SPIUNËT SHQIPTARË KRIJUAN KARRIERË POLITIKE

SPIUNËT SHQIPTARË KRIJUAN KARRIERË POLITIKE

Nga Delvina KËRLUKU

Qerim Lita u lind më 16 shtator 1964 në fshatin Zelenikovë – Shkup. Shkollimin fillor e kreu në fshatin Studeniçan, të mesmen në “Dr. Pançe Karagjozov” – Shkup (1982/83), ndërsa arsimin e lartë në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori dhe Filologji në vitin 1997. Në vitin 2009, në Universitetin Shtetëror të Tetovës, mbrojti temën e magjistraturës “Komiteti Qendror i NDSH-së dhe Azem Marana”, ndërsa në vitin 2015 në Institutin e Historisë Nacionale – Shkup, mbrojti disertacionin, me temën “Çështja Shqiptare në RS të Maqedonisë nga Plenumi i Brioneve e deri në Kushtetutën e vitit 1974”. Deri tash ka botuar katër monografi studimore dhe katër përmbledhje me dokumente. Ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca dhe simpoziume shkencore kombëtare e ndërkombëtare të organizuara në Shkup, Tiranë, Tetovë, Prishtinë, Prizren, Ulqin, Strugë, Gostivar, Kumanovë etj. Është bashkëpunëtor i jashtëm i disa revistave shkencore, siç janë: “Studime Albanologjike”, Shkup, “Gjurmime Historike” Shkup, “Jehona e Re”, Shkup, “Gjurmime Albanologjike”, Prishtinë, “Vjetari”, Prishtinë, “Kosova”, Prishtinë, “Studime Historike”, Tiranë etj. Në to janë botuar një sërë punimesh studimore me rëndësi për historiografinë shqiptare e më gjerë. Përveç kësaj, ai ka botuar mbi katërqind shkrime, si: fejtone, artikuj dhe shkrime të ndryshme historike në shtypin ditor, veçmas në të përditshmen KOHA Shkup.

 

KOHA: Kush e krijon historinë, ata që e shkruajnë apo ata që e bënë?

LITA: Kjo është një pyetje e ndërlikuar, por dihet se pa personalitete të mirëfillta historike nuk do të kishte as histori të mirëfilltë. Historinë e krijojnë atdhetarët, veprimtarët. Këtu tek ne në Maqedoni apo në periudhat e mëhershme të pushtuesve, si Mbretëria Serbo – Kroate – Sllovene, pastaj ajo bullgare, si dhe në kohën e komunizmit, por edhe menjëherë pas viteve 90 -ta, ishin kushte të tilla që studiuesit nuk kishin mundësi reale ta zbardhin historinë e kombit shqiptar, në këto treva shqiptare, për shkak se ata nuk kishin qasje në materialet arkivore me peshë historike. Këtu mund të përjashtohet deri diku Kosova, sepse ajo, për dallim nga shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, sidomos pas demonstrative të vitit 1968, në të u krijuan institucionet e rëndësishme arsimore, kulturore e shkencore, si Universiteti i Prishtinës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë etj. Si rrjedhojë e një politike të tillë në Maqedoni, figurat që kanë dëmtuar çështjen kombëtare, që kanë qenë të ideologjisë komunist jugosllave, janë konsideruar si figura “historike”, që për fatin e keq tonin edhe sot ata nëpër librat shkollore fillore dhe ato të mesme me mësim në gjuhën shqipe, trajtohen si figura “kombëtare shqiptare”. Ata ishin vegla për realizimin e planeve antishqiptare të regjimit të atëhershëm komunist jugosllav. Këtu është dallimi që ne sot ballafaqohemi me historiografinë jugosllave dhe atë maqedonase. Shumë figura që kanë dhënë, madje edhe jetën për çështjen kombëtare fare nuk janë përmendur, ose trajtohen me epitete më të ndryshme si “reaksionare”, “fashiste”, “tradhtare”, “nacionaliste”, “irredentiste” etj, ose është shtrembëruar biografia e tyre, si për shembull, njëri ndër figurat më të shquara të historiografisë bashkëkohore shqiptare, Azem Marana, deri para disa viteve, nga disa studiues shqiptar thuhej se vendlindja e tij ishte fshati Oranë i Gjilanit e jo Marana e Karshijakës. Një komb nëse është i lirë dhe ka shtetin e vet, atëherë kjo mundëson që historia të shkruhet në bazë të atyre që e kanë krijuar historinë, ndërsa një komb që është i ndarë nga shteti amë dhe që i ka të kufizuar të drejtat e veta nacionale, historinë e tij e shkruajnë ata që kanë guximin intelektual dhe mbi të gjitha sakrifikojnë vetveten për ta zbardh të vërtetën e së kaluarës historike.

