Ballina Bota Rusia i ndalon hyrjen ish-ambasadorit amerikan. Njeri i afërt me Obamën

Rusia i ndalon hyrjen ish-ambasadorit amerikan. Njeri i afërt me Obamën

Ish-ambasadori amerikan në Rusi ka konfirmuar se është vendosur në listën e të sanksionuarve nga Kremlini, duke mos iu lejuar hyrja në Federatën Ruse. Michael McFaul e argumentoi këtë vendim me faktin se “kishte lidhje të afërta me presidentin Barack Obama”, ndërsa shtoi se vizitën në Rusi e kishte planifikuar përpara se Donald Trump të fitonte zgjedhjet, me synimin “për të kryer punët tranzitore të Hillary Clintonit”.

Edhe Ministria e Jashtme ruse konfirmoi ndalimin që i është vendosur atij për të mos hyrë në territorin rus, siç raportojnë agjencitë ruse të lajmeve.

Përmes një mesazhi të publikuar në Facebook, McFaul tha se “më është komunikuar përfshirja ime në listën e sanksioneve, sepse kam lidhje me Obamën. Megjithatë, unë e marr këtë si një kompliment, sepse Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar shumë rusë të afërt me Putinin”.

“Me sa di unë, George Kennan ka qenë ambasadori i fundit amerikan në ish-Bashkimin Sovjetik që iu ndalua hyrja në Rusi. Një shoqëri e mirë me të. Shpresoj vetëm që të mos jem në këtë listë përjetësisht. Që prej vitit 1983, unë kam jetuar shumë atje dhe kam udhëtuar shpesh në atë vend”.

McFaul është profesor në Universitetin “Stanford”, ndërsa ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Rusi në vitet 2012-2014. George Kennan, i përmendur prej tij, ka mbajtur postin diplomatik në ish-Bashkimin Sovjetik gjatë vitit 1952. Ai e humbi menjëherë postin e tij, pasi krahasoi kushtet në rezidencën e ambasadorit në Moskë me periudhën e trajtimit të tij gjatë internimit në kampet e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.