Ballina Bota Shumica e sondazheve nuk gabuan, por…

Shumica e sondazheve nuk gabuan, por…

Nga Eduard Zaloshnja

Në çastin kur Donald Trump-i u shpall fitues nga mediat amerikane (kur siguroi mbi 270 delegatë në Kolegjin Elektoral), ishin numëruar vetëm 93% e votave në rang kombëtar. Dhe deri në atë çast, ai kishte epërsi si në votën popullore, ashtu edhe në votat e Kolegjit Elektoral. Kjo gjë e bëri gazetën Los Angeles Times (me prirje të majtë) që të deklaronte se sondazhi i saj, përkundër përqeshjeve disamujore nga analistë të ndryshëm, kishte qenë i saktë.

Po përse ishte përqeshur gazeta kaliforniane?

Portali amerikan RealClearPolitics ka raportuar para zgjedhjeve të SHBA-së sondazhet rreth garës Clinton-Trump, si dhe ka llogaritur vazhdimisht mesataren e tyre. Mesatarja e  sondazheve të fundit tregonte një epërsi të Clinton-it me 3.2 pikë përqindje në rang kombëtar, ndërsa ai i gazetës Los Angeles Time tregonte një epërsi të Trump-it me 3 pikë përqindje në rang kombëtar (mediat e tjera – ku përfshiheshin media me prirje të djathta, të majta e të qendrës – si Bloomberg, IBD, Economist, ABC, Washington Post, FOX News, Monmouth, NBC News, Wall Street Journal dhe CBS News – parashikonin një epërsi të Clintonit në rang kombëtar që luhatej në intervalin nga 1 deri në 6 pikë).

Pas shpalljes së fituesit, ka vazhduar numërimi i votave të mbetura dhe, sipas agjensisë Associated Press, pritet që, në rang kombëtar, Clinton-i të ketë marrë pothuaj 1 milionë vota më shumë se sa Trumpi (rreth 0.7% epërsi), ndërkohë që ky i fundit mori papritmas më shumë vota në Pensilvani dhe Uinskonsin, dy shtete që vulosën fituesin e Kolegjit Elektoral.

Me pak fjalë, në rang kombëtar, shumica e sondazheve të mediave kryesore ishin afër rezultatit përfundimtar (po të kihet parasysh se ato kishin një marzh gabimi statistikor rreth +/-3 pikë). Ndërkohë, sondazhet lokale në disa shtete të veçanta nuk iu afruan rezultateve përfundimtare në to.

Kështu, një ditë para zgjedhjeve mesatrja e sondazheve lokale në Uinskonsin tregonte një epërsi të Clinton-it me 6.5 pikë, por atje fitoi Trump-i me 1 pikë. Në Pensilvani, mesatrja e sondazheve lokale tregonte një epërsi të Clinton-it me 2 pikë, por atje fitoi Trump-i me 1.2 pikë. Në Miçigan, mesatrja e sondazheve lokale tregonte një epërsi të Clinton-it me 3.5 pikë, por atje fitoi Trump-i me 0.3 pikë. Në Nevada, mesatrja e sondazheve lokale tregonte një epërsi të Trump-it me 1 pikë, por atje fitoi Clinton-i me 2.5 pikë.

Në shtetet e tjera të diskutueshme, rezultatet e sondazheve lokale ishin afër rezultateve përfundimtare. Kështu, në Florida mesatrja e sondazheve lokale tregonte një epërsi të Trump-it me 0.3 pikë, dhe në fakt, ai fitoi atje me 1.3 pikë. Në Karolinën e Veriut mesatrja e sondazheve lokale tregonte një epërsi të Trump-it me 1 pikë, dhe në fakt, ai fitoi atje me 3.7 pikë. Në Nju Hempshir, mesatrja e sondazheve lokale tregonte një epërsi të Clinton-it me 0.6 pikë, dhe në fakt, ajo fitoi atje me 0.3 pikë.

Në përfundim, mund të thuhet se shumica e sondazheve në rang kombëtar dhe shumica e sondazheve lokale iu afruan rezultateve përfundimtare. Por gabuan ato që nuk parashikuan dot fitoren e Trump-it në ato pak shtete që vulosën fituesin e Kolegjit Elektoral…