Ballina Lajme Nisma e Ahmetit për “Monstrën” vetëm fushatë, sepse për BDI-në thuhet që...

Nisma e Ahmetit për “Monstrën” vetëm fushatë, sepse për BDI-në thuhet që u ka marrë ryshfet ish ushtarëve!

FLET EKSKULIZIVISHT PËR “LAJM” BEDRI AJDARI

BEDRI AJDARI, NGA KËSHILLI I FAMILJARËVE TË DËNUAR NË RASTIN “MONSTRA”, THOTË SE DYSHIMET NË KAPACITETET E BDI-SË PËR TË NDRIÇUAR RASTIN “MONSTRA”, IA SHTOJNË EDHE INFORMACIONET SE BARTËSI I LISTËS SË KËSAJ PARTIE NË NJËSINË NUMËR 2, EJUP HALIMI I KA KËRKUAR 3.000 EURO RYSHFET PËR PUNËSIN SHABAN LIMANIT NGA SOPOTI, LUFTËTAR I TRI LUFTËRAVE TË UÇK-SË

   Bedri Ajdari, nga Këshilli i familjarëve të dënuar në rastin “Monstra” e konsideron si tallje iniciativën e paralajmëruar nga mediumet proqeveritare, se gjoja kryetari i BDI-së Ali Ahmeti do të dorëzojë nismë në Prokurorinë Speciale për ndriçimin e këtij rasti. Ai përshëndet çdo iniciativë për ndriçimin e rastit “Monstra”, por iniciativën e BDI-së e vlerëson të dyshimtë për shkak se kjo parti deri tani nuk ka punuar në këtë drejtim, kurse iniciativë paralajmëron vetëm një muaj para zgjedhjeve. Ajdari kërkon nga BDI të tregohet më serioze, e jo të sillet si kur “porosit një këngë në kafene”. “Për këto nisma njeriu apo subjekti politik në fjalë duhet me qenë shumë serioz për hir të shkallës së lartë të tangimit të ngjarjes dhe interesimit të gjithë popullatës në Maqedoni e më gjerë, e posaçërisht të shqiptarëve do të duhej vepruar me të gjitha instrumentet e mundshme që ka pasë BDI-ja në dispozicion, e jo të bësh porosinë si në kafene kur porosit një këngë të tipit “Prej një shpati…..!. Mos harroni i gjithë ky veprim behet brenda 3-4 ditëve dhe një muaj para zgjedhjeve, jashtë institucioneve! Këtë iniciativë të BDI-së në këtë kohë, popullata shqiptare përmes rrjeteve sociale dhe nëpër oda e ka vlerësuar me një thënie që është më adekuate e që është në gjuhën turke “llaf ollsun!”, thotë në deklaratën e tij për gazetën Lajm, Bedri Ajdari. Ai para 10 ditëve akuzoi kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti se i ka mashtruar duke u premtuar se do të formohet një Këshill Punues për të përcjellë rastin “Monstra”, këshill që asnjëherë nuk ka funksionuar. Ai thekson se dyshimet në kapacitetet e BDI-së për të ndriçuar rastin “Monstra”, ia shtojnë edhe informacionet se bartësi i listës së kësaj partie në njësinë numër 2, Ejup Halimi i ka kërkuar 3.000 euro ryshfet për punësin Shaban Limanit nga Sopoti, luftëtar i tri luftërave të UÇK-së. “Ja një argument se ju tani jeni duke bë fushate zgjedhore, po masi edhe z. Shaban Limanit, ushtarit të tre luftërave të UÇK-ss dhe i përndjekur në rastin e Sopotit ja keni lypë 3.000 euro për një punësim, ç’ka duhet të mendoj populli për veprimet dhe Nismat e juaja?! Sa i përket vërtetimit për marrjen apo lypjen e ryshfetit z. Shaban Limanit, është në një postim në fb fotografia e bartësit të listës të BDI-së në njësinë dy, Ejup Halimit dhe ne komentet që vijojnë e gjen komentin e Shabanit ku thotë se mi ka lyp 3 000 euro për një punësim. Kjo ishte sa për ta ditur të vërtetën se vetë Shabani e shkruan publikisht se i është lyp ryshfet për punësim!”, thekson Ajdari. BDI para disa ditëve, përmes mediumeve proqeeveritare u zotua se do të dorzëojë iniciativë për shqyrtim të rastit “Monstra” nga Prokuroria Speciale. Në BDI nuk japin më shumë detaje lidhur me nismën deri tek Specialja, por theksojnë se janë që e vërteta rreth “Monstrës” të ndriçohet njëherë e përgjithmonë, duke pranuar në mënyrën më direkte se deri sa janë ata në pushtet, nuk kanë forcë për të penguar e as për të ndriçuar rastet ku dëmtohen shqiptarët. Për familjarët është qesharake që kryetari të BDI-së tani t’i kujtohet të kërkojë ndriçim të këtij rasti. Ata thonë se deri tani kjo parti nuk ka dhënë asnjë sinjal se është e interesuar për një gjë të tillë, siç u alarmuan për shembull institucionet në Kosovë për rastin e Astrit Deharit. “Ky lajm se BDI do të bëjë një “Nismë” deri tek PSP-ja për zbardhjen e rastit “Monstra” meriton një “smajli” të buzëqeshur! Ne si familjare, ç’do veprim me karakter pozitiv për zbardhjen e këtij rasti e vlerësojmë shumë, por jo në qasjen “Selam Gjakove”, sepse kjo mënyrë nuk ka efekt as nuk ka vlerë. Kosova dhe institucionet e saja të gjetura ngushtë nga mosfunksionimi adekuat institucional u trondit thellë nga humbja apo vdekja e të riut Astrit Dehari, u desh të japë shpjegim për këtë rast se si ndodhi që, atje ku duhej të ishte më i sigurt se tek shtëpia e vetë të ndodhë ky rast tragjik, mire po qasja me seriozitetin me te madh te Prokurorisë dhe organeve te tjera te Kosovës bënë që edhe dyshimet më të vogla tek popullata dhe para faktorit ndërkombëtar të eliminohen. Sa për ilustrim, ndiqe debatin në KTV në mes të kryeprokurorit, avokatit të familjes Dehari dhe dy shefave të sigurimit kombëtar të Kosovës se sa janë serioz për zbardhjen e rastit të tyre ne mënyrë institucionale, duke kërkuar dhe lejuar ç’do gjë qe do te çoje drejt te vërtetës, duke filluar nga eksperte te huaj mjekoligjor, duke lejuar qe analizat t’i bej ç’do organ i pavarur brenda dhe jashtë shtetit te tyre”, thekson Ajdari. Ai porosit BDI-në që mos të mundohen të hakmerren në këtë mënyrë për kritikat që po u bëhen, “por ju zotërinj ta dini se jeni tregu të pa aftë dhe e keni marrë popullin në qafë”. (a.h.)