Ballina Bota Nju Jork, Teksas e Virxhinia, kërcënime për “sulm terrorist” nga “al Qaeda”

Nju Jork, Teksas e Virxhinia, kërcënime për “sulm terrorist” nga “al Qaeda”

Zyrtarë federalë paralajmëruan autoritetet e Nju Jorkut për sulme të mundshme të organizatës terroriste “al-Qaeda” para ditës së zgjedhjeve, duke vënë në gjendje gatishmërie forcat lokale të sigurisë.

Departamenti i Policisë së Nju Jorkut dhe autoriteti portual i Nju Xhersit thanë se kishin marrë informacione. Zyrtarë të forcave të rendit të qytetit të Nju Jorkut thanë se niveli i lartë i patrullimeve vazhdon në shumë zona të ndjeshme, por ata nuk pranuan që të japin detaje për paralajmërimin e marrë.

Sipas mediave amerikane, policia e Nju Jorkut tha se nuk kishin specifikime për kërcënimin dhe se situata po vlerësohet me kujdes.

Agjencia e lajmeve “Reuters”, bazuar në burimet e saj brenda qeverisë amerikane bën me dije se, Shtetet e Bashkuara kishin të dhëna për një sulm të mundshëm të “al Qaeda”-s ditën e hënë dhe për këtë lajmëroi forcat lokale, zonat e të cilave prekeshin nga informacioni i grumbulluar.

Megjithëse kërcënimi nuk është cilësuar i nivelit të lartë, autoritetet vendosën të marrin masa dhe të jenë në gjendje gatishmërie. Veç Nju Jorkut, mësohet se paralajmërime i janë dërguar forcave lokale në Teksas dhe Virxhinia. FBI nuk iu përgjigj pyetjeve të medieve për këtë çështje, por siguroi se agjencitë e antiterrorit dhe sigurisë së brendshme janë vigjilente për të mbrojtur vendin në çdo situatë.

Loading...