 

KOHA: Çfarë ka ndikuar, që ju zgjodhët të tregoni historinë ashtu sikundër ka ndodhur ?

LITA: Që në fëmijëri, kohërat e hershme, vitet e “70 -ta, kur isha ende në moshë shumë të re, shpesh here në shtëpinë time, edhe pse isha ende fëmijë, dëgjoja nga prindërit e mi, por edhe nga bisedat që zhvilloheshin nëpër odat e burrave për figura të rëndësishme që pushteti i atëhershëm komunist i kishte ekzekutuar, apo i kishte burgosur, si për Azem Maranën, Mahmut Dumanin, Kapiden Rudin, Hasan Bilallin, Sul Hotlën, Xhemë Gostivarin, Mefail Zajazin e për shumë figura tjera atdhetare shqiptare. Rrethanat politike që ndodhën pas demonstrative të vitit 1981 në Kosovë, me mbylljen e shkollave shqipe, dhunën, terrorin, sidomos ndaj mësuesve, intelektualëve shqiptar, më shtyn mua të zgjedh profesionin e historisë. Është dashur një kohë e gjatë që të arrij në ato kushte ku vërtet mund ta shkruaj historinë , në bazë të vërtetës, të ngjarjes, por qind për qind nuk mund të thuhet, asnjëherë, ia kam arritur qëllimit. Shkrimet e para të mija janë në viteve “90-ta. Në vitin 1992 botova shkrimin e parë në gazetën e atëhershme të vetme në gjuhën shqipe në Maqedoni “Flaka e Vëllazërimit”, kushtuar shpërnguljes së shqiptarëve të Karshijakës për në Turqi. Por, si ngjarje shumë e rëndësishme për mua, por edhe për shqiptarët, në përgjithësi, veçmas shqiptarëve të Shkupit, ka qenë 50 vjetori i pushkatimit të figurës shqiptare Azem Morana, që me këtë rast në Teatrin Shqiptar në Shkup u mbajt një Akademi Përkujtimore me pjesëmarrje të madhe të figurave politike, arsimore, kulturore e shkencore shqiptare. Me këtë rast u botua një monografi kushtuar organizatës së NDSH-së dhe figurës së Azem Maranës, nga tre bashkautorë – Daut Bislimi, Fejzulla Shabani dhe unë.

 

KOHA: Historia si poetesha e kohërave të njeh me botën reale?

LITA: Shpesh herë kur shkruaj, për ngjarjet, padrejtësitë, dredhitë, tradhtitë, ndalem, sepse e shoh edhe gjendjen reale të shoqërisë, veçmas të shqiptarëve këtu, si në Kosove dhe Shqipëri. Nëse deri në vitet 90-ta të shekullit të kaluar shqiptarët burgoseshin për motive politike, tashti ata burgosen për gjoja kryerje të veprave “radikale”. Mirëpo, duhet të kalojë një periudhë së paku 20 -30 vjeçare, që gjeneratat e ardhshme ta shkruajnë situatën e sotshme. Unë e shoh si obligim ta shkruaj historinë e së kaluarës, të çështjes shqiptare.

 

KOHA: Gjithsesi je tronditur nga masakrat që u janë bërë njerëzimit?

LITA: Po. Këtë e thonë më së miri tre klerikët e Kishës katolike shqiptare të Kosovës, në Promemorien e tyre dërguar në vitin 1930, sekretarit të atëhershëm të Këshillit të Kombeve, Erik Dramondit në Gjenevë, të cilën e kam botuar në një përmbledhje dokumentesh kushtuar problemit shqiptar midis dy luftërave botërore. Po të lexohet ajo Promemorie, do të shihet se çfarë krimesh e masakrash ka bërë ushtria pushtuese serbe nga viti 1912 e këndej. Janë tronditëse edhe krimet dhe masakrat bullgare, sidomos në Luginën e Preshevës, por edhe në Shkup, Kumanovë gjatë periudhës kohore 1941-1944, ku madje ka pasur raste kur shqiptari është futur i gjallë në furrë. Mua, veçmas më ka tmerruar masakra çetnike në janar të vitit 1943, në krahinën e dikurshme shqiptare, Bihor, që sot gjendet në Malin e Zi, ku janë masakruar mbi 5.000 shqiptarë, mijëra të tjerë janë detyruar t’i lëshojnë vatrat e tyre, qindra gra të përdhunuara, madje sipas të dhënave që ofrohen nga komisioni i mjekëve, kriminelëve nuk u ka mjaftuar vrasja e tyre, por edhe kanë shkuar edhe më larg duke e copëtuar kufomën në pjesë të ndryshme etj. Krime e masakra të ngjashme ndaj popullsisë shqiptare kryen edhe njësitë komuniste jugosllave, menjëherë pas vendosjes së tyre në tokat shqiptare, ku me urdhër të Shtabit Kryesor të LNÇM-së, u arrestua e tërë popullsia mashkullore që nga Struga e deri në Kumanovë, duke i vendosur nëpër kampet e përqendrimit, një numër i madh i tyre u ekzekutuan pa as çfarë procesi gjyqësor. Përveç kësaj, forcat komuniste kryen masakra në disa vendbanime shqiptare, siç ishte masakra e Bllacës së Shkupit, masakra e Sopotit dhe e Izvorit të Kumanovës, masakra e kryer në qytetin e Gostivarit, e shumë masakra tjera, ku viktimë qenë mijëra shqiptarë të pafajshëm. E gjithë kjo më ka tmerruar dhe më ka detyrua që të bëj të pamundurën vetëm e vetëm të zbardhet e vërteta. Mbështetur në punën time shumëvjeçare hulumtuese, kam ardhur deri te konkluzioni se jugosllavët komunizmin e kanë pasur si mbulesë për realizimin e politikës së tyre pansllaviste. Për dallim nga ata, udhëheqja komuniste shqiptare, mikun e shqiptarëve e shpalli “armik”, ndërsa armikun “mik”. Të jem më i drejtpërdrejtë, Enver Hoxha dhe klika e tij SHBA-të i shpallën “armik”, ndërsa ish Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë si “miq” të tyre. Si rrjedhojë e një politike të tillë, ne ende kemi pasoja sa i përket problemit kombëtar shqiptar.

 

KOHA: Cili shtet ka rrëmbyer më shumë shqiptarë?

LITA: Shpërnguljet filluan me ardhjen e ushtrisë pushtuese serbe, përkatësisht me fillimin e luftërave ballkanike, për të vazhduar më pastaj me krijimin e Mbretërisë Serbo-Kroate – Sllovene në vitin 1918, që ndryshe njihet si Jugosllavia e Versajës. Konventa jugosllavo-turke, e nënshkruar në vitin 1938, parashikonte shpërnguljen e 400.000 shqiptarëve nga këto vise. Për fat të mirë, në këtë periudhë te shqiptarët u themelua një lëvizje kombëtare, që i prinin kleri mysliman, në krye me Ferat Dragën, Sherif Langun, Bedri Hamitin, Ataullah Hoxhën, Shaban Efendiun, Idriz Gjilanin etj, por edhe nga rinia e atëhershme studentore shqiptare, të cilët asaj kohe themeluan organizatën e mirënjohur tyre “Besa” dhe organizuan një kundër fushat, me çka ndikuan pozitivisht në pengimin e realizimit qind për qind të atij projekti antishqiptar nga autoritet e atëhershme pushtuese serbe. Mirëpo, më vonë, përkatësisht në fillim të viteve 50-ta, Tito, duke e shfrytëzuar prishjen e marrëdhënieve me Shqipërinë komuniste, bëri një marrëveshje xhentëlmene me ministrin e atëhershëm të Jashtëm, Kyprili (1953), në të cilën parashihej shpërngulja e 600.000 myslimanë, porr në fakt shumica e tyre qenë shqiptar, një pjesë boshnjak dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre ishin turq, të cilët shtriheshin në pjesën lindore të Maqedonisë. Sipas të dhënave që kam arritur të zbuloj në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë, nga viti 1953 e deri në vitin 1959, nga Maqedonia, për në Turqi, janë shpërngulur gjithsej 143.800 banorë për ose 11 për qind e popullsisë së përgjithshme të atëhershme të Maqedonisë. Për sa u tha më sipër, mendoj se politika dredhacake e Titos, arriti të shpërngul më shumë shqiptarë se sa në periudhën e para Luftës së Dytë Botërore.

 

KOHA: Më mirë shqiptar mysliman a shqiptar ortodoks në Maqedoni?

LITA: Unë jam shqiptar që i takoj besimit mysliman. Në familjen time gjithmonë është përdorur së pari kombi e më pas besimi. Shqiptar i mirë është ai që mbron interesat kombëtare, pa marrë parasysh përkatësinë e tij fetare. Shqiptarët i takojnë tre besimeve: mysliman, katolik dhe ortodoks. Shtrohet pyetje: ku shkuan shqiptarët katolik të Shkupit, që dikur ishin mbi 1.100 banor në këtë qytet, e sot mund të numërohen në gishta të dorës? Gjithashtu mund të shtrohet pyetja se ç’ndodhi me shqiptarët ortodoks të Rekës së Epërme, të cilët si në regjistrimet e viteve të para luftës (1921 dhe 1931), por edhe në regjistrimin e vitit 1942 veten e konsideronin shqiptarë, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore u shuan fare? Politika komuniste jugosllave, sidomos deri në vitin 1966, bëri çmos që t’i asimilojë shqiptarët, me atë që shqiptarët myslimanë i njihte për turq, katolikët latinë, ndërsa ortodoksët maqedonas. Fati deshi që shumica e shqiptarëve ishin të besimit mysliman, që autoritetet e atëhershme komuniste nuk arritën të bëjnë asimilimin e tyre të plotë. Me këtë rast po i referohem Xhevat Kallajxhiut, i cili në janar të vitit 1942, në cilësinë e nënprefektit të Gostivarit, përmes një raporti të detajuar njoftonte Qeverinë e atëhershme shqiptare, për gjendjen faktike të popullsisë të atij rrethi ku ndër të tjera shkruante: “… qëndrimi larg nga çdo kontakt tjetër me botën tjetër, shërbyen për qenien e tyre të bashkuar përpara çdo tentative serbe dhe ndaluan mundësinë e një asimilimi, nga ana e këtyre të fundit. Bota myslimane qëndroi e ndarë nga ajo e serbëve, dhe përmes fésë ruajti sentimentin dhe vitalitetin shqiptar, dy faktorë të cilët zotërojnë sot me tërë madhështinë e duhur dhe përbëjnë një garancie të shëndoshë për konsolidimin e këtyre viseve dhe për unitetin Kombëtar”.

 

KOHA: A do të kishe dashur të shkruash historinë për projektin “Shkupi 2014”?

LITA: Mendoj se nuk ka shqiptar që do të pajtohej me një projekt antishqiptar, siç është “Shkupi 2014”. Nisur nga kjo, unë nuk mund të pajtohem me politikën e një historie të rrejshme, siç po ndodh këtu te ne jo vetëm me “Shupin 2014”, por edhe me të ashtuquajturën “Enciklopedi maqedonase”, në të cilën nuk mund të shohësh asgjë tjetër përveç se gënjeshtrave, shtrembërimeve, falsifikimeve historike.

Mirëpo, që ta shkruash historinë e siç thoni ju “Shkupit 2014”, sipas ligjit aktual për qasje të dokumentacionit arkivor, por edhe sipas normave ndërkombëtare, duhet të presim së paku 20 vjet. Pra, për “Shkup 2014” do të shkruajnë gjeneratat e ardhshme.

KOHA: A jeni optimist për shqiptarët se një ditë ata do të ecin, siç bënë rilindësit?

LITA: Deri para do kohe kam qenë optimist, por tani jam pesimist, për fat të keq. Rilindësit, edhe ata kanë pasur mosmarrëveshje, por atëherë ata kanë pasur një vetëdije të lartë kombëtare dhe ata kanë arritur kompromise mes vete, ka qenë besëlidhja, ku janë tubuar krerët intelektualët, bajraktarët dhe kanë vendosur për një çështje dhe u janë përmbajtur atyre vendimeve. A keni parë apo dëgjuar që pas viteve 90-ta politikanët shqiptarë me vetë iniciativë të ulen bashkë dhe të vendosin për një çështje. Kjo nuk ndodh, në përjashtim kur diplomacia amerikane ua imponon. Për mua SHBA-të paraqesin të vetmen shpresë për një të ardhme më të mirë tonën kombëtare.

 

KOHA: Historianët kanë zbuluar se shqiptarët janë tradhtarë të njëri tjetrit?

LITA: Dikur është ditë kush është tradhtar, e kush është atdhetar. Sot nuk dihet. Të vetmit personalitete, që nuk mund të njollosen janë personalitete që janë burgosur e më pas pushkatuar, si dhe ata të cilët pas vuajtjes së dënimit janë larguar në botën perëndimore, ose që të mos bëhen vegla e pushtetit, kanë vuajt edhe për kafshatën e gojës, duke kryer punë më të rënda. Për mua në kohën e komunizmit figurë kombëtare konsiderohet ai i cili ka heshtur, në momentin kur është kërkuar të prononcohet për një ngjarje, si për shembull, për demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981. Heshtja në atë kohë ka qenë guxim, sepse ashtu kanë qenë rrethanat, që edhe sot nuk e kemi te një numër i politikanëve tanë.

 

 

KOHA: Ç’është tradhtia për ju?

LITA: Tradhtia ka shumë kuptime. Tradhti në familje, tradhti e besës. Por, më e rëndë është tradhtia e çështjes kombëtare. Nëse bëhesh vegël e projekteve antishqiptare, është tradhti kombëtare.

 

 

KOHA: Ç’është arkivi?

LITA: Sipas disa studiuesve ndërkombëtarë, “arkivi përbën një thesar që ndërton dhe shpërbën shtete” dhe asnjëherë nuk mund të shteret.

 

KOHA: Të jesh zëvendës drejtor i arkivit, “të vjedhësh” historinë?

LITA: Hulumtimet e mia në këtë arkiv datojnë që nga viti 2002, pra shumë vite para se të emërohem në këtë detyrë. Atëherë qasja për hulumtuesit shqiptar ishte shumë e kufizuar dhe e kontrolluar. Brenda këtyre 8 viteve, sa unë mbaj postin e zëvendës drejtorit, është arrit që këtë institucion ta shfrytëzojnë pa asnjë pengesë shumë studiues shqiptar, jo vetëm nga Maqedonia, por edhe ata nga Kosova e Shqipëria, që dikur kjo ishte e pamundur. Përveç kësaj, kemi nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi me Arkivin Qendror të Shqipërisë më 2008, me Agjencinë e arkivave Shtetërore të Kosovës në vitin 2011. Si rrjedhojë e këtyre marrëveshjeve, kemi shkëmbyer dokumentacione me interes ndërshqiptar, por edhe ndërshtetëror me arkivat përkatëse, kemi realizuar projekte të përbashkët me AASHK, siç janë dy përmbledhje të dokumenteve me financim të ASHRM dhe të AASHK -së: “Referat për Komitetet e NDSH-së në Kosovë” dhe “Politika e Mbretërisë Jugosllave ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë 1929-1941”. Kjo e fundit është botuar në dy gjuhë, përkatësisht në gjuhën shqipe dhe atë maqedonase etj.

 

KOHA: Çfarë dënimi do t’ju jepje spiunëve, që kanë përndjekur veprimtarët më të suksesshëm?

LITA: Dënimi më i madh është t’i dënojë populli. Nga natyra jam bamirës.

 

KOHA: Spiunët i vrasin, te historia jonë si ndodh?

LITA: Për fatin e keq te historia jonë spiunët ose më mirë e thënë elementet e projekteve anti shqiptare kanë krijuar karrierë politike, jo të gjithë, por një pjesë bukur e madhe.

 

KOHA: Ju më shumë i frikoheni përgjimit nga gruaja, për shkak të xhelozisë, a nga shteti?

LITA: Nuk frikohem, sepse e di se kush jam. Sa i përket jetës bashkëshortore, nuk ka ndodhur që të ketë një xhelozi, si nga bashkëshortja dhe anasjelltas. Ne e kemi pranuar njëri tjetrin kështu siç jemi. Tre çështje më kanë preokupuar (sepse jam marrë me politikë), morali, si traditë familjare, korrupsioni dhe tradhtia. Në qershor të vitit 2000 me insistimin e tash më të ndjerit Arbën Xhaferit, u emërova shef i kabinetit të zëvendës ministrit për Punë të Brendshme, Refet Elmazit, pa dëshirën time, sepse isha i përndjekur nga policia maqedonase. Nuk kaluan as gjashtë muaj, kur shpërtheu lufta e vitit 2001 në Maqedoni. Çfarë duhej bërë në ato rrethana!? Nuk kishte alternative tjetër, përveç se të zgjedhësh rrugën e tradhtisë, dhe atë të mbrojtjes së interesit kombëtar. Të ngelësh në atë pozicion, për mua dhe për disa kolegë të atëhershëm, nënkuptonte se po e tradhtojmë çështjen tonë kombëtare. Nisur nga kjo, së bashku me një kolegë timin, njeri shumë besnik, vendosëm që të largohemi nga ajo ministri, për të kaluar në radhët e UÇK-së, me atë që të bisedohet edhe me disa kolegë tjerë shqiptar, për të cilët mendonim se janë besnik. Brenda disa ditëve, arritëm të bëjmë një listë prej rreth 50 vetëve, të cilët pranuan propozimin tonë. Për këtë i njoftuam strukturat e atëhershme politike të UÇK-së, të cilët në mënyrë kategorike e hodhën poshtë propozimin tonë, duke insistuar që me çdo kusht të qëndronim aty. Jam krenar që ne dhamë kontributin tonë, sidomos në mbrojtjen e popullsisë civile, e cila asaj kohe për çdo ditë kërcënohej nga strukturat policore e para policore.

 

KOHA: Shumë veprimtarë janë përgjuar, po ju?

LITA: Duhet t’i pyetni politikanët! Nëse dikur shqiptarët përgjoheshin për shkaqe politike, sot për fat të keq, përgjohen për korrupsion, lojalitet ndaj padronit të tyre dhe amoralitet. Sa i përket vetes time, zyrtarisht e di se jam përgjuar e përndjekur nga shërbimi sekret maqedonas në periudhën kohore 1992-2000, ku si dëshmi e kam dosjen policore. Jo zyrtarisht besoj se jam përgjuar edhe pas vitit 2000 dhe përgjohen ende nga po ai shërbim, mirëpo fare nuk brengosem për këtë. Arsyeja e vetme, përse jam përcjell nga ai shërbim ka qenë pse unë e dua kombin tim dhe në suaza maksimale bëj përpjekje për t’i ndihmuar kombit tim. Unë asnjëherë nuk kam mbajtur një truproje ose armë, sepse e njohe vetveten, nuk i bëj keq askujt.

 

KOHA: Më mirë ta bësh historinë a ta shkruash historinë?

LITA: Më mirë është ta krijosh historinë, por përgjegjësia më e madhe i takon atij që e shkruan historinë, sepse ai duhet të jetë shumë korrekt, në bazë të asaj që zbulon e jo në bazë të paragjykimeve apo thashethemeve.

 

KOHA: Si e mbrojti akademiku Mateja Matevski çështjen shqiptare në Maqedoni?

LITA: Kam hasur edhe dokumentacione për Mateja Matevskin. Fund vitet e “60-ta dhe fillimet e vitit “70-ta, u hap problemi i shqiptarëve në Maqedoni. Këtu fillimisht ishte rënia e Rankoviqit, pastaj demonstratat e “68 -ës që ndodhën në Kosovë, por edhe në Tetovë. Kjo detyroi atëherë qeverinë jugosllave, por edhe të Maqedonisë, që ndaj çështjen shqiptare të kenë një qasje pak si më ndryshme dhe si rrjedhojë e kësaj erdhën edhe ndryshimet kushtetuese, fillimisht përmes amendamenteve, e më vonë edhe Kushtetuta e vitit 1974. Ndër problemet që më së shumti u polemizua ishte problem i përdorimit zyrtar të flamurit kombëtar shqiptar. Në Maqedoni kjo çështje u debatua në Komisionin për marrëdhënie ndër-republikane e ndërnacionale, ku kryetar i atij komisioni ishte Mateja Matevski. Në një mbledhje të këtij komisioni pati polemika, për fat të keq edhe disa shqiptarë që ishin udhëheqës u shprehën kundër përdorimit të flamurit shqiptar, me arsyetim se të njëjtin flamur Shqipëria e përdor si flamur shtetëror. Ishte pikërisht Mateja Matevski, i cili ashpër iu kundërvu atyre, duke u shprehur me fjalët: “Se çfarë forme duhet të ketë flamuri shqiptar nuk mund të vendosim ne, por vetë populli shqiptar”.Menjëherë pas kësaj, përkatësisht në vitin 1973, u soll Ligji për përdorimin zyrtar të flamurit shqiptar, i cili ishte shumë më i favorshëm se ligji aktual. Në komunat e atëhershme me shumicë shqiptare, si në Tetovë, Gostivar, Dibër, e pjesërisht edhe në Kërçovë e Strugë, flamuri shqiptar përdorej në të gjitha institucionet shtetërore, përfshi këtu policinë dhe gjykatat. Madhësia e flamurit shqiptar atëherë ka qenë e barabartë me madhësi e flamurit të Jugosllavisë dhe të Maqedonisë, e që sot nuk e kemi.

SHPËRNDAJE