Ballina Lajme SHENJA ZBULON EDHE NJË SKANDAL: KOMUNA E ÇAIRIT S’PAGUAN BORXHET, NGA E...

SHENJA ZBULON EDHE NJË SKANDAL: KOMUNA E ÇAIRIT S’PAGUAN BORXHET, NGA E HËNA S’KA NGROHJE (DOKUMENT)

Televizioni SHENJA zbulon një skandal të ri. Nga dita e hënë Çairi do të ngelet pa ngrohje, për shkak të borxheve të pashlyera nga ana e Komunës së Çairit për ngrohjen e shkollave fillore dhe çerdheve sezonin e kaluar . Në dokumentin e siguruar nga Televizioni SHENJA thuhet se vendimi më i ri i ngrohtores Shkup-Veri vjen si pasojë e borxhit prej 500 mijë eurove të cilin nuk e ka shlyer Komuna e Çairit për sezonin e kaluar të ngrohjes për shkollat fillore dhe çerdhet. Nga ngrohtorja thonë se si pasojë e këtij borxhi, Makpetrol Prom-gaz ka ndërprerë furnizimin me gaz natyrorë për nevojat e furnizimit me energji termike për Komunën e Çairit.

“Ndërprerja është për shkak të mos shlyerjes së borxhit të mbetur për furnizimin me ngrohje për shkolla fillore dhe çerdhet në Komunën e Çairit. Borxhet e akumuluara na shkaktojnë problem likuiditeti dhe pamundësi për sigurimin e mjeteve për furnizim me lëndë për sezonën 2016/2017. Borxhi i pashlyer për furnizimin me energji termike të shkollave fillore dhe çerdheve në nivel të Komunës së Çairit deri më 30.08.2016 ishte: për borxhin kryesorë 20.551.267 denarë dhe kamatë 9.377.444 denarë, ose borxhi i përgjithshëm 29.929.711 denarë. Shumica e shkollave fillore dhe çerdheve nuk e kanë shlyer furnizimin me energji termike thuajse për gjithë sezonën e kaluar të nxemjes 2014/2015”, thuhet mes tjerash në dokument.

Në të më tej sqarohet se ngrohtorja i ka dhënë një mundësi komunës që të shlyejë një pjesë të borxhit edhe atë në disa këste me qëllim që të evitohet kjo situatë, por Komuna nuk i është përmbajtur as këtij zotimi. Nga ngrohtorja thonë se punën e deritanishme kanë arritur që ta financojnë me mjete vetanake, por më tej nuk kanë mundësi për financimin e punës. Për situatën e përgjithshme është informuar Komisioni rregullatorë për energjetikë i Republikës së Maqedonisë, thuhet në dokumentin zyrtarë të ngrohtores Shkup-veri të cilin e posedon Televizioni SHENJA. Televizioni SHENJA tentoi të marrë prononcim nga komuna e Çairit, por nga ata nuk morëm përgjigje.

Arben Zeqiri /SHENJA/


SHENJA zbulon edhe një skandal: Komuna e Çairit… by tvshenjaofficial

Loading...