “Europiano-veriorët e konsiderojnë spontaneitetin si diçka të ulët, ndërsa shqiptarët përkundrazi janë mëse spontanë… një i tillë spontaneitet nuk le vend për orare të sakta…”

***

E metë apo cilësi? Sa për spontaneitetin, varet si e sheh, apo varet se ku apo kur e sheh. Vetë autorit të librit “Shqiptarët para pasqyrës” i pëlqen spontaneiteti. Por sido që ta gjykosh, për spontaneitetin, mungesën e planifikimit apo përshkrimin e sa e sa tipareve të tjera, nuk kemi të bëjmë me rastin e nxirjes së një portreti. Sepse së pari Alan Andoni nuk gjykon. Mbi të gjitha nuk sheh nga lart por thjesht nga larg. E s’andejmi dallon edhe jo pak elemente pozitive. Për shembull dallon aftësinë për t’u përshtatur të shqiptarëve; dallon mikpritjen; dallon vlerësimin e familjes dhe nuk ngurron të shprehet në libër se “familja është alfa dhe omega e ekzistencës së një shqiptari”; dallon pastërtinë si një tipar shqiptarësh, dashurinë për shtëpinë që ka pothuaj vlerën e një tempulli që tërheq ndjeshëm vëmendje dhe përkushtim. Jo vetëm gatesat shqiptare ia vlejnë për Alan Andonin, jo vetëm disa receta origjinale, por mbi të gjitha freskia në kuzhinë që nuk i pranon ushqimet gjysmë të gatshme apo shijen artificiale të konservave që i gëlltisin automatët e kohëve moderne.

***

Përshkrimi i shqiptarëve, është i hollësishëm. Flitet për të gjitha apo pothuaj të gjitha: për lidhjet romantike dhe dasmat, për librat dhe gazetat, për heronjtë e fëmijëve dhe kulturën popullore, për muzikën tradicionale dhe tallavanë e sotme, për median dhe televizionet, për transportin, arsimin, rendin dhe ligjin, për korrupsionin, falsifikimin, ekonominë, për profesionet, për gjuhën… Janë renditur deri edhe disa fjalë të urta mbresëlënëse, për t’i lënë vendin e vet edhe thashethemeve apo një dialogu tipik shqiptarësh që takohen rastësisht në rrugë.

S’besoj të ketë lexues që të mos e gjejë veten protagonist sa në një kapitull a në një tjetër. Kurse humori që shoqëron librin të bën të pranosh gjithçka me lehtësi. Në fakt pranimi është jashtë çdo dyshimi, sepse këta të librit “Shqiptarët para pasyqrës” janë shqiptarët e vërtetë, duam apo s’duam. Por ndoshta, nëse humori edhe pse herë herë therës, nuk do të shoqëronte rrëfimin, s’do na kish mbretur veçse një pranim zëulët, heshtazi, por pa hezitim gjithsesi: PO, KËTA JANË SHQIPTARËT! KËTA JEMI NE!

***

Më vjen sërish në mendje libri DY BREDHARAKË NË SHQIPERI. S’ka humor në libër, e megjithatë aty janë  shqiptarët. Të vërtetët. Ata të viteve të para të shekullit XX. Tashmë te “Shqiptarët para pasyqrës”, gati një shekull më pas, gjejmë të njëjtët shqiptarë, ose pothuajse. Se thelbi vështirë të ndryshojë